PRISHTINË, 21 MARS 2023 — Sot, në rrjet u kyç edhe fshati i fundit që kishte mbetur pa qasje në internet brezgjerë me shpejtësi të lartë në Kosovë, duke arritur kështu një nga shkallët më të larta të penetrimit të internetit në Evropë. Ky moment historik, i arritur me mbështetjen e Bankës Botërore, shënon një hap të rëndësishëm për avancimin teknologjik të vendit dhe për popullsinë prej rreth 1.8 milionë banorësh të vendit.
Ceremonia e mbajtur në fshatin e largët Herticë, në Kosovën verilindore, ku morën pjesë ministra të kabinetit qeveritar dhe zyrtarë të Bankës Botërore, shënoi përfundimin e punimeve që lidhën gjithsej 201 fshatra, me 60,000 banorë, me infrastrukturën e rrjetit brezgjerë me shpejtësi të lartë, si pjesë e Projekti për Ekonominë Digjitale të Kosovës (KODE), i financuar nga Banka Botërore dhe i zbatuar nga Ministria e Ekonomisë e Kosovës. Përveç kyçjes së pothuajse 5,000 amvisërive në internet me shpejtësi të lartë deri në 100 Mbps, është siguruar edhe kyçja për 107 shkolla dhe 43 institucione shëndetësore në lokacione të largëta.
“Qasja në internet me shpejtësi të lartë dhe infrastrukturë më të mirë digjitale në përgjithësi do t’i përmirësojë lidhjet e Kosovës me ekonominë globale, çka është esenciale për një ekonomi më produktive dhe me rritje më të shpejtë, si dhe do të sjellë përfitime për të gjithë popullin e Kosovës”, tha Massimiliano Paolucci, Menaxher i Vendit për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut i Bankës Botërore.
Qasja në rrjet brezgjerë me shpejtësi të lartë mund të ndihmojë në ofrimin e shërbimeve publike, të ofrojë mundësi për përvetësimin e shkathtësive, si dhe të gjenerojë të hyra përmes punës online.
“Është kënaqësi për ne kur shohim se Kosova po i arrin prioritetet dhe ambiciet e veta digjitale dhe besojmë se investimet për zhvillim digjital do të japin kontribut transformues në ekonominë e Kosovës dhe do ta përmirësojnë jetën e qytetarëve të vendit”, tha Nicole Klingen, Menaxhere e Bankës Botërore për Praktikën për Zhvillim Digjital për Evropën dhe Azinë Qendrore.
Zgjerimi i internetit brezgjerë në zonat rurale të Kosovës ishte njëri nga komponentët e projektit KODE. Projekti mbështeti edhe themelimin e Rrjetin Kombëtar për Hulumtim dhe Edukim (RRKHE), i cili lidhi institucionet akademike të Kosovës me njëri-tjetrin, por edhe me rrjetin mbarë evropian të universiteteve (GÉANT), i cili u ofron shërbime të tjera digjitale, të cilat janë inovative, me kosto efektive dhe të besueshme. Projekti ka mbështetur edhe ngritjen e Sistemit Kombëtar për Monitorim të Spektrit që do të mundësojë monitorim efikas të spektrit frekuencor të mediave audio-vizuale në vend. Projekti po ofron edhe trajnime për shkathtësi digjitale, siç janë programet për zhvillim të aplikacioneve mobile për iOS dhe Android, marketingu digjital, bazat e TI-së, administrimi i rrjetit dhe teknologjitë e printimit 3D, për rreth 2,000 të rinj në mbarë Kosovën.
Projekti KODE ishte aprovuar në vitin 2019 nga Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë i Bankës Botërore. Projekti u financua me një kredi koncesionare në shumën prej 20,700,000 eurosh (e barasvlershme me 25 milionë dollarë amerikanë) nga Asociacioni Ndërkombëtar për Zhvillim (IDA) i Grupit të Bankës Botërore.