Shqipëri: Të shuash etjen e mijëra banorëve

19 nëntor 2015



Banorët që jetojnë përgjatë Bregdetit të Jugut kanë pamje të mrekullueshme para syve, por jo shumë ujë të pijshëm. Projekti i menaxhimit të integruar të bregdetit ka përmirësuar sistemin e furnizimit me ujë të zonës dhe banorët kanë më shumë komoditet dhe mundësi për turizëm.

Aleksandra Spiro jeton me burrin e saj në fshatin Lukovë, përgjatë Bregdetit të Jugut. Është një zonë e mrekullueshme, por deri kohët e fundit, shumë banorëve iu mungonte furnizimi i qëndrueshëm me ujë të pijshëm. Aleksandra dhe burri i saj nuk bënin përjashtim po ashtu.

“Më përpara, uji vinte vetëm në orar të caktuar, dhe kur vinte duhej të mbushnim çdo enë që kishim,” thotë Aleksandra.

Gjërat kanë ndryshuar për familjen Spiro, sikurse për dhjetëra mijëra banorë të tjerë që jetojnë përgjatë bregut.


" Uji është i rëndësishëm se e duam për ta pirë, për të larë e për të gatuar. Pa ujë, nuk ka jetë "

Trëndafile Hoxhaj

Piqeras

Image

Cilësia e ujit është përmirësuar tani në fshatin Vuno – një fëmijë duke pirë ujë në një çezme të fshatit.

Foto: Jutta Benzenberg

Kjo falë stacioneve të reja të pompimit që janë instaluar së fundmi në fshatrat bregdetarë.

Image
Tubacioni i ujit të pijshëm në fshatin Piqeras – pamja “para” investimit
Pompat dhe përmirësimet në infrastrukturë që i janë bërë sistemit të vjetër e të amortizuar janë pjesë e projektit të menaxhimit të bregdetit të financuar nga Banka Botërore.

“Në fshatrat e komunës sonë kishte tubacione të amortizuara që nga vitet ’70 dhe kryesisht çezma publike. Njerëzit nuk kishin ujë në shtëpi dhe shumë pak ujë vinte në fshat,” thotë ish-kryetari i komunës së Lukovës, e cila përbëhet nga 14 fshatra, përfshirë edhe atë ku jeton Aleksandra.

Aleksandra thotë se me sistemin e ri të furnizimit me ujë, punët e shtëpisë si pastrimi dhe gatimi, janë bërë shumë më të lehta.

Image
Tubacioni i rinovuar i ujit - pamja pas rinovimit

Liljana Shehu, një tjetër banore e Lukovës, bie dakord me të. Ajo shton se jo vetëm që sistemi i ri i furnizimit me ujë ka përmirësuar jetesën në shtëpinë e saj, por edhe ka ndihmuar të shërbejë më mire në kafenenë e saj.

“Na ndihmon të kemi një higjenë më të mirë. Më parë ne nuk kishim ujë të rrjedhshëm, kurse tani kemi gjatë gjithë kohës, thjesht hapim rubinetin. Dhe ujë më të mirë, gjithashtu,” thotë Liljana.

Projekti ka instaluar për herë të parë, edhe matësa të ujit në fshatra, kështu që banorët si Trëndafile Hoxhaj paguajnë vetëm për atë që konsumojnë, në vend të një tarife të përgjithshme që paguanin më parë.

“Uji është i rëndësishëm se e duam për ta pirë, për të larë e për të gatuar. Pa ujë, nuk ka jetë,” thotë Trëndafilja, e cila jeton në fshatin bregdetar të Piqerasit.


" Na ndihmon të kemi një higjenë më të mirë. Më parë ne nuk kishim ujë të rrjedhshëm, kurse tani kemi gjatë gjithë kohës, thjesht hapim rubinetin. Dhe ujë më të mirë, gjithashtu. "

Liljana Shehu

Lukovë

Përveçse e ka bërë jetën më komode, sistemi i ri i furnizimit me ujë ka krijuar mundësi të reja për biznes për fshatarët.

Qëkur janë lidhur me pompën e re të ujit, Miliano Bitri, gjithashtu nga Piqerasi, po punon në agro-turizmin e tij.

“Kam një biznes familjar turizmi. Jetoj në fshat dhe angazhohem në drejtimin e një hoteli të vogël, bujqësi dhe kultivimin e ullinjve.”

Më shumë ujë e ka bërë më të lehtë për Milianon dhe familjen e tij të lajnë, pastrojnë, gatuajnë dhe kultivojnë… jo vetëm për veten e tyre, por edhe për turistët që i vizitojnë!


Image

Pompat e reja dhe sistemi i rinovuar i ujit ka përmirësuar furnizimin me ujë të pijshëm në fshatrat e bregdetit të jugut: pamje e fshatit Vuno.

Foto: Albes Fusha




Welcome