Skip to Main Navigation
Emanuel Salinas

Emanuel Salinas

Menaxher i Bankës Botërore

Emanuel Salinas është Menaxheri i Bankës Botërore për Shqipërinë. Përpara se të merrte këtë detyrë ai ishte Menaxher për Bosnje-Herzegovinën dhe Malin e Zi.

Më herët, z. Salinas ka mbikëqyrur ekipet dhe programet e Bankës Botërore në fushën e makroekonomisë dhe menaxhimit fiskal, zhvillimit të sektorit financiar, qeverisjes, uljes së varfërisë, tregtisë dhe konkurrueshmërisë në Sri Lanka dhe Maldive. Para kësaj detyre, z. Salinas ka udhëhequr portofolin e Bankës Botërore me projekte për zhvillimin e sektorit financiar dhe atij privat për Azinë Qendrore, me qendër në Kazakistan.

Z. Salinas iu bashkua Bankës Botërore në 2005 si profesionist i ri, për të drejtuar më pas në cilësinë e ekonomistit në sektorin financiar të projekteve për aksesin në financë, stabilitetin financiar, klimën e investimeve, përfshirjen financiare, sipërmarrjen, tregtinë, inovacionin dhe reformave për mjedisin e biznesit në më shumë se 15 vende në Amerikën Latine, Europën Lindore dhe Azinë Qendrore. Më pas punoi për investimet në Agjencinë Shumëpalëshe të Garancisë për Investime (MIGA), pjesë e grupit të Bankës Botërore.

Para se t’i bashkohej Bankës Botërore, z. Salinas kishte një eksperiencë mbi 10- vjeçare në sektorin privat. Ai ka punuar për Standard & Poor's, ku mbante detyrën e Shefit Europian të Mbikëqyrjes të Financave të Strukturuara, duke menaxhuar një portofol letrash me vlerë prej 150 miliardë dollarë. Më herët, ai ka qenë Drejtor i Asociuar i Shërbimit Këshillues për Menaxhimin e Riskut për Bankat në Skandinavi dhe Europën Jugore; Menaxher për Analizat Sasiore për Europën; dhe Analisti kryesor për disa institucione financiare në Amerikën Latine. Ai e nisi karrierën si një analist financiar për Shërbimet Financiare të Mercedez Benz dhe Procter & Gamble.

Z. Salinas ka një diplomë master në Menaxhim dhe Zhvillim Ekonomik nga Shkolla e Londrës për Ekonomiks dhe Shkenca Politike, një diplomë master në Financë dhe Bankë Ndërkombëtare dhe diplomë bachelor në Financë nga Instituti Autonom Teknologjik i Meksikës si dhe edukim ekzekutiv nga Shkolla Kenedi për Qeverisje në Universitetin e Harwardit dhe Instituti për Tregti Botërore në Universitetin e Bernës në Zvicër.




FUSHAT E EKSPERTIZËS
  • Sektori financiar
  • Zhvillimi i Sektorit Privat
Welcome