UASHINGTON, 16 shtator 2020 – Të rinjve të rajonit të Europës dhe Azisë Qendrore u jepen mundësitë e nevojshme për të qenë produktivë në të ardhmen, falë vijimit të investimeve në shëndetësi dhe në arsim gjatë viteve të fëmijërisë dhe të adoleshencës, sipas versionit më të fundit të Indeksit të Kapitalit Njerëzor (IKNJ) të nxjerrë nga Banka Botërore, i cili mat rezultatet e kapitalit njerëzor përpara pandemisë, në mbarë botën.
Por pandemia e COVID-19 po i rrezikon arritjet e deritanishme, ndërsa qeveritë po përpiqen të vazhdojnë shërbimet shëndetësore dhe arsimore në kushtet e kufizimeve të vendosura për mbrojtjen e shëndetit publik, përfshirë edhe mbylljen e shkollave.
Raporti i këtij viti përfshin analizën dhjetëvjeçare të zhvillimit të kapitalit njerëzor, nga viti 2010 deri në vitin 2020, në 103 vende. Nga 48 vende të Evropës dhe Azisë Qendrore të përfshira në IKNJ 2020, 33 bëjnë pjesë në një të tretën më të përparuar të botës dhe thuajse të gjitha ndodhen në një të dytën më të përparuar.
“Qeveritë e Europës dhe Azisë Qendrore kanë vepruar mirë duke u dhënë përparësi investimeve në shëndetësi dhe në arsim, të cilët janë faktorët kryesorë që çojnë përpara rritjen dhe zhvillimin. Por sfidat e krijuara nga COVID-19 kërkojnë një përgjigje edhe më të fortë nëpërmjet politikave, përfshirë edhe një përdorim më të madh të teknologjisë për ta përmirësuar ofrimin e shërbimeve si edhe programet e asistencës sociale, për të siguruar që njerëzit të marrin arsim dhe kujdes shëndetësor cilësor,” – tha Anna Bjerde, nënpresidente e Bankës Botërore për Rajonin e Europës dhe Azisë Qendrore.
Shqipëria, Azerbajxhani dhe Rusia janë ndër 10 vendet me përmirësimin më të madh në gjithën botën sa i takon shëndetësisë dhe arsimit. Por, ka dallime të konsiderueshme brendapërbrenda rajonit. Nga ekonomitë e reja dhe në zhvillim të këtij rajoni, një fëmijë i lindur në Poloni mund të presë të arrijë 75 për qind të produktivitetit të një individi të rritur e të arsimuar plotësisht dhe me shëndet optimal. Nga ana tjetër, një fëmijë i lindur në Taxhikistan, mund të presë të arrijë jo më shumë se 50 për qind produktivitetit. Në Shqipëri një fëmijë i lindur sot mund të arrijë 63 për qind ë produktivitetit të një individi të rritur e të arsimuar plotësisht dhe me shëndet të mirë. Ndërsa ky tregues është mbi mesataren e vendeve me të njëjtin zhvillim ekonomik në botë, ai është ndën mesataren e rajonit të Europës dhe Azisë Qendrore.
Rezultatet në arsim
Rezultatet e arsimit bazë në rajon paraqesin një pamje jo të njëtrajtshme, megjithatë rajoni ka ecuri të mirë kundrejt standardeve botërore. Gjatë dekadës së fundit, numri i viteve të pritshme të shkollimit është rritur, ku përparimet më të mëdha i paraqesin Azerbajxhani, Shqipëria, Mali i Zi, Polonia dhe Rusia, kryesisht për shkak të përmirësimeve në regjistrimiet për arsimin e mesëm dhe atë parashkollor. Por, nga ana tjetër, numri i viteve të pritshme të shkollimit ka rënë në një sërë vendesh, si Bullgaria, Moldavia, Rumania dhe Ukraina.
Cilësia e arsimit, e marrë si mesatare, nuk ka pasur rritje në rajon gjatë dekadës së fundit. Ndër vendet që kanë pësuar rënie të cilësisë arsimore janë Bullgaria dhe Ukraina. Ndër vendet me përmirësime të cilësisë së arsimit janë Shqipëria, Moldavia dhe Mali i Zi.
