Shkëlqesia Juaj Z. Kryeministër, Ministër Cani, Ministrja Harito, Përfaqësues të Ministrisë së Financave dhe Administratës Publike dhe të Inovacionit, Zonja dhe Zotërinj!
Jam me të vërtetë e gëzuar që jam sot me ju në ceremoninë e nënshkrimit të Projektit të Ofrimit të Shërbimeve për Qytetarët. Ky është një moment i veçantë që shënon kulmin e një procesi thellësisht angazhues dhe dinamik të përgatitjes së projektit. Ky aktivitet ka gjithashtu një domethënie të veçantë, pasi është projekti i parë i investimit që nënshkruhet pas miratimit të Kuadrit të Ri të Partneritetit për Shqipërinë nga Grupi i Bankës Botërore. Siç e dimë të gjithë, KPSH-ja e re parashikon një nivel financim indikativ të pahasur më parë, prej 1.2 miliardë dollarësh amerikanë për të mbështetur reformat me bazë të gjerë të ndërmarra nga Shqipëria. Ndërkohë që mbështet aspiratat e Shqipërisë për anëtarësim në BE, KPSH-ja përqendrohet në mbështetjen për reformat e Qeverisë për të rikthyer stabilitetin makroekonomik, për të përshpejtuar rritjen e sektorit privat dhe për të forcuar administrimin e sektorit publik dhe ofrimit të shërbimeve.
Ne i jemi mirënjohës Kryeministrit për drejtimin e tij dhe kujdesin personal për këtë projekt te rëndësishem që synon të transformojë ofrimin e shërbimeve publike duke vënë në pah përmirësimet në transparencë dhe qeverisje të shërbimeve. KPSH-ja e Grupit të Bankës Botërore është e harmonizuar me këtë, si edhe me përparësi të tjera reformash thelbësore të Qeverisë. Kuadri i ri i Partneritetit u bazua gjithashtu ne gjetjet e Analizës Sistematike të Bankës Botërore për Vendin që u ndërmor para hartimit te Kuadrit, e cila arriti në përfundimin se burimet kryesore historike të mungesës së efikasitetit në ofrimin e shërbimeve janë pasojë e qeverisjes së dobët dhe konfigurimit të copëzuar institucional, si dhe e përdorimit shumë të kufizuar të teknologjisë në administratën publike. Analiza gjithashtu vuri ne pah pabarazitë social-ekonomike dhe hapësinore të aksesit në shërbime që ndikojnë mbi nëngrupet e popullsise me te ardhura me te pakteta dhe në gjendje të cenueshme si: banorët e zonave rurale, gratë, dhe komunitetin Rom. Në kuadrin e kufizimeve fiskale ekzistuese, përmirësimet në cilësi dhe akses në shërbime duhet të vijnë si rrjedhojë e përmirësimit të efikasitetit te qeverisjes.