Skip to Main Navigation
NJOFTIME PËR SHTYP21 shtator 2022

Forumi Thekson Rolin e Prokurimit Publik në Rimëkëmbjen Pas Krizës dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm

TIRANË, 21 shtator, 2022 – Krerët e agjencive të prokurimeve publike dhe praktikues e ekspertë të prokurimeve nga i gjithë rajoni i Evropës dhe Azisë Qendrore u takuan këtë javë në Tiranë në Forumin e 16-të të Prokurimit, Integritetit, Menaxhimit dhe Hapjes (PRIMO).

Pjesëmarrësit në Forum diskutuan mbi praktikat dhe përvojat më të mira të prokurimit publik si dhe rolin që ai mund të luajë për të mbështetur rimëkëmbjen pas krizës dhe zhvillimin e qëndrueshëm. PRIMO është një platformë globale për bashkëpunimin ndërrajonal dhe shkëmbimin e njohurive dhe përvojës në reformimin e prokurimit publik.

Këtë vit, Forumi u organizua nga Qeveria e Shqipërisë dhe me bashkë-sponsorizim nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Banka Islamike për Zhvillim (IsDB), Banka Evropiane e Investimeve (BEI), Banka Aziatike për Zhvillim (ADB) dhe Banka Botërore, në bashkëpunim me OECD.

“Prokurimi është në thelb të gjithçkaje që ka rëndësi për zhvillimin e qëndrueshëm të një vendi,” tha Emanuel Salinas, Menaxher i Bankës Botërore për Shqipërinë. “Prokurimi efektiv publik ka rëndësi kritike për reagimin ndaj fatkeqësive dhe krizave, për të gjeneruar më shumë vende pune dhe rritje ekonomike, si dhe për të garantuar që mbrojtja sociale të arrijë ata që kanë më shumë nevojë.”

Pjesëmarrësit diskutuan një sërë çështjesh në kontekstin e rimëkëmbjes së qëndrueshme dhe elastike, përfshirë përfitimet e agjendës së gjelbër, instrumentet e prokurimit të qëndrueshëm të projekteve të infrastrukturës dhe përdorimin e teknologjisë për menaxhim më të mirë të kontratave, etj.

Duke iu referuar përvojës së Shqipërisë, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë së Shqipërisë, Belinda Balluku u shpreh se “Pavarësisht krizave që kemi kaluar dhe po kalojmë aktualisht, rruga e reformave dhe krijimi i një sistemi ligjor dhe transparent të prokurimit publik do të shërbejë si një bazë e fortë për rimëkëmbjen dhe zhvillimin e qëndrueshmërisë së ekonomisë”.

Forumi i 16-të PRIMO mblodhi  bashkë rreth 90 zyrtarë të prokurimit nga 19 vende të botës, si Azerbajxhani, Bosnjë dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Maqedonia e Veriut, Gjeorgjia, Kazakistani, Kosova, Republika e Kirgistanit, Moldavia, Mali i Zi, Polonia, Rumania, Sllovenia, Taxhikistani, Turqia, Ukraina dhe Uzbekistani. Në forum morën pjesë gjithashtu përfaqësues nga institucione ndërkombëtare, si ADB, IsDB, BERZH), BEI, Banka Botërore, etj.

DEKLARATA PËR SHTYP NR: 2023/ECA/14

Kontakt

Tirana
Ana Gjokutaj
Washington
Paul Clare

Blogje

    loader image

ÇFARË ËSHTË E RE

    loader image