Gjatë dekadës së fundit, Shqipëria ka shënuar përmirësime të rëndësishme në cilësinë e arsimit. Rezultatet e testit të harmonizuar janë rritur nga 397 pikë në 2010 në 434 pikë në 2020. Shqipëria, gjithashtu ka rritur numrin e viteve të pritshme të shkollimit. Një fëmijë që nis shkollën sot, pritet të kryejë12.9 vjet shkollim deri në moshën 18 vjec, krahasuar me 11.6 vjet që ka qenë në 2010.
“Këto përmirësime lidhen me përpjekjet për reforma intensive gjatë dekadës së fundit në Shqipëri, të cilat përfshijnë politika që kanë të bëjnë me punësimin dhe pagat e mësuesve; pasurimi i kurrikulave të fokusuara në aftësi; rritjen e aksesit në të gjitha nivelet e arsimit, dhe një vemendje më e madhe për arsimin gjithëpërfshirës duke pasur në kujdes nxënësit me më pak mundësi financiare,” tha Maryam Salim, Menaxhere e Zyrës së Bankës Botërore për Shqipërinë. “Megjithatë, për të rritur rezultatet e të mësuarit duhen rritur shpenzimet për arsimin, vecanërisht për programe dhe politika që përmirësojnë cilësinë dhe barazinë në arsim. Duke pasur parasysh efektet e shkaktuara nga pandemia aktuale e COVID-19, duhen prioritizuar politika që minimizojnë humbjet në procesin e të mësuarit dhe sigurojnë vazhdimësi të tij për të gjithë nxënësit në mënyrë sa më të barabartë.”
Arritjet në shëndetësi
Në përgjithësi, rezultatet shëndetësore në rajon janë relativisht të mira në raport me standardet botërore. Gjatë 10 viteve të fundit, shkallët e vdekshmërisë së fëmijëve kanë rënë ndjeshëm, ku Azerbajxhani, Kazakistani dhe Turqia paraqesin përmirësimet më të mëdha në këtë aspekt. Po kështu, ndjeshëm kanë rënë edhe niveli i zhvillimit të mangët të fëmijëve, sidomos në Shqipëri, Azerbajxhan, Maqedoninë e Veriut dhe në Turqi. Në Shqipëri shkalla e zhvillimit të mangët të fëmijëve që janë të rrezikuar nga kufizime fizike dhe mendore ka rënë gjatë periudhës në fjalë nga 23 në 11 fëmijë për cdo 100 fëmijë.
Edhe shkallët e vdekshmërisë te të rriturit kanë rënë ndjeshëm, ku përmirësimet më të mëdha i kanë Kazakistani, Rusia dhe Ukraina. Por, shkallët e vdekshmërisë te të rriturit vijojnë të jenë të larta në disa vende.
Në nivel global, raporti për IKNJ-në bën thirrje për një matje më të mirë të të dhënave për t’u dhënë mundësi politikë-bërësve të vendeve të ndryshme t’i mbështesin ata që kanë më shumë nevojë. Banka Botërore po ndihmon qeveritë e vendeve të ndryshme që të gjejnë zgjidhje afatgjata për të ndërtuar ekonomi më të forta e gjithëprëfshirëse në epokën e paspandemisë.
IKNJ-ja e Bankës Botërore ndjek trajektoren e fëmijës, që nga lindja e deri në moshën 18 vjeç, lidhur me aspekte të tilla të rëndësishme si të arriturit e moshës pesëvjeçare; numri i pritur i viteve të arsimit fillor dhe të mesëm, i korrigjuar me treguesin e cilësisë; mangësia e zhvillimit në fëmijëri; normat e të jetuarit në moshë të rritur. IKNJ 2020, mbështetur në të dhënat e mbledhura deri në mars të këtij viti, siguron një standard krahasimi me periudhën përpara pandemisë, që do të shërbejë si bazë informimi për politikat dhe investimet në shëndetësi dhe në arsim për periudhën e rimëkëmbjes pas pandemisë.