Skip to Main Navigation
NJOFTIME PËR SHTYP1 mars 2022

Në nivel global, rreth 2.4 miliardë gra nuk kanë të njëjtat të drejta ekonomike si burrat

Përkundër pandemisë, gjatë vitit 2021, 23 shtete i përmirësuan ligjet për avancim të përfshirjes ekonomike të grave  

UASHINGTON, 1 mars 2022 - Rreth 2.4 miliardë grave në moshë pune nuk u ofrohen mundësi të barabarta ekonomike, dhe 178 shtete mbajnë barriera ligjore që pengojnë pjesëmarrjen e tyre të plotë ekonomike, sipas raportit të Bankës Botërore me titull Gratë, Biznesi dhe Ligji 2022. Në 86 shtete gratë përballen me një formë të kufizimit të punës, kurse 95 shtete nuk garantojnë pagë të barabartë për punë të barabartë.

Në nivel global, gratë kanë ende vetëm tre të katërtat e të drejtave ligjore që u jepen burrave -- një rezultat i përgjithshëm prej 76.5 nga 100 pikë të mundshme në rast të barazisë së plotë ligjore. Megjithatë, përkundër efektit të shpërpjesëtuar të pandemisë globale në jetën dhe mjetet e jetesës së grave, gjatë vitin 2021 23 shtete i reformuan ligjet e tyre për të ndërmarrë hapa shumë të nevojshëm drejt avancimit të përfshirjes ekonomike të grave, sipas raportit.

“Teksa është bërë përparim, hendeku mes fitimeve të pritshme gjatë gjithë jetës për burrat dhe gratë është 172 trilionë dollarë amerikanë në nivel global - gati dy herë më shumë se BPV-ja vjetore e botës,” tha Mari Pangestu, Drejtoreshë Menaxhuese e Politikave Zhvillimore dhe Partneriteteve të Bankës Botërore. “Ndërkohë që ecim përpara për të arritur zhvillim të gjelbër, rezilient dhe gjithëpërfshirës, qeveritë duhet të përshpejtojnë ritmin e reformave ligjore në mënyrë që gratë të munden ta realizojnë potencialin e tyre të plotë dhe të përfitojnë plotësisht dhe në mënyrë të barabartë.”

Raporti me temë Gratë, Biznesi dhe Ligji për vitin 2022, mat ligjet dhe rregulloret në 190 shtete në tetë fusha që ndikojnë në pjesëmarrjen ekonomike të grave – lëvizshmëria, vendi i punës, paga, martesa, prindërimi, ndërmarrësia, asetet dhe pensionet. Të dhënat ofrojnë standarde objektive dhe të matshme për progresin global drejt barazisë gjinore. Vetëm 12 shtete, të gjitha pjesë e OECD-së, kanë barazi ligjore gjinore. E reja e këtij viti është një studim pilot në 95 shtete i ligjeve që rregullojnë kujdesin për fëmijët -- një fushë kritike ku nevojitet mbështetje për gratë që të kenë sukses në punësimin e paguar. Këtu përfshihet edhe një analizë pilot se si zbatohen ligjet që ndikojnë në fuqizimin ekonomik të grave, duke nxjerrë në pah ndryshimin mes ligjeve në letër dhe realitetit të përjetuar nga gratë.

Rajonet e Lindjes së Mesme, Afrikës Veriore dhe Afrikës Sub-Sahariane, shfaqën përmirësimet më të mëdha në këtë indeks për vitin 2021, megjithëse vazhdojnë të mbeten pas pjesëve të tjera të botës në përgjithësi. Gaboni shquhet për reformat gjithëpërfshirëse në kodin e tij civil dhe miratimin e një ligji për eliminimin e dhunës ndaj grave. Rezultati i Gabonit u rrit nga 57.5 pikë në vitin 2020 në 82.5 pikë në vitin 2021.

Në nivel global, numri më i madh i reformave është bërë në treguesit për Prindërimin, Pagën dhe Vendin e Punës. Shumë reforma u fokusuan në mbrojtjen kundër ngacmimeve seksuale në punësim, ndalimin e diskriminimit gjinor, shtimin e pushimit të paguar për prindërit e rinj, si dhe heqjen e kufizimeve të punës për gratë. Treguesit për Pagat dhe Prindërimin kanë rezultatet mesatare më të ulëta në indeks, por janë rritur vitin e fundit, duke u shtuar përkatësisht me 0.9 dhe 0.7 pikë, me rezultate mesatare prej 68.7 dhe 55.6. Rritjet në treguesin për Prindërimin janë të lidhura kryesisht me pushimin e atësisë dhe pushimin e përbashkët prindëror, por rezultati i ulët thekson nevojën për t’i përshpejtuar reformat në këtë fushë.

