Skip to Main Navigation
NJOFTIME PËR SHTYP 2 qershor 2021

Drejtoresha Rajonale e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor konfirmon mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën për reagimin ndaj COVID-19 dhe reformat për zhvillim

PRISHTINE, 2 Qershor, 2021 – Gjatë vizitës në Kosovë, Linda Van Gelder, Drejtoresha Rajonale e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, përsëriti mbështetjen e Bankës Botërore për Kosovën ndërsa merret me ndikimet e pandemisë COVID-19 dhe adreson sfidat e saj afatgjata të zhvillimit.

Gjatë vizitës së saj, Van Gelder u takua me Presidenten e Kosovës Vjosa Osmani Sadriu, Kryeministrin Albin Kurti, Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati dhe Ministrin e Shëndetësisë Arben Vitia, për të diskutuar ndikimin socio-ekonomik të pandemisë, masat e reagimit të qeverisë, dhe mbështetjen e vazhdueshme të Bankës Botërore për Kosovën për një rimëkëmbje elastike dhe për një ekonomi më gjithëpërfshirëse dhe më të gjelbër.

"Unë isha e kënaqur të diskutoja rreth modelit të ardhshëm të rritjes ekonomike në Kosovë dhe veprimet që nevojiten për të arritur qëllimet e saj të zhvillimit," tha Van Gelder. "Ne e konsiderojmë të rëndësishme adresimin e hendeqeve në kapitalin njerëzor dhe infrastrukturë, lidhjen rajonale, kufizimet mjedisore dhe ndotjen, dhe jemi të përkushtuar që të vazhdojmë të mbështesim Kosovën në këto fusha".

Për të ndihmuar Kosovën në përgjigjen e saj ndaj COVID-19, Banka Botërore mobilizoi me shpejtësi financim të shpejtuar për emergjenca me qëllim të adresimit të prioriteteve urgjente të sektorit shëndetësor dhe për të mbrojtur të ardhurat e familjeve. Banka Botërore gjithashtu ristrukturoi projekte aktive për të lejuar kanalizimin e fondeve shtesë në mbështetje të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme të ndikuara nga kriza.

Banka Botërore tani është duke finalizuar një operacion financimi shtesë për të ndihmuar vaksinimin për COVID-19 dhe po diskuton përgatitjen e një operacioni huazimi për politikë zhvillimore për të mbështetur rimëkëmbjen ekonomike.

Që nga viti 1999, Banka Botërore ka siguruar ose menaxhuar afërsisht 500 milion dollarë përmes më shumë se 40 operacioneve në Kosovë, duke përfshirë këtu fonde të besuara të financuara me grante. Portofoli aktual i huazimit të Bankës Botërore në Kosovë arrin në 281.6 milion dollarë në njëmbëdhjetë projekte në fushat e shëndetësisë, arsimit, bujqësisë, energjisë, ujit, konkurrencës, financave, TIK-ut dhe kadastrit.


DEKLARATA PËR SHTYP NR: 2021/ECA/111

Kontakt

Prishtine
Lundrim Aliu
+383-38-224-454-1100
laliu1@worldbank.org
Api
Api