Skip to Main Navigation
NJOFTIME PËR SHTYP10 mars 2025

Banka Botërore miraton mbështetje shtesë për transformimin e shërbimeve publike në Shqipëri

UASHINGTON DC, 10 mars 2025 – Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të Bankës Botërore miratoi një financim shtesë prej 80 milionë $ për të mbështetur agjendën ambicioze të Shqipërisë për modernizimim dhe transformimin digjital të sektorit publik, duke përmirësuar aksesin në shërbimet kryesore për qytetarët, veçanërisht për grupet e cënueshme.  

Shqipëria ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm në modernizimin e sektorit publik dhe transformimin digjital, çka ka përmirësuar shërbimet publike dhe ka kontribuar në zhvillimin ekonomik. Megjithatë, ka ende vend për përmirësime të mëtejshme duke përfituar nga këto risi. Transformimi digjital mund të ndihmojë Shqipërinë drejt reformave më të avancuara në sektorin publik, të përmirësojë ofrimin e shërbimeve publike, të forcojë kapitalin njerëzor dhe të nxisë një rritje më të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse.  

Financimi shtesë vjen si rezultat i progresi të projektit kryesor "Përmirësimi i Aksesit të Barabartë në Shërbimet Publike me Standarde të Larta përmes GovTech" (prej 65 milionë $), i cili synon të rrisë aksesin dhe cilësinë e shërbimeve publike. Aktualisht projekti po zbaton disa aktivitete, duke përfshirë ridizenjimin dhe përmirësimin e platformës E-Albania, platformë digjitale që ofron shërbime për qytetarët dhe bizneset, krijimin e qendrave të inovacionit për të rinjtë për përvetësimin e aftësive digjitale si dhe ngritjen e 200 SmartLabs në shkollat fillore që do të shërbejnë për të rritur njohuritë mbi numërimin, leximin dhe aftësitë dixhitale.

"Jemi krenarë që kemi mbështetur qeverinë në zgjerimin e këtij programi të rëndësishëm. Me modernizimin dhe digjitalizimin e shërbimeve edhe për qeverisjen vendore dhe me përmirësimin e sistemeve të menaxhimit financiar, ky program do të rrisë më tej transparencën dhe efikasitetin e shërbimeve publike, proceseve të prokurimit si dhe menaxhimin e buxhetit si në nivel qendror ashtu edhe atë vendor," tha Richard Record, Menaxheri në detyrë i Bankës Botërore për Shqipërinë.

Financimi shtesë i sapo miratuar do të zgjerojë aktivitetin e programit në tri fusha të rëndësishme:

 • Rimodelimi dhe digjitalizimi i shërbimeve të qeverisjes vendore: Kjo do të sigurojë efikasitet në aksesin ndaj një game të gjerë shërbimesh administrative bashkiake, duke sjellë përfitime për qytetarët dhe bizneset.

Zhvillimi i një platforme të re digjitale për prokurimin publik: Duke integruar inovacionin e bazuar në inteligjencën artificiale, kjo platformë do të rrisë transparencën, efikasitetin dhe llogaridhënien në proceset e prokurimit publik, duke sjellë kursim dhe efikasitet në kontraktimet që bëjnë institucionet qeveritare.

Zbatimi i një sistemi të ri për menaxhimin e financave publike: Përmes hartimit dhe zbatimit të një sistemi të ri digjital për menaxhimin e financave publike, programi do të ndihmojë qeverinë qendrore dhe vendore të menaxhojnë më shpejt dhe më saktë buxhetin për investime publike për popullsinë lokale.

"Financimi shtesë pritet të sjellë ndikim të qenësishëm në jetën e qytetarëve. Parashikojmë një rritje prej të paktën 25% të përpunimit të aplikimeve online për shërbimet publike që do të sjellë përmirësimin e aksesit në shërbime, përfshirë grupet e cënueshme, si personat me aftësi ndryshe," tha Simon Carl O’Meally, Drejtuesi i Ekipit të Projektit.

Ky projekt është në përputhje me angazhimin e Bankës Botërore për të përmirësuar ofrimin e shërbimeve publike nga një administratë më moderne dhe e orientuar nga qytetarët, për të forcuar kapitalin njerëzor dhe për të nxitur një rritje më të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse në Shqipëri.  

DEKLARATA PËR SHTYP NR: 2025/ECA/083

Kontakt

Tiranë
Ana Gjokutaj
Vjenë
Filip Kochan

Blogje

    loader image

ÇFARË ËSHTË E RE

    loader image