Skip to Main Navigation
OPINION2 dhjetor 2024

Intervistë e Emanuel Salinas, Menaxheri në Largim i Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri

Kjo intervistë u transmetua së pari në shqip në televizionin A2CNN në 27 Nëntor 2024.

A2CNN: Z. Salinas, cilat janë përjetimet tuaja në prag të largimit nga Shqipëria?

Emanuel Salinas: I trishtuar me doemos. Shqipëria ka qenë shtëpia ime këto tri vite e gjysmë. Është vend që më ka mikpritur me ngrohtësi, dhe ku familja ime është pritur gjithmonë shumë mirë. Eshte nje vend që me lehtësi të bën të ndihesh si në shtëpinë tënde. Po largohem më herët nga ç’prisja, por kjo është natyra e punës sone. Ndjej se një pjesë timen po e lë pas, që do të thotë se do të kthehem përsëri shpejt.

A2CNN: Cilat do të konsideroni si arritje, suksese që Banka Botërore ka arritur gjatë qëndrimit tuaj prej mëse 3 vjetësh në Shqipëri? Po në planin personal?

Emanuel Salinas: Si institucion, kur shohim se ku jemi aktualisht, krahasuar me tri vite e gjysmë përpara, besoj dhe kam perceptimin se kemi arritur të përmbushim gjithçka kemi premtuar, qofshin këto spitale apo rrugë të reja, fillimi i rindërtimit të urave në rrezik, puna me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit për rehabilitimin e ndotjes në Vjosë. Pra, shumë punë është bërë gjatë kesaj periudhe, nga këndvështrimi im dhe i gjithë ekipit tonë, sepse të gjitha këto janë bërë falë punës sonë dhe të bashkëpunëtorëve tanë në ministritë e ndryshme. Besojmë dhe mund të themi që kemi bërë çka kishim premtuar. Në disa raste kemi punuar më shpejt dhe në disa raste më ngadalë nga sa shpresonim, por besoj se në përgjithësi mund të themi se kemi dhënë kontributin tonë.

Në këndvështrimin personal, dy janë elementet që për mua janë themelorë. I pari është perceptimi ose ndjenja që si institucion gëzojmë besim. Para disa muajsh Kryeministri tha që e shihte Bankën Botërore si institucion që ka zemër, dhe unë këtë e konsideroj si vlerësimin më të mirë për Bankën si institucion. Për mua, fakti që Banka shihet si institucion me zemër do të thotë se konsiderohemi si institucion i denjë, dhe që mundohemi të arrijmë ndershmerisht më të mirën me instrumentet në dispozicion në përfitim të Shqipërisë. Nuk mund të zgjidhim çdo problem, por besoj se Banka shihet si aktor që me sinqeritet mundohet të sjellë ndryshim pozitiv në Shqipëri. Gjithashtu personalisht ndjehem i besuar si individ, dhe kjo për mua thote shumë, sepse është pasqyrim i mënyrës si të shohin të tjerët, nëse ata mendojnë se po punon për interesin tend apo të popullit shqiptar. Dhe kur je i besuar, ndikimi që mund të kesh kur ndihmon politikëbërësit dhe autoritetet të trajtojnë vështirësitë dhe të gjejnë zgjidhjet, është shumë më i madh dhe i rëndësishëm se sa thjesht ofrimi i fondeve.

A2CNN: Si ka ndryshuar Shqipëria gjatë kësaj periudhe, po ekonomia e saj?

Emanuel Salinas: Besoj se Shqipëria ndryshon me ditë. Çdo ditë shoh diçka të re, dinamizmi i ekonomisë shqiptare shihet dhe ndjehet kudo, dhe kjo është mbresëlënëse. Megjithëse Shqipëria duket pak a shumë e ngjashme me vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor ku bën pjesë, realisht trajektorja e Shqipërisë është tërësisht e ndryshme. Nëse do kishim një foto te momentit tani, të gjitha vendeve të rajonit pak a shumë ngjasojnë, por Shqipëria vjen nga pozicion tërësisht i ndryshëm krahasuar me 20 apo 30 vite me pare. Kështu, trajektorja është shumë më e shpejtë dhe besoj se kjo pasqyron shumë elementë. Pasqyron potencialin e Shqipërisë, talentin e popullit shqiptar, pozitën e mirë gjeografike që sjell shumë përfitime, por gjithashtu pasqyron politikat e mira dhe institucionet e forta. Jam i ndergjegjshem që procesi i forcimit të politikave dhe institucioneve nuk ka përfunduar ende, por vërej se trajektorja është shumë pozitive. Për mendimin tim synimi drejt integrimit evropian është synimi më i mirë që vendi mund të ketë. Besoj se Shqipëria do të jetë anëtare e bashkësisë evropiane shumë shpejt dhe se kjo trajektore është e mirëpërcaktuar.

