Skip to Main Navigation

Potenciali motivues i bregdetit jugor të Shqipërisë

27 qershor 2014



Shqipëria po rinovon infrastrukturën e saj bazë mjedisore dhe të komunitetit për të nxitur potencialin e vendit për turizëm në bregdetin me natyrë të pasur në jug të vendit. Rinovimet synojnë përmirësimin e kushteve të fshatrave turistikë, mbrojtjen e natyrës, trashëgimisë kulturore dhe traditave, si dhe tërheqjen e më shumë turistëve vendas dhe ndërkombëtarë në mënyrë më të qëndrueshme.

Lluka Nikollori ka punuar dhe jetuar larg, në kryeqyetin e vendit për vite me rradhë, ndërsa shtëpia e tij e fëmijësirë në bregdetin jugor të Iliasit shkatërrohej dalëngadalë.

Por tani ai është kthyer sërish, dhe në moshën 80-vjeçare, ka nisur një aventurë të re. 

Një grant i vogël e ndihmoi të mbulonte pjesën më të madhe të shpenzimeve për të bërë një çati dhe një fasadë të re mbi strukturën ekzistuese njëshekullore të shtëpisë së fëmijërisë së tij, duke përdorur elementë të arkitekturës tradicionale.

Po ashtu, me anë të një granti ai po mbulon shpenzimet e kthimit të shtëpisë në një bujtinë të vogël.

“Këtë gjë po e bëj për dy arsye. Së pari, për të ruajtur trashëgiminë e shtëpisë së fëmijërisë dhe së dyti për të përfituar ekonomikisht”, thotë Nikollori.

Granti i vogël që e ndihmoi Nikollarin të transformonte shtëpinë është pjesë e Programit për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Fshatrave Bregdetare të Shqipërisë, të mbështetur nga Banka Botërore dhe nga donatorë të tjerë ndërkombëtarë.

Programi shumëplanësh synon të zhvillojë dhe të promovojë turizmin në mënyrë të qëndrueshme përgjatë vijës bregdetare jugore të Shqipërisë, e cila ka potencial të madh turistik, nëpërmjet përmirësimit të infrastrukturës turistike dhe përmirësimit të traditave lokale të ndërtimit.


" Këtë gjë po e bëj për dy arsye. Së pari, për të ruajtur trashëgiminë e shtëpisë së fëmijërisë dhe së dyti për të përfituar ekonomikisht. "

Lluka Nikollori, 80

Ilias

Image


Banka Botërore /Jutta Benzenberg

Programi përdor qasje gjithpërfshirëse për zhvillimin e qëndrueshëm të zonave bregdetare.

Nikollari dhe banorë të tjerë të fshatit bregdetar kanë aplikuar për grante për rinovimin e çative, fasadave dhe të pjesëve të tjera të infrastrukturës bazë të ndërtesave të tyre në përputhje me komponentin e zhvillimit të komunitetit të projektit, me kusht që rinovimet të bëheshin në përputhje me traditën lokale arkitekturore dhe që përfituesit të kontribuonin në koston e rehabilitimit.

“Mua më duhej një çati e re dhe po të mos kishte qenë për programin do të kisha përfunduar duke paguar shumë më tepër dhe me një çati në cilësi më të ulët. Pagova më pak dhe përfitova një çati më të mirë,” thotë Kristofor Gjomemo, një tjetër banor nga Iliasi.

Gjomemo dhe e shoqja kanë marrë një grant që mbuloi 70 përqind të shpenzimeve për çatinë e tyre, të bërë nga të njëjtat tjegulla të përdorura në fshatin bregdetar për breza të tërë. 

Elpiniqi Gjikondi përfitoi një grant të ngjashëm për të bërë çatinë e saj nëpërmjet të njëjtit program në fshatin bregdetar të Qeparosë.

“Më pëlqen që duket si çati e vjetër, me të njëjtët oxhakë si më pare. Më pëlqen”, shton ajo. 


" Kur njerëzit panë që po ndërtohej ujësjellësi i ri pati shumë kërkesa për t’u kthyer në fshatin e vjetër. "

Stefan Kokedhima

Qeparo

Image
Banka Botërore/Jutta Benzenberg

Shumë fshatra në tri bashki bregdetare shqiptare kanë përfituar nga programi i zhvillimit, i cili përveç rinovimit të shtëpive po përmirëson po ashtu dhe infrastrukturat e fshatrave me sistemet e furnizimit me ujë, rrugë të reja dhe sheshe të asfaltuara. 

Këto ndryshime infrastrukturore po i bëjnë ish-banorët e këtyre zonave të kthehen, thonë zyrtarët e fshatit, të tillë si drejtuesi i fshatit të Qeparosë, Stefan Kokëdhima.

“Kur njerëzit panë që po ndërtohej ujësjellësi i ri pati shumë kërkesa për t’u kthyer në fshatin e vjetër”, thotë ai.

Pas shumë vitesh punë nëpër hotele në vende të tjera, Nestur Vjero është kthyer përfundimisht në fshatin e tij bregdetar të Vunoit, ku programi i zhvillimit i dha dy grante për të rinovuar shtëpinë e paraardhësve të tij. Me paratë e marra nga grantet ai e ktheu shtëpinë në një hotel të vogël.

“Njerëzit që kanë dhi, apo ku ta di unë, dele apo bagëti të tjera, mund t’i shesin produktet e tyre, dhe të gjitha këto fusha me ullinj mund t’i japin kaq shumë turizmit, si për shembull vaj, ose ullinj” thotë Vjero duke shtuar se shpreson që së shpejti të ndajë shtëpinë e tij dhe gjëra të tjera interesante të fshatit me turistët, paratë e të cilëve do t’u shërbejnë të gjithëve!


Image
Banka Botërore/Jutta Benzenberg


HARTA E PROJEKTIT



Welcome