Kosova Sot: Cfarë ndodhë në rast se nuk miratohet buxheti këtë vit?
Jan-Peter Olters: Ka dispozita emergjente në legjislacionin e Kosovës që u japin autoriteteve pak kohë shtesë për të financuar shpenzimet rrjedhëse - por jo ato kapitale - në funksion të buxhetit të vitit të kaluar. Por edhe kjo përmban një numër pasojash dhe rreziqesh. Së pari, detyrimi për të shtyrë investimet publike deri në miratimin e buxhetit të ri nga një Parlament që ka arritur të konstituohet, sjell uljen e normave të përgjithshme të rritjes në ekonomi - përtej shumave të pashpenzuara nga Qeveria. Vetëm pasiguria e krijuar ndikon që edhe sektori privat t’i shtyjë vendimet e tij mbi shpenzimet e mëdha. Së dyti, pa rishikimin buxhetor 6-mujor të buxhetit rrjedhës, aftësia për të akomoduar rritjen e pagave brenda kufizimeve ekzistuese rrezikon aftësinë e qeverisë për të paguar (të gjitha) pagat e sektorit publik në fund të vitit dhe për të korrigjuar ndonjë vonesë në pagesa në fillim të vitit 2015 . Nëse buxheti emergjent për janar lejon vetëm një të dymbëdhjetën e buxhetit të vitit të kaluar për paga, qeveria do të përballet me vështirësi të madhe për të paguar të gjitha pagat e janarit dhe shlyerjen e të gjitha pagave të papaguara të dhjetorit. Kjo do të çojë në një grumbullim të vonesave në pagesa, me një rrezik të konsiderueshëm, që con edhe në ngulfatjen e aktivitetit të sektorit privat. Edhe mundësia e kompanive stabile dhe fitimprurëse për kryerje të obligimeve të pagesave do të preket, duke rezultuar kështu në vonesë në pagesa në të gjithë ekonominë. Dhe së treti, në qoftë se kriza politiko-kushtetuese shkon përtej periudhës emergjente të përcaktuar në ligje, rreziku përfundimtar konsiston në paaftësinë e qeverisë për të autorizuar çfarëdo shpenzimi, me rreziqe të pakalkulueshme për ekonominë dhe për potencialin e zhvillimit socio-ekonomik të vendit.
KS: A mund të ndodhë qe buxheti i vitet te ardhshem të sjellë vendin para falimentimit?
Olters: Pamundësia e parlamentit për të votuar dhe miratuar buxhetin e vitit 2015 mund të provokojë një krizë shumë serioze, duke pasur parasysh afatet kohore që ligjet e Kosovës përcaktojnë për periudhën emergjente buxhetore. Përtej kësaj faze fillestare, siç u theksua më parë, është e paqartë se në çfarë baze Qeveria mund të autorizojë pagesa, dhe kjo, natyrisht, përmban rrezikun e një krize fiskale të përmasave vështirë të menaxhueshme.
KS: Cila është mundësia që të dilet nga kriza buxhetore?
Olters: Parlamenti do të duhet të gjejë një mënyrë për të miratuar në kohë një buxhet për vitin 2015. Asnjë grupim politik, me ndonjë shpresë për të qenë në gjendje ta formojë qeverinë e ardhshme të Kosovës, nuk mund të përballojë që vendi të bjerë në greminë fiskale. Përtej zgjidhjes gjithëpërfshirëse politiko-kushtetuese, që përbën një sfidë të veçantë, deputetët e Parlamentit do të duhet të hartojnë njëkohësisht - nëse formimi i institucioneve vazhdon edhe në 2015 - një procedure të dakorduar që lejon marrëveshjen për dhe miratimin e një buxheti "konsensual".