Skip to Main Navigation
NJOFTIME PËR SHTYP 4 maj 2020

Mbështetja e Bankës Botërore për situatën e COVID-19 për Evropën dhe Azinë Qendrore arrin në 1,4 miliardë dollarë, ndërsa Anna Bjerde merr postin e Zëvendëspresidentes Rajonale

UASHINGTON, 4 maj 2020 – Zonja Anna Bjerde, shtetase suedeze, prej datës 1 maj 2020 është Zëvendëspresidente e Bankës Botërore për rajonin e Europës dhe Azisë Qendrore. Në këtë post, zonja Bjerde do të drejtojë punën strategjike, analitike, operative dhe studiuese të Bankës Botërore në këtë rajon.

Zonja Bjerde e merr drejtimin e rajonit të Europës dhe Azisë Qendrore në një kohë tejet të vështirë për vendet kliente të Bankës Botërore. Pandemia e COVID-19 i ka detyruar shumë vende të luftojnë me pasoja të rënda shëndetësore, shoqërore dhe ekonomike. Ndërkohë që vijon një situatë e pasigurt, Përditësimi më i fundit ekonomik i Bankës Botërore për Europën dhe Azinë Qendrore sugjeron disa skenarë negativë të rritjes ekonomike për këtë rajon, përfshirë edhe një recesion madhor në vitin 2020, ku rritja pritet të tkurret në nivele midis -4,4 dhe -2,8 për qind.

“Si Zëvenëspresidente për Evropën dhe Azinë Qendrore, do të punoj nga shumë afër me qeveritë e vendeve kliente, për t’i ndihmuar të arrijnë rezultate të fuqishme në zhvillim, por vëmendja tani për tani do të jetë te trajtimi i pasojave shëndetësore dhe ekonomike të pandemisë COVID-19,” – thotë Anna Bjerde, Zëvendëspresidente për Europën dhe Azinë Qendrore në Bankën Botërore. - “Në periudhën afatshkurtër, do të japim financime me procedurë të përshpejtuar dhe do të ofrojmë instrumente të politikave në mbrojtje të jetëve dhe mjeteve të jetesës së njerëzve. Në periudhën afatmesme, do t’i ndihmojmë vendet të amortizojnë pasojat ekonomike dhe buxhetore të krizës nëpërmjet masave të politikave të duhura dhe instrumenteve të financimit.”

Deri tani, Banka Botërore ka angazhuar më shumë se 1,4 miliardë dollarë për të ndihmuar vendet e Europës dhe Azisë Qendrore të zbusin pasojat e COVID-19. Prej datës 2 prill 2020, janë miratuar nëpërmjet projekteve të reja në kundërpërgjigje të situatës së jashtëzakonshme rreth 490 milionë dollarë. Gjithashtu, po rishpërndahen, po përdoren ose vihen në dispozicion nga projekte dhe huadhënie ekzistuese deri në 925 milionë dollarë, përfshirë edhe financime të tjera shtesë, për t’i ndihmuar vendet në kundërpërgjigjen që po i japin situatës së COVID-19.

Ky financim mbulon shpenzime për pajisje mjekësore, përfshirë kompletet e analizave mjekësore, aparatet e frymëmarrjes artificiale dhe ventilatorët, dhe fuqizimin e kapaciteteve të sistemeve shëndetësore, përfshirë formimin e personelit mjekësor, krahas mbështetjes për mbrojtjen sociale të personave më të cenueshëm që preken nga COVID-19. Disa vende të rajonit po zhvillojnë aktualisht diskutime me Bankën Botërore për projekte dhe mbështetje në të ardhshmen, për t’i ndihmuar në trajtimin e efekteve të pandemisë.

Zonja Bjerde ka qenë në disa poste të larta në Bankën Botërore gjatë karrierës së saj njëzetepesëvjeçare. Ajo është një personalitet i njohur në fushën e zhvillimit ekonomik, me fokus te rritja gjithëpërfshirëse dhe zhvillimi i qëndrueshëm. Zonja Bjerde zëvendëson zotin Cyril Muller, i cili ka qenë në postin e Zëvendëspresidentit për Europën dhe Azinë Qendrore që nga korrik 2015.

Përgjigjja e Grupit të Bankës Botërore ndaj COVID-19:

Grupi i Bankës Botërore, një prej burimeve më të mëdha të financimit dhe dijeve për vendet në zhvillim, po ndërmerr masa të gjerësishme e të shpejta për t’i ndihmuar vendet në zhvillim ta fuqizojnë kundërpërgjigjen e tyre ndaj pandemisë. Po e rrisim mbikëqyrjen e sëmundjeve, po përmirësojmë ndërhyrjet e shëndetin publik dhe po ndihmojmë sektorin privat të vijojë veprimtarinë dhe të ruajë vendet e punës. Gjatë 15 muajve në vijim, do të mobilizojmë deri në 160 miliardë dollarë në formën e mbështetjes financiare, për t’i ndihmuar vendet të mbrojnë shtresat e varfra dhe të cenueshme, të mbështetin bizneset dhe të intensifikojnë rimëkëmbjen ekonomike, duke përfshirë edhe 50 miliardë dollarë nga burimet e Shoqatës Ndërkombëtare për Zhvillim në formë granti ose kredie me kushte tejet të buta.


DEKLARATA PËR SHTYP NR: 2020/ECA/102

Kontakt

Uashington
Carl Hanlon
(202) 460 8526
chanlon@worldbank.org
Uashington
Kym Smithies
(202) 458 0152
ksmithies@worldbank.org
Uashington
Sona Panajyan
(202) 473 9751
spanajyan@worldbank.org
Api
Api