TIRANË, 14 shtator 2021 – “Digital Jobs Albania” është një nismë e re e Bankës Botërore që synon të ndihmojë gratë në Shqipëri të zgjerojnë aksesin ndaj mundësive për punësimi online dhe të vendosin lidhje me ekonominë globale. Nisma do të ofrojë një kurs trajnimi intensiv 3-mujor për aftësitë digjitale për vajzat dhe gratë e moshës 16-35 vjeç, duke i pajisur ato me njohuritë e duhura që u mundëson akses në punësimin online si profesioniste të lira për dizajn grafik, krijim faqesh në internet dhe marketing digjital.
Zhvillimi i tregjeve të punës online për profesione të lira po ofron mundësi të reja për shqiptarët që të lidhen me ekonominë globale. Faqet e internetit si Upwork, Fiverr dhe People Per Hour u japin mundësi shqiptarëve që zotërojnë aftësitë e duhura, të punojnë online për projekte të porositura nga kompani dhe individë kudo në botë, pra qenë nevoja të lëvizin nga vendbanimi i tyre.
Veçanërisht gratë pritet që të përfitojnë nga këto mundësi të reja punësimi. Shkalla e pjesëmarrjes në forcën e punës së grave në Shqipëri është ende 14.6 pikë përqindje më e ulët se sa ajo e burrave. Sipas të dhënave të vitit 2020 të Institutit Kombëtar të Statistikave të Shqipërisë (INSTAT), hendeku gjinor i pagave mbetet 6.6 përqind. Zhvillimi i modelit të punës së pavarur në internet mund të luajë një rol të rëndësishëm në ngushtimin e këtyre hendeqeve. Oraret fleksibël të punës dhe aftësia për të punuar nga shtëpia mund të ndihmojnë më shumë gra e vajza me aftësitë e duhura të qëndrojnë në tregun e punës dhe të fitojnë pavarësi financiare.
Nisma Digital Jobs Albania, e zbatuar në partneritet me Qeverinë e Shqipërisë, Coderstrust (një kompani ndërkombëtare që ofron trajnim mbi aftësitë digjitale) dhe EuroPartners Development (një kompani konsulente vendase), do të ofrojë një program trajnimi online për të pajisur pjesëmarrësit e përzgjedhur me aftësi teknike të kërkuara nga tregu i punës. Nisma gjithashtu do të sigurojë mentorim për pjesëmarrësit dhe do t'i ndihmojë ata të zhvillojnë aftësitë e duhura për të konkurruar me sukses për projekte pune në faqet e internetit të profesioneve të lira.
"Kjo nismë ofron një mundësi shumv të mirë për gratë shqiptare për të përfituar njohuri digjitale dhe për t'u bërë pjesë e ekonomisë online - një model për të nxitur projekte të ardhshme në këtë fushë," thotë Emanuel Salinas, Menaxher i Bankës Botërore për Shqipërinë. "Askush nuk duhet të mbetet mbrapa në transformimin e vazhdueshëm digjital."
Nisma është pjesë e angazhimit më të gjerë të Bankës Botërore në Shqipëri për të ndihmuar vendin të shfrytëzojë mundësitë ekonomike që lidhen me tregtinë digjitale të mallrave dhe shërbimeve.
“Shqipëria e ka njohur rëndësinë e tregjeve digjitale si një mundësi për zhvillimin ekonomik të vendit. Ne kemi mobilizuar një ekip përfaqësues nga Banka Botërore për të mbështur këtë përpjekje përmes kësaj nisme të re dhe të tjerave në të ardhmen,” u shpreh Christoph Ungerer, drejtues i ekipit të Bankës Botërore për Projektin e Tregtisë Digjitale në Shqipëri.
Për të mësuar më shumë rreth nismës Digital Jobs Albania dhe si mund të merrni pjesë në të, lutemi të vizitoni faqen: https://www.digitaljobsalbania.com/