UASHINGTON, 23 shtator 2020—Progresi kundër korrupsionit mund të arrihet edhe në kushtet sfiduese e të vështira, konstaton një raport i ri i Bankës Botërore. Në një kohë kur në përgjigje të pandemisë së COVID-19, po mobilizohen nivele fondesh të jashtëzakonshme, ky raport ofron një vështrim të ri mbi disa prej qasjeve dhe instrumenteve më efektive për forcimin e llogaridhënies shtetërore.
Raporti i titulluar “Rritja e efektivitetit dhe transparencës së qeverisjes: lufta kundër korrupsionit” përqendrohet në mënyrat se si mund të rritet efektiviteti i strategjive antikorrupsion në sektorët më të prekur. Ai shërben edhe si një udhëzues mbështetës për politikëbërësit dhe drejtuesit e luftës kundër korrupsionit, në një kohë kur nevojitet punë e mëtejshme për ta përmirësuar përdorimin e instrumenteve tradicionale.
“Pandemia e COVID-19 ka sjellë shpenzime të mëdha dhe të shpejta nga ana e qeverive për rigjallërimin e ekonomisë dhe për mbrojtjen e grupeve të varfra dhe të cenueshme, që i vuajnë edhe më shumë pasojat, Ndërsa vendet i kanë hyrë rrugës për një rimëkëmbjeje më të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, përdorimi më i kujdesshëm e transparent i burimeve të kufizuara ka rëndësi kritike” – tha Mari Pangestu, Administratore e Bankës Botërore. – “Progresi mund të arrihet në çdo mjedis dhe ne jemi të angazhuar për të punuar nga afër me partnerët tanë në qeveri, në shoqërinë civile dhe në sektorin privat për t’i dhënë zgjidhje korrupsionit dhe pasojave të tij gërryese.”
Pandemia e COVID-19 ka sjellë një nivel të lartë shpenzimesh të një natyre të jashtëzakonshme nga ana e qeverive, ndonjëherë pa qenë objekt i kontrolleve normale. Shpejtësia është e kuptueshme, por pa masat e duhura të kontrollit, kjo i ekspozon qeveritë ndaj një larmie rreziqesh nga korrupsioni, të cilat mund ta cenojnë efektivitetin e përgjigjeve të tyre. Për të nxitur një llogaridhënie më të madhe, raporti u bën thirrje qeverive të shpjegojnë qartë veprimet e tyre, të zbatojnë rregullat, të trajtojnë shkeljet dhe të korrigjojnë problemet sa më shpejt dhe me transparencë.
Raporti mbulon pesë fusha tematike: prokurimet publike, infrastruktura, ndërmarrjet shtetërore, administrata doganore dhe realizimi i shërbimeve, si edhe tema ndërsektoriale, të tilla si nismat e qeverisjes së hapur dhe GovTech, me raste studimore të përdorura si shembuj nga mbarë bota.
Rastet studimore të raportit tregojnë se masat që synojnë të kufizojnë korrupsionin janë shpesh oportuniste, duke u përqendruar në fusha të veçanta cenueshmërie kudo dhe kurdo që këtë e lejon hapësira politike. Por edhe atëherë kur masat kanë në dukje efekt të kufizuar, ato gjithsesi mund të sigurojnë themelin për progresin në të ardhmen.
- Në Bangladesh, vënia në zbatim e prokurimit të qeverisjes elektronike, së bashku me rritjen e transparencës dhe pjesëmarrjen e qytetarëve, e kanë përgjysmuar numrin e tenderëve me një tenderues të vetëm, çka e ka rritur ndjeshëm konkurrencën; e kanë rritur numrin e kontratave të fituara nga firma jo vendase; dhe kanë sjellë çmime të negociuara më mirë me tenderuesit fitues.
