Skip to Main Navigation
NJOFTIME PËR SHTYP5 tetor 2023

Aktiviteti ekonomik në Evropë dhe Azi Qendrore përmirësohet, por rritja mbetet nën nivelet e para pandemisë

UASHINGTON, 5 tetor 2023Rritja ekonomike për tregjet në rritje dhe ekonomitë në zhvillim të rajonit të Evropës dhe Azisë Qendrore është rishikuar dhe ngritur në 2.4% për vitin 2023, në Përditësimin Ekonomik të Bankës Botërore për rajonin, të publikuar sot.

Ngritja e rritjes reflekton parashikime të përmirësuara për Ukrainën e goditur nga lufta dhe për Azinë Qendrore, si dhe kërkesën e qëndrueshme të konsumatorëve në Turqi dhe rritjen më të mirë seç pritej në Rusi për shkak të rritjes së shpenzimeve qeveritare për transferet ushtarake dhe sociale. Duke përjashtuar Rusinë dhe Ukrainën, prodhimi rajonal pritet të rritet për 3% në vitin 2023. Megjithatë, rritja mbetet e dobët në krahasim me mesataret afatgjata para pandemisë. Përgjithësisht, rritja në gjysmën e vendeve të Evropës dhe Azisë Qendrore pritet të jetë më e ngadaltë ose të mos ndryshojë në vitin 2023 krahasuar me vitin 2022.

Gjatë periudhës 2024-2025, rritja pritet të jetë 2.6% në vit, kushtëzuar nga zgjerimi i dobët në Bashkimin Evropian (BE), që është partneri më i madh tregtar i rajonit, inflacioni i lartë, kushte më të shtrënguara financiare dhe pasojat e pushtimit rus të Ukrainës. 

“Goditjet e mbivendosura nga pushtimi rus i Ukrainës, kriza e kostos së jetesës dhe risqet klimatike, po krijojnë sfida madhore në Evropë dhe Azi Qendrore,” tha Antonella Bassani, Zëvendës Presidente e Bankës Botërore për rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore. “Nga shtetet kërkohet një qasje e re për rigjallërimin e rritjes së produktivitetit, arritjen e rezultateve më të mira ekonomike dhe sociale, përmirësimin e aftësive përballuese, si dhe për t’i përshpejtuar përpjekjet për dekarbonizimin e ekonomisë.”

Megjithatë perspektiva për tregjet në rritje dhe ekonomitë në zhvillim në Evropë dhe Azi Qendrore kushtëzohet nga risqe. Inflacioni i lartë mund të vazhdojë në mes të luhatshmërisë së shtuar në tregjet globale të mallrave dhe rritjes së çmimeve të energjisë. Tregjet financiare globale mund të bëhen më të paqëndrueshme dhe kufizuese për shkak të shtrëngimit të kushteve të financimit. Rritja globale për periudhën 2020-2024 është më e dobët se në çdo periudhë pesëvjeçare që nga viti 1990 dhe mund të dobësohet edhe më tej.

“Deficitet fiskale janë gjerësisht të pandryshuara këtë vit pavarësisht planeve të mëparshme të qeverive për të zbatuar konsolidimin fiskal pas rritjeve të mëdha të shpenzimeve gjatë disa viteve të fundit për shkak të COVID dhe krizës së kostos së jetesës,” tha Ivailo Izvorski, Kryeekonomist i Bankës Botërore për rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore. “Rritja e kostos së plakjes së popullsisë, pagesat më të larta të interesit, investimet e nevojshme për zbutjen dhe përshtatjen ndaj klimës, si dhe menaxhimi i krizave të tjera të mbivendosura, do të vazhdojnë të ushtrojnë presion mbi buxhetet e qeverive.”

Ekonomia e Ukrainës ka gjasa të rritet për 3.5% këtë vit pas një tkurrjeje prej 29.1% në 2022, viti kur Rusia e pushtoi vendin, falë furnizimit më të qëndrueshëm me energji elektrike, rritjes së shpenzimeve qeveritare, mbështetjes së vazhdueshme të donatorëve, korrjeve më të mbara dhe ndryshimit të rrugës së disa eksporteve përmes kufijve perëndimorë të vendit.

Turqia pritet të rritet për 4.2% këtë vit, duke reflektuar uljen e pasigurisë së politikave dhe kërkesën e qëndrueshme të konsumatorëve. Megjithatë, rritja ka gjasa të ngadalësohet në një mesatare prej 3.5% në vitet 2024 dhe 2025 pasi kërkesa e brendshme do të ulet përballë rritjes së normave të interesit dhe konsolidimit gradual fiskal. Në Rusi, rritja e shpenzimeve qeveritare dhe konsumi ka gjasa të rezultojë në rritje prej 1.6% në vitin 2023, duke u dobësuar në 1.3% në 2024 dhe 0.9% në 2025 për shkak të kufizimeve të kapaciteteve dhe ngadalësimit të kërkesës konsumatore.

Në Azinë Qendrore, rritja pritet të forcohet në 4.8% këtë vit dhe të jetë mesatarisht në 4.7% për vitet 2024 dhe 2025, duke supozuar se do të zbutet inflacioni.

Në ndryshim, rritja në Ballkanin Perëndimor parashikohet të ngadalësohet në 2.5% këtë vit, me një rritje të parashikuar deri në 3.3% për vitet 2024 dhe 2025, duke reflektuar moderimin e presioneve inflacioniste, rimëkëmbjen graduale të eksporteve dhe rritjen e shpenzimeve publike për projekte infrastrukturore të mbështetura nga donatorët.  Në vitin 2023, konsumi mbeti i qendrueshëm në Shqipëri, Kosovë dhe Mal të Zi, i nxitur nga rimëkëmbja e turizmit, por u dobësua në Bosnjë dhe Hercegovinë, Maqedoni të Veriut dhe Serbi për shkak të kërkesës më të dobët për eksporte nga BE-ja.

Tregtia më e fortë dhe flukset më të mëdha të parave dhe njerëzve kanë vazhduar të mbështesin aktivitetin ekonomik në disa ekonomi, veçanërisht në Azinë Qendrore dhe Kaukazin e Jugut. Armenia, Gjeorgjia dhe Taxhikistani vazhdojnë të kenë performancën më të mirë të rritjes në këtë rajon për të dytin vit radhazi. 

DEKLARATA PËR SHTYP NR: 2024/ECA/017

Kontakt

Uashington
Indira Chand
+1 (703) 376-7491

Blogje

    loader image

ÇFARË ËSHTË E RE

    loader image