Sfida
Vetëm pak vite më parë, në vitin 2018, popullsia rurale e Kosovës nuk kishte qasje të barabartë në mundësitë sociale dhe ekonomike online. Shkollat dhe qendrat e largëta shëndetësore mbështeteshin në lidhje të dobëta në internet ose kishin mbetur të palidhura. Duke mos pasur mundësi për punë dhe studime online, rreth 200 fshatra pa lidhje me internetin, si Makreshi, Stanishori dhe Guska, po humbisnin familje të reja që shkonin të jetonin në qytete. Terreni malor dhe dendësia e ulët e popullsisë nënkuptonin se operatorët nuk ishin në gjendje të siguronin lidhje të mirë në baza komerciale. Për më tepër, besimi i ulët tek institucionet ishte pengesë që sektori privat dhe ai publik të punonin së bashku në mënyrë efektive për ta mbyllur këtë hendek. Në vitin 2019, Kosova ishte një nga dy vendet e fundit evropiane pa Rrjetin Kombëtar të Hulumtimit dhe Edukimit (RRKHE), një organizatë e specializuar e dedikuar për të mbështetur nevojat e komuniteteve të hulumtimit dhe edukimit brenda një vendi.
Qasja
Projekti për Ekonominë Digjitale të Kosovës (KODE), i cili filloi në vitin 2018, përmirësoi qasjen në shërbime brezgjerë me cilësi më të mirë dhe me shpejtësi të -lartë në zonat e projektit, duke hapur burime online të njohurive, shërbime dhe tregje pune për qytetarët, si dhe institucionet publike dhe akademike.
Duke u mbështetur në vitet e bashkëpunimit me Kosovën, Banka Botërore i përdori njohuritë dhe financimin e saj për të mbështetur reformat transformuese sektoriale. Kjo përfshinte mundësimin e përdorimit të infrastrukturës me fibra të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Kosovës (KOSTT), dhe mbështetjen e dizajnimit të pilotëve inovativë të sistemit brezgjerë, të cilët favorizuan konkurrencën e hapur, duke siguruar përzgjedhjen e operatorëve të internetit që ofrojnë çmimin më të ulët dhe kërkojnë financim më të ulët që përputhet me fondet e qeverisë. Banka Botërore përdori gjithashtu fuqinë e saj të mbledhjes për të ndërtuar besimin mes palëve publike dhe private.