Gratë nuk mund të arrijnë barazi në vendin e punës nëse janë në pozitë të pabarabartë në shtëpi”, tha Carmen Reinhart, Zëvendës Presidente e Lartë dhe Krye-ekonomiste e Grupit të Bankës Botërore. “Kjo do të thotë vendosje e kushteve të barabarta dhe sigurimi që pasja e fëmijëve nuk do të thotë që gratë të përjashtohen nga pjesëmarrja e plotë në ekonomi dhe të realizojnë shpresat dhe ambiciet e tyre.”

Në mbarë botën, 118 ekonomi garantojnë 14 javë pushim të paguar për nënat. Më shumë se gjysma (114) e ekonomive të matura e kanë në ligj pushimin e paguar për baballarët, por kohëzgjatja mediane është vetëm një javë.

Në vitin e kaluar, RPA Hong Kong, Kinë - që më parë ofronte 10 javë pushim të paguar lehonie - aprovoi kohëzgjatjen minimale të rekomanduar prej 14 javësh. Armenia, Zvicra dhe Ukraina futën pushimin e paguar të atësisë. Kolumbia, Gjeorgjia, Greqia dhe Spanja futën pushimin e paguar prindëror, çka u ofron të dy prindërve një formë të pushimit të paguar për t’u kujdesur për një fëmijë pas lindjes. Ligjet që promovojnë pushimin e paguar për baballarët mund të reduktojnë diskriminimin në vendin e punës dhe të përmirësojnë ekuilibrin punë-jetë.

Gratë, Biznesi dhe Ligji për vitin 2022 prezanton hulumtime pilot në dy fusha të reja: mjedisi ligjor për shërbimet e kujdesit për fëmijët dhe zbatimi i ligjeve. Një numër në rritje i ekonomive po investojnë për kujdesin për fëmijëve për t’i përmirësuar shkathtësitë e fëmijëve dhe për ta njohur punën e papaguar të kujdesit që kryhet nga gratë, të cilat shpesh marrin më shumë detyra të përkujdesjes. Hulumtimi pilot analizoi ligjet në 95 ekonomi dhe zbuloi se shumica e ekonomive të OECD-së me të hyra të larta në Evropë dhe Azi Qendrore i rregullojnë shërbimet publike të kujdesit për fëmijët, ndërsa në Lindjen e Mesme, Afrikën e Veriut dhe Azinë Jugore, rregulloret ngarkojnë sektorin privat ose punëdhënësit me ofrimin e shërbimeve të kujdesit për fëmijët e prindërve që punojnë.

Për ta bërë kujdesin për fëmijët më të përballueshëm dhe më të përdorur gjerësisht, disa shtete ofrojnë mbështetje financiare për prindërit ose ofruesit e kujdesit për fëmijët. Hulumtimi shqyrtoi edhe aspektet cilësore të rregulluara, siç janë raporti mësimdhënës-fëmijë, madhësia maksimale e grupeve, kërkesat për trajnim për mësimdhënësit, si dhe kërkesat e licencimit, inspektimeve dhe raportimit për ofruesit e shërbimeve. Nevojiten më shumë dëshmi për atë se çfarë përbën cilësi të mirë dhe cilat aspekte të cilësisë mund të përcaktojnë marrjen e shërbimeve nga prindërit.

Ky botim eksploron edhe funksionimin në praktikë të treguesve për temën Gratë, Biznesi dhe Ligji në 25 ekonomi. Analizë e skemave të zbatimit të ligjeve nxjerr në pah një hendek substancial mes legjislacionit në letër dhe funksionimit ligjor. Nuk mjaftojnë vetëm ligjet për ta përmirësuar barazinë gjinore; faktorët që janë në lojë përfshijnë jo vetëm zbatimin dhe ekzekutimin e ligjeve, por edhe normat sociale, kulturore dhe fetare. Këta hendekë do të hulumtohen më tej në ciklet e ardhshme të raporteve për temën Gratë, Biznesi dhe Ligji.

DEKLARATA PËR SHTYP NR: 2022/047/DEC

Kontakt

In Washington:
Shane Romig
For Broadcast Requests:
David W. Young
(202) 473-4691

Blogje

    loader image

ÇFARË ËSHTË E RE

    loader image