UASHINGTON, 10 qershor 2020 - Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të Bankës Botërore ka aprovuar Programin Zhvillimi dhe shfrytëzimi i mundësive për sigurinë e ujit në Kosovë, i cili synon të forcojë kapacitetin e Kosovës për menaxhimin e sigurisë së ujit në nivelin kombëtar dhe të përmirësojë sigurinë e ujit në basenin e Moravës së Binçës, që është rajoni më i thatë në Kosovë. Mbështetja e miratuar financiare për projektin është 25.1 milionë euro (e barasvlershme me 27.4 milionë dollarë).
“Banka Botërore po e mbështet Kosovën për të adresuar krizën e ujit në nivelin kombëtar dhe specifikisht mungesën e ujit në zonën e basenit të Moravës. Përveç përfitimeve të rëndësishme të zhvillimit nga përmirësimi i furnizimit dhe forcimi i menaxhimit të resurseve ujore në Kosovë, disponueshmëria e ujit dhe e masave sanitare janë barrierë esenciale ndaj përhapjes së viruseve dhe për mbrojtjen e shëndetit njerëzor nga COVID-19 dhe sëmundje të ngjashme”, tha Marco Mantovanelli, Menaxher i Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut. “Larja e duarve në basenin e Moravës nuk guxon të merret si e mirëqenë meqë vitin e kaluar atje kishte mbi 200 ditë me furnizim jo të rregullt me ujë.”
Përtej përfitimeve të menjëhershme, programi synon të ndryshojë në mënyrë themelore situatën e pasigurt të ujit në Kosovë. Krahasuar me rajonin, Kosova ka shtrëngesë ujore, resurse ujore tejet të ndotura, dhe nivelet e saj të depozitave ujore janë ndër më të ulëtat në rajon. Zgjerimi i boshllëkut midis kërkesës në rritje për ujë dhe sasive të disponueshme të ujit me cilësi të mirë po çon në mungesë uji dhe ndërprerje në furnizimin me ujë dhe shërbimet e ujitjes. Thatësira dhe tronditjet nga përmbytjet pritet të bëhen më të shpeshta dhe të rënda për shkak të ndryshimeve klimatike. Përveç shtrëngesës fizike ujore, Kosova ka pasiguri të ujit edhe për shkak të menaxhimit të dobët të resurseve në dispozicion.
Projekti i aprovuar do të shtrojë edhe themelin për zhvillimin dhe menaxhimin strategjik të depozitimit të ujit në të ardhmen, përmirësimin e njohurive rreth ujërave në vend për t’u ballafaquar me thatësira, përmbytje dhe për të përmirësuar shërbimet, si dhe përmirësimin e menaxhimit të sigurisë së digave për komunitetet në rrjedhën e poshtme. Projekti do të investojë në mënyrë të konsiderueshme në lartësimin e nivelit të shërbimeve të furnizimit me ujë në zonën e menaxhuar nga ndërmarrja e ujësjellësit Hidromorava. Ai gjithashtu do të financojë studimet teknike, sociale dhe mjedisore për të lejuar një vlerësim të detajuar të një investimi përcjellës potencial për zgjerimin e kapaciteteve për depozitimin e ujërave të sistemit hidrik ‘Kikë-Kremenata’ në juglindje të Kosovës. Përveç kësaj, projekti ka gjithashtu nën-komponentë që mbështesin rimëkëmbjen ekonomike përmes granteve për komunitetin, dhe krijimin e vendeve të punës gjatë implementimit.
Të gjithë qytetarët e Kosovës, dhe veçanërisht fermerët, do të përfitojnë nga shërbimet e përparuara hidrometeorologjike, mbrojtja e pellgjeve ujëmbledhëse, masat agro-mjedisore dhe mundësitë ekonomike që do të rezultojnë. Të gjitha komunitetet në rrjedhën e poshtme të digave në Kosovë do të përfitojnë nga rritja e vëmendjes ndaj mirëmbajtjes dhe sigurisë së digave, risku i reduktuar nga përmbytjet dhe gatishmëria më e mirë emergjente. Do të reduktohen risqet nga thatësira duke e bërë të mundur përdorimin e kapacitetit të depozitave të pashfrytëzuara aktualisht të ujit. Përmes qasjes në shërbimet e përmirësuara të ujit, nga projekti do të përfitojnë drejtpërdrejt rreth 190,000 qytetarë që banojnë në basenin e Moravës së Binçës, në juglindje të Kosovës.
Projekti FLOWS financohet me kredi nga Shoqata Ndërkombëtare për Zhvillim (në gjuhën angleze International Development Agency, shkurt IDA) e Grupit të Bankës Botërore. Kreditë e IDA-s jepen me kushte koncesionare me interes zero ose shumë të ulët dhe periudha të gjata të kthimit. Financimi i këtij projekti ka afat maturimi prej 25 vjet dhe grejs periudhë 5-vjeçare. Projekti do të implementohet gjatë një periudhe prej 5.5 vjet nga Qeveria e Kosovës.