Skip to Main Navigation
NJOFTIME PËR SHTYP4 maj 2022

Pavarësisht Rimëkëmbjes së Fortë Pas Pandemisë, Shqipëria po Përballet me Sfida të Reja Ekonomike

TIRANË, 4 maj, 2022 – Shqipëria shënoi një rimëkëmbje të fortë ekonomike në vitin 2021 falë politikave stimuluese dhe rigjallërimit të sektorëve të udhëtimeve, ndërtimit dhe industrisë nxjerrëse, thuhet në Raportin e fundit të Rregullt Ekonomik për Ballkanin Perëndimor (Raporti nr. 21). PBB-ja reale u rrit me 8.5 për qind, duke u rikuperuar plotësisht nga recesioni i shkaktuar prej pandemisë. Edhe pse rritja në vitin 2021 ishte me bazë të gjerë, borxhi publik mbetet i lartë.

Kreditimi për sektorin privat u rrit fuqishëm gjatë vitit 2021 si për bizneset ashtu edhe për individët. Po kështu, depozitat bankare vijuan të zgjerohen me 10.3 për qind, ku kursimet e individëve përbëjnë rreth dy të tretat e rritjes së totalit të depozitave në sistemin bankar. Investimet e huaja direkte u rritën në vitin 2021, duke arritur në 6.4 për qind të PBB-së si rezultat i investimeve në industrinë nxjerrëse, sektorin bankar dhe atë të telekomunikacioneve. Rritja e fortë e të ardhurave solli ngushtim të deficitit fiskal në 4.5 për qind të PBB-së.

Megjithatë, pavarësisht rimëkëmbjes së fortë pas pandemisë, Shqipëria është prekur së fundmi nga zhvillimet në arenën ndërkombëtare dhe po përballet me sfida të reja, të cilat kërcënojnë perspektivën e rritjes ekonomike dhe uljen e varfërisë. Pasiguritë në lidhje me luftën në Ukrainë po ndikojnë stabilitetin e çmimeve dhe rritjen ekonomike, ritmi i së cilës pritet të ngadalësohet në 3.2 për qind në vitin 2022. Konsumi privat parashikohet të jetë nxitësi kryesor i rritjes së PBB-së. Investimet private mund të vijojnë të mbështesin rritjen ekonomike nëse zbatohen reformat për përmirësimin e klimës së biznesit.

Rritja e PBB-së në rajonin e Ballkanit Perëndimor arriti në 7.4 për qind në vitin 2021, pas një tkurrjeje prej 3.2 për qind në vitin 2020. Ky rikthim në norma pozitive i rritjes ekonomike u shoqërua me një rritje të ndjeshme të vendeve të reja të punës, ku kërkesa për punësim solli ulje të varfërisë në të gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor.

Megjithatë, rimëkëmbja pas pandemisë është ndalur, pasi lufta në Ukrainë ka tronditur të gjithë rajonin. Rritja ekonomike për Ballkanin Perëndimor në vitin 2022 aktualisht parashikohet të jetë vetëm 3.1 për qind.

“Pavarësisht rikuperimit të fortë pas pandemisë, Ballkani Perëndimor po përballet aktualisht me një sërë sfidash të reja, të shtuara dhe nga lufta në Ukrainë, si rritja e çmimeve të energjisë dhe ushqimeve, inflacioni i lartë dhe ngadalësimi i tregtisë dhe investimeve,” tha Linda Van Gelder, Drejtoreshë Rajonale e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor."Vendet e Ballkanit  Perëndimor do të kenë nevojë për politika mbështetëse të kujdesshme për t’i menaxhuar këto kriza në mënyrë efektive dhe për të ruajtur përfitimet e rëndësishme të arritura në 2021, siç është ulja e varfërisë."

Rreziqet e kahut të poshtëm lidhur me perspektivën ekonomike të rajonit janë shqetësuese. Zgjerimi i konfliktit ose zgjatja e luftës në Ukrainë mund të shkaktojnë ndërprerje të tjera në zinxhirët e tregtisë globale dhe rritje të mëtejshme të çmimeve të energjisë dhe ushqimeve. Në rast se kushtet e financimit në tregjet ndërkombëtare do të jenë edhe më të shtrënguara, mund të shfaqen rreziqe që lidhen me rifinancimin e borxhit. Qëndrueshmëria e borxhit mund të kthehet në një shqetësim nëse hapësira e kufizuar fiskale do të ezaurohet nga politika të ndërmarra si kundërpërgjigje ndaj çmimeve më të larta të energjisë dhe ushqimeve dhe në kushtet e rritjes së kostove të rifinancimit.

“Në një mjedis të tillë, politikat e qeverisë duhet të fokusohen në forcimin e qëndrueshmërisë dhe ndërmarrjen e reformave strukturore me synimin për të mbështetur rritjen ekonomike dhe përballuar krizat,” u shpreh Sanja Madzarevic-Sujster, ekonomiste e lartë e Bankës Botërore dhe një nga autorët kryesorë të raportit. “Në kushtet e hapësirës së kufizuar fiskale, vendet duhet të analizojnë me kujdes kostot dhe përfitimet e angazhimeve të reja për shpenzime si kundërpërgjigje ndaj rritjes së çmimeve të energjisë dhe ushqimeve, duke u dhënë përparësi familjeve më të cenueshme.”

Në kushtet e krizës energjetike në Europë, raporti jep gjithashtu një vlerësim lidhur me nivelin e cenueshmërisë të vendeve të Ballkanit Perëndimor ndaj goditjeve të çmimeve të energjisë, masat e marra nga qeveritë për zbutjen e pasojave dhe se si kriza mund të ndikojë avancimin e procesit të kalimit në energji të gjelbër.

“Mes përpjekjeve për t’iu përgjigjur krizës aktuale të energjisë dhe për të garantuar mbrojtjen e familjeve dhe bizneseve më të rrezikuara nga kjo krizë, Ballkani Perëndimor gjithashtu nuk duhet të harrojë synimet e veta afatgjata në drejtim të arritjes së sigurisë dhe qëndrueshmërisë energjetike si pjesë e agjendës së gjelbër”, shton Richard Record, kryeekonomist i Bankës Botërore dhe një nga autorët e raportit.

Raporti thekson se nuk mund të ketë rritje të qëndrueshme ekonomike pa reforma strukturore që nxisin rritjen e produktivitetit, konkurrencës, investimeve në kapitalin njerëzor dhe forcimin e qeverisjes. Ulja e kostove rregullatore për bizneset, rritja e konkurrencës në treg, mbështetja e pjesëmarrjes në tregun e punës dhe forcimi i pavarësisë së institucioneve publike janë të gjitha masa që do të mbështesnin rritjen ekonomike në një mjedis të pasigurt.

Shkarko raportin:  http://www.worldbank.org/eca/wbrer

DEKLARATA PËR SHTYP NR: 2022/ECA/91

Kontakt

Washington
Paul Clare
Tirana
Ana Gjokutaj

Blogje

    loader image

ÇFARË ËSHTË E RE

    loader image