A2CNN: Cilat kanë qenë disa nga sfidat gjatë punës dhe bashkëpunimit tuaj në Shqipëri me aktorët kryesore të vendit?

Emanuel Salinas: Kur sheh Bankën Botërore dhe bashkëpunëtorët e saj në vend ke të bësh me dy burokraci dhe me burokraci që ndërveprojnë me njëra-tjetrën. Ka gjithmonë vështirësi lidhur me shpejtësinë me të cilën veprojmë, apo sa shpejt mund të kalojmë nga rënia dakord, tek marrëveshja formale dhe deri tek rezultatet në terren. Por nuk besoj se këto vështirësi, na kanë penguar të arrijmë qëllimet tona. Përkundërazi, do thoja se në vend të përballjes me vështirësi gjatë punës me bashkëpunëtorët në Shqipëri, besoj se ata na kanë sfiduar si institucion. U sfiduam qe të punojmë më shpejt, të bëjmë më shumë me më pak, dhe në disa raste u sfiduam të komunikonim më shkurt dhe shpejt. Për shembull, shpesh dëgjoj nga ministra dhe zyrtarë të tjerë qeveritarë “ja, prapë Banka Botërore me këto raportet e gjata”, dhe e kuptoj mirë që njerëzit nuk kanë kohë të lexojnë raporte të gjata, dhe se ambicja është të kuptohen shpejt cilat janë mesazhet kyçe të raportit që mund të përkthehen në diçka të prekshme për Shqipërinë. Besoj se kjo është sfidë e mirë, sepse nuk besoj se ka njeri kohë të lexojë gjatë dhe të mendojë teorikisht. Pra u sfiduam të veprojmë më shpejtë dhe kjo është sfidë pozitive.

A2CNN: Si ka ndryshuar mendimi juaj për Shqipërinë, shoqërinë, krahasuar me atë që kishit para se të vinit?

Emanuel Salinas: Kur erdha në Shqipëri nuk kisha krijuar ide paraprakisht. E di që çdo vend është i veçantë. Përpara se të vija ketu, punoja në Bosnje dhe Hercegovinë dhe e shihja Shqipërinë si pjesë të Ballkanit Perëndimor. Por, nuk kisha njohuri të mjaftueshme për popullin, për vendin dhe për historinë për të krijuar perceptim, dhe faktikisht më vjen mirë që nuk e kisha një të tillë. Sepse kjo do të thotë që vjen mendjehapur dhe përjeton vendin dhe shoqërinë pas asnjë paragjykim. Po largohem nga Shqipëria me respekt të jashtëzakonshëm për popullin shqiptar, sepse për mua Shqipëra është vend që ka ndryshuar rrënjësisht brenda shumë pak kohe dhe është vend ku ndihet dinamizmi për ecur para, dhe të gjitha këto meritojnë shumë respekt. Transformimi i vendit është mbresëlënës dhe besoj se pritshmëritë e popullit për të ardhmen janë të dukshme dhe se njerëzit kërkojnë më shumë, çka është me shumë e drejte. Situata nuk është domosdoshmërisht e ngjashme në vende të tjera në rajon dhe gjetkë.

Në nivel më personal, mendoj se si latino-amerikan kemi elemente të përbashkëta lidhur me botëkuptimin e vlerave si miqësia, familja, nderi, tradita, etj. Këto vlera janë shumë të vlefshme dhe e di që në të shumtën e herëve ato mbështesin ndërveprimin njerëzor edhe kur institucionet nuk janë mjaftueshëm të fuqishme. Kam parë si këto vlera kanë shtyrë përpara Shqipërinë dhe janë vlera që duhen ruajtur. Besoj që edhe pas 20 apo 30 vitesh ato të vijojnë në jenë në qendër të ndërveprimit ndërmjet vetë shqiptarëve, por edhe me vendet e tjera.

A2CNN: Si e shihni rolin e Bankës Botërore në zhvillimet e vendit dhe a mendoni që Shqipëria do të ketë nevojë edhe për shumë vjet të tjera të përfitojë nga financimet e bankës?