- Kolumbia e ka përditësuar sistemin e prokurimit elektronik, në mënyrë që të dhënat të publikohen në mënyrë të hapur, sipas standardeve ndërkombëtare. Si rezultat, tenderët me një tenderues të vetëm në agjencinë publike të rrugëve, INVIAS, kanë rënë në numër nga 30% në 22%, ndërsa në qytete të ndryshme si Kalia proceset me konkurrim janë rritur nga 31% në 56% brenda rreth dy viteve.
- Në Ukrainë, vendosja në internet e formularëve të deklarimit të pasurisë të plotësuara nga zyrtarët publikë është vlerësuar nga qytetarët dhe nga bashkësia ndërkombëtare si një instrument kyç në luftën kundër korrupsionit. Sipas të dhënave më të fundit, afro 5,3 milionë dokumente në sistemin e deklarimit elektronik mund të konsultohen nga publiku. Deri në mes të vitit 2020, Gjykata e Lartë Kundër Korrupsionit në Ukrainë kishte në shqyrtim 19 çështje gjyqësore kundër zyrtarëve të akuzuar për deklarim të të dhënave të rreme gjatë deklarimit të pasurive apo për mosbërje me dashje të deklarimit.
- Afganistani ka vënë në zbatim një sistem zhdoganimi elektronik në mbarë vendin. Megjithëse ka cenueshmëri të konsiderueshme dhe vazhdojnë të jenë problem humbjet në të ardhura fiskale në kufij, të ardhurat e mbledhura nga doganat janë shtatëfishuar nga viti 2004 në vitin 2019 dhe koha që merr zhdoganimi dhe transparenca e veprimeve tregtare janë përmirësuar ndjeshëm.
- Programi i reformës së tokës në Ruandë ka ndihmuar në administrimin e konflikteve të lidhura me tokën dhe ka çuar në rritje të efikasitetit, transparencës, pjesëmarrjes së qytetarëve dhe zhvillimit të institucioneve efikase të qeverisjes së tokës. Automatizimi i kartelave të tokës ka sjellë pakësim të mitave për nëpunësit e zyrës së regjistrimit të tokës, duke qenë se informacioni është bërë publik.
Ky raport do t’i pajisë zyrtarët e sektorit publik dhe shoqërinë civile me një paketë modulare qasjesh dhe instrumentesh, të cilat mund t’i përdorin dhe t’i përshtatin sipas kushteve të veçanta të vendeve të tyre. “Institucionet janë tejet të rëndësishme për vënien në zbatim të politikave shtetërore, për dialogun me shoqërinë civile dhe për të siguruar më shumë transparencë në operacionet shtetërore,” tha Ed Olowo-Okere, Drejtor Global për Qeverisjen pranë Bankës Botërore. – “Ky raport botëror evidenton rëndësinë që ka plotësimi i metodave tradicionale të luftës kundër korrupsionit me metoda të përparuara si GovTech dhe prokurimi elektronik, për t’i dhënë zgjidhje korrupsionit edhe në kushtet më të vështira dhe më të brishta.”
Grupi i Bankës Botërore, një prej burimeve më të mëdha të financimit dhe dijeve për vendet në zhvillim, po ndërmerr masa të gjerësishme e të shpejta për t’i ndihmuar vendet në zhvillim ta fuqizojnë kundërpërgjigjen e tyre ndaj pandemisë. Mbështetim ndërhyrje në fushën e shëndetit publik, punojmë për të siguruar qarkullimin e materialeve dhe pajisjeve jetike dhe ndihmojmë sektorin privat për të vijuar ushtrimin e aktivitetit dhe për të ruajtur vendet e punës. Do të mobilizojmë deri në 160 miliardë $ gjatë 15 muajve në vijim, për të ndihmuar më shumë se 100 vende të mbrojnë shtresat e varfra dhe të cenueshme, të mbështetin bizneset dhe të intensifikojnë rimëkëmbjen ekonomike. Këtu përfshihen edhe 50 miliardë $ burime të reja të Shoqatës Ndërkombëtare për Zhvillim në formë grantesh dhe huash me kushte tejet të buta.