Hidrocentralet në Shqipëri sigurojnë rreth 80% të energjisë elektrike të vendit, prandaj mirëmbajtja dhe siguria e tyre është shumë e rëndësishme.
Ky është edhe qëllimi i Projektit të Sigurisë së Digave, të mbështetur me fondet e Bankës Botërore.
Fatos Bundo, Drejtori i Projektit, shpjegon se masat për rinovimin që kanë filluar tashmë në tre nga hidrocentralet më të mëdha në vend në kaskadën e lumit Drin, do të parandalojnë problemet serioze që mund të çfaqeshin në të ardhmen.
“Po të mos e kishim zbatuar këtë projekt, degradimi i përditshëm do të kish bërë të nevojshme marrjen e masave ekstreme, krejt e kundërta nga ajo që po bëjmë tani,” thotë ai nga Komani, hidrocentrali më i fuqishëm në veri të Shqipërisë.
Përmes Projektit për Sigurinë e Digave, Komani dhe dy hidrocentrale po përfitojnë furnizim me pajisje të reja elektro-mekanike, përfshirë sisteme të IT-së për kontrollin dhe monitorimin e tyre.