Emanuel Salinas: Ne në Bankë deshirojme ta konsiderojmë institucionin si Bankë dijeje. E dimë që ka shumë burime financimi dhe ndërsa Shqipëria zhvillohet si ekonomi, do të ketë qasje edhe në burime tregtare financimi, mundësi mobilizimi të fondeve nga sektori privat, dhe të gjitha këto janë pjesë e trajektores së zhvillimit të vendit. Në këtë kontekst, rolin e Bankës e shoh më shumë si ofrues dijeje dhe këshillimi. Besoj se tashmë kemi filluar hapat e para në këtë kuadër, dhe prandaj më parë përmenda rëndësinë e besimit, sepse besimi nuk mund të blihet me financim. Besimi krijohet me kalimin e kohës dhe gjatë ndërveprimit, dhe vetëm kur kombinon besimin me dijen dhe këshillimin mund të arrish ndikim të konsiderueshëm, si institucioni që aspirojme të jemi. Me kalimin e kohës presim që vëllimi i financimit të ulet, ndërsa vëllimi i krijimit dhe ndarjes së dijes të marrë më shumë rëndësi. Këtë kemi nisur ta shohim tashmë në ndërveprimet me autoritetet ku dija që mund të ofrojme është shumë më e rëndësishme se financimi. Këtë e shoh si trajektore normale dhe e konsideroj si rol të përshtatshëm për institucionin tonë.

A2CNN: Cilat mendoni se janë disa prioritete imediate për Shqipërinë dhe çfarë sfidash do i duhet të përballojë?

Emanuel Salinas: Për mua, përparësia më e rëndësishme është kapitali njerëzor. Siç përmenda më parë, besoj se Shqipëria përfiton nga disa faktorë si pozita gjeografike, burimet natyrore, etj., por janë njerëzit ata që e çojnë përpara veçantinë e Shqipërisë dhe potencialin e saj ekonomik. Kur flasim për kapitalin njerëzor besoj se të gjithë shqetësohemi për migracionin dhe e dimë që është shqetësim madhor për vendin, por kur konsiderojmë kapitalin njerëzor duhet të shohim dy dimensione. Njëri ka të bëjë me stokun dhe tjetri me fluksin e kapitalit njerëzor. Stoku është çka mund të arrijmë më të mirën me njerëzit që aktualisht jane në Shqipëri, që të jenë prodhimtarë, të punësuar dhe burim i rritjes për vendin. Kjo do të thotë afrimi i rinisë në tregun e punës ose në arsim, krijimi i mundësive për gratë që të jenë ekonomikisht aktive. Dhe nëse dëshirojnë, të sigurohemi që ata që kthehen nga BE-ja apo vende të tjera të integrohen sa më shpejtë në fuqinë punëtore. Fluksi është investimi për të ardhmen dhe investimi në arsim, investim për të cilin asnjë vend nuk do të pendohet kurrë. Eshte zgjedhja më e rëndësishme që bën çdo vend sa i përket akordimit të burimeve dhe financave. Besojmë se në këto kohë kur e ardhmja duket disi e pasigurt dhe nuk e dimë çdo të ndodhë me inteligjencën artificiale dhe ndryshimet teknologjike, investimi më i mirë që mund të bëjmë është pajisja e fëmijëve dhe të rinjve me dijen dhe aftësitë që mund t’i ndihmojnë të përshtaten me çka i pret në të ardhmen.

A2CNN: 8. A do të ktheheni sërish në Shqipëri, këtë herë si turist?

Emanuel Salinas: Patjetër. Faktikisht im bir do të qëndrojë këtu. Ai është 21 vjeç dhe kur erdhi me mua këtu para disa vitesh, më tha që kur të largohesh unë do të qëndroj ketu. Kështu që ai do të jetë këtu, dhe unë mezi pres të kem familje shqiptare, kur im bir të jetë vendosur përfundimisht dhe të jetë rregulluar këtu. Për mua kjo është e rëndësishme, sepse më heq një pjesë të trishtimit që do të ndjeja në të kundërt. Pra, megjithëse po largohem, e di që do të kthehem, dhe do të vij shpesh. Ndjehem shumë mirë që nuk po largohem nga Shqipëria përfundimisht, por që thjesht po kaloj nga një mënyrë të qenuri këtu në një mënyrë tjetër.

A2CCN:  Z. Salinas, ju faleminderit për këtë intervistë dhe për bashkëpunimin që kemi pasur në këto vite. Ju uroj shumë suksese në punën tuaj!

Emanuel Salinas: Faleminderit! 

Blogje

    loader image

ÇFARË ËSHTË E RE

    loader image