Skip to Main Navigation

Vite të tëra informacioni tani vetëm pak sekonda larg pensionistëve shqiptarë

17 gusht 2013




Tani në Shqipëri informacione të rëndësishme gjenden vetëm pak sekonda larg atyre që kanë më shumë nevojë për to në kuadër të një  projekti të ri që po organizon dekada të tëra dokumentesh të shkruara për pensionet, sigurimet shoqërore dhe përfitime të tjera, të cilat janë me rëndësi për dhjetëra mijëra pensionistë të vendit.

“Pasi të pastrohen, t’u hiqet pluhuri dhe kapëset metalike, ato do të skanohen”, na shpjegoi Astrit Hado, zëvendës drejtori i Institutit shqiptar të Sigurimeve Shoqërore, i cili kontrollon projektin e mbështetur nga Banka Botërore. 

Ai fliste teksa kalonte sa nga njëra magazinë te tjetra të mbushura me mijëra regjistra dhe lista pagash, të shkruara me dorë dhe që datojnë nga viti 1947, kur filloi për herë të parë sistemi i sigurimeve shoqërore të ish regjimit komunist.

Shumë nga dokumentet janë dëmtuar nga koha gjatë viteve, shpjegoi ai, dhe disa prej tyre janë falsifikuar nga njerëz që janë përpjekur t’ia hedhin sistemit gjatë viteve kaotike të transformimit të vendit nga komunizmi në demokraci në fillim të viteve ‘90.


" Kompjuterizimi i procesit siguron që të gjithë përfituesit të kenë qaste në sistem në çdo kohë dhe të shohin se sa kontribute shoqërore kanë paguar dhe sa u mbeten ende për të paguar "

Vjollca Braho

Drejtoresha e Përgjithshme e Institutit të Sigurimeve Shoqërore

Tani, në kuadër të projektit të Ofrimit të Shërbimeve Shoqërore, Ministria e Punës së Shqipërisë po arkivon dokumente, po i kompjuterizon dhe po i hedh në internet, me qëllim që pensionistët dhe përfitues të tjerë të kenë mundësi t’i përdorin ato.

“Kompjuterizimi i procesit siguron që të gjithë përfituesit të kenë qaste në sistem në çdo kohë dhe të shohin se sa kontribute shoqërore kanë paguar dhe sa u mbeten ende për të paguar”, tha Drejtoresha e Përgjithshme e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Vjollca Braho. Sipas vlerësimit të saj, ka rreth 80 milion faqe për tu kaluar nëpër duar.

Në kuadër të projektit, është ndërtuar një arkivë krejtësisht e re për ruajtjen e të gjithë skedarëve që kanë të bëjnë me përfitimet afatgjata, duke përfshirë pensionet e pleqërisë,  pensionet familjare, dhe pensionet e paaftësisë. Arkiva do të mbajë edhe përfitimet afatshkurtra, si edhe skedarët e pensionistëve të vdekur.

Specialistë si Fatmir Çalamani tani po punojnë për t’i verifikuar këto dokumente, duke i parë faqe më faqe, në ndërtesën e arkivës së re në periferi të kryeqytetit Tirana.

“Konstatojmë herë pas here se mungojnë informacione për kohën e saktë se kur pensionistët kanë ndërprerë marrëdhëniet e punës, apo shohim se janë bërë ndryshime që në fakt nuk duhet të ishin bërë,” tha Fatmiri.

Pasi të jetë verifikuar, informacioni kalon tek teknikët e informatikës të cilët e skanojnë dhe i fusin të dhënat në serverin qendror tepër të madh të arkivës, që lidhet me zyrat kryesore të sigurimeve shoqërore të vendit. 


" Kompjuterizimi do të jetë një gjë shumë e mirë; nuk do të kemi më nevojë të shkojmë nga një zyrë në tjetrën. "

Ibrahim Belba

pensionist (68), Tirana

Dokumentet origjinale të shkruara me dorë ruhen në dhomat e arkivës së re me temperatura të kontrolluara dhe kundër zjarrit.

Sistemi i ri do të thotë se pensionistët – ose njerëz të tjerë që marrin përfitime nga shteti – tani mund të kenë qasje në informacionin rreth pensionit të tyre brenda pak çasteve në internet, në vend që të shkojnë deri në zyrat rajonale të vendit, apo të presin me orë në zyrat e shtetit për ta marrë atë, na tha specialisti i informatikës Soni Cucka.

“(Pensionistët) mund të shohin të gjitha të dhënat e tyre demografike, datat, por edhe sasinë e çdo përfitimi të siguruar dhe nëse ka ndonjë pagesë kontributi të papaguar nga muaji tjetër,” na tha Soni.

Rreth 550,000 pensionistë të shtetit priten të përfitojnë nga kjo mundësi për të parë informacionet në lidhje me përfitimet e tyre, sikurse edhe 20,000 individë të tjerë që marrin përfitime për arsye të tjera, duke përfshirë ish personelin ushtarak dhe njerëzit me nevoja të veçanta.

68-vjeçari Ibrahim Belba që ishte duke shkuar në postën e Tiranës ku merr pensionin e tij mujor, tha se sistemi i ri i informacionit në internet ishte diçka që ai mezi po priste ta përdorte.

“Kompjuterizimi do të jetë një gjë shumë e mirë; nuk do të kemi më nevojë të shkojmë nga një zyrë në tjetrën,” tha Belba, i zi doli në pension nga puna që bënte si mekanik tetë vjet më  parë. 

Ai tha se së shpejti do të mund të ndiqte ecurinë e parave të pensionit që mezi po i priste për të jetuar i qetë në rehatinë e shtëpisë.

MULTIMEDIA

550,000
pensionistë do të përfitojnë nga qasja e përmirësuar ndaj informacionit
Burim »


HARTA E PROJEKTIT



Welcome