Skip to Main Navigation
NJOFTIME PËR SHTYP 29 prill 2020

Ballkani Perëndimor rrezikohet nga recesioni, ndërsa vendet i kundërpërgjigjen sëmundjes COVID-19

Uashington, 29 prill 2020 – Rajoni i Ballkanit Perëndimor pritet të bjerë në recesion në vitin 2020, ku të gjashtë vendet parashikojnë normë negative të rritjes ekonomike teksa vijojnë përpjekjet për të trajtuar efektet ekonomike të pandemisë së COVID-19 (koronavirusit).

Rritja rajonale për Ballkanin Perëndimor parashikohet të jetë nga -3 deri -5,6 për qind, sipas Raportit të fundit të Rregullt Ekonomik (RER) të Bankës Botërore, i cili përdor një skenar bazë dhe një skenar negativ për shkak të nivelit të lartë të pasigurisë që ka shkaktuar kjo pandemi. Skenari bazë hamendëson që përhapja e pandemise në Europë do të ngadalësohet së shpejti e kështu masat kufizuese mund të hiqen deri nga fundi i qershorit pas së cilës do të pritej një rimëkëmbje graduale në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2020. Skenari negativ hamendëson zgjatje në kohë të përhapjes së pandemisë e kështu masat kufizuese do të mund të hiqeshin jo më herët se fundi i gushtit, ku veprimtaria ekonomike do të mund ta rimerrte veten jo më herët se në tremujorin e fundit të vitit 2020.

“Magnituda e recesionit varet nga kohëzgjatja e pandemisë në Europë. Megjithëse vështirë të parashikohet me saktësi efekti ekonomik i kësaj pandemie në rajon, nuk ka dyshim se pandemia po sjell pasoja të rënda për jetën e njerëzve në mbarë rajonin, duke ngarkuar me një barrë të rëndë sistemet e kujdesit shëndetësor, duke paralizuar veprimtarinë ekonomike dhe duke cenuar mirëqenien e njerëzve,” – thotë Linda Van Gelder, Drejtoreshë Rajonale për Ballkanin Perëndimor pranë Bankës Botërore.

“Në periudhën afatmesme, shkalla e rritjes ekonomike pritet të ngrihet fuqimisht në rajon, me kthimin gradual në normalitet të veprimtarisë ekonomike, por kjo varet edhe nga kohëzgjatja dhe intensiteti i krizës së tanishme, si edhe nga hapat që do të marrin politikëbërësit për t’iu përgjigjur kësaj pandemie.”

Image

Recesioni në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor vjen si pasojë e një rënieje të konsiderueshme të kërkesës së brendshme dhe të jashtme gjatë pandemisë. Kufizimet e vendosura mbi udhëtimet dhe masat e ruajtjes së distancës sociale kanë një efekt të zgjatur në veçanti mbi turizmin dhe mbi shërbimet, ku këto të fundit përbëjnë rreth 50 për qind të gjithë punësimit në pesë vende të rajonit dhe 75 për qind në Malin e Zi. Pengesat e shkaktuara në anën e ofertës dhe rënia e kërkesës cenojnë më tej shumë sektorë prodhues, ndërsa kufizimet me likuiditetin dhe pasiguria akute kanë asfiksuar investimet.

Risku kryesor për Ballkanin Perëndimor është se një pandemi e zgjatur, si edhe një recesion më i thellë brenda Bashkimit Europian, do të mund ta bënin të vështirë zgjidhjen e krizës ekonomike që do të pasonte.

Sipas raportit, efekti shoqëror dhe ekonomik i kësaj krize mund të kufizohet me masa të shpejta dhe të guximshme zbutëse. Qeveritë e të gjashtë vendeve kanë shpallur masa fiskale dhe sociale në mbështetje të familjeve dhe bizneseve gjatë situatës së jashtëzakonshme, të cilat zënë nga 1 për qind deri në 6,7 për qind të PBB-së. Vendet të cilat kriza i zuri me hapesira më të mëdha fiskale dhe amortizues të jashtëm, falë administrimit të shëndoshë makroekonomik gjatë viteve të fundit, kanë mundësi më të shumta për të financuar programe më të mëdha mbështetëse.

Masat afatshkurtra në përgjigje të krizës janë harmonizuar me politikat e shumicës së vendeve të BE-së. Megjithatë, në Ballkanin Perëndimor janë më të përhapur vetëpunësimi, puna me orar të pjesshëm dhe të ardhurat nga veprimtaritë joformale. Njerëzit të cilët mbështeten te këto burime janë më të pambrojtur nga efekti i krizës dhe vështirë të përfitojnë nga masat e marra.

Sipas raportit, mund të jetë e nevojshme që këto grupe të cënueshme të mbështeten përmes masave të përshtatura sipas kushteve të vendit.  Për shembull, të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor kanë njoftuar shtrirje më të madhe të programeve ekzistuese të transfertave sociale në mënyrë që të mbështeten edhe edhe familjet e vetëpunësuara apo grupet e cënueshme.  Për shkak se nuk dihet sa do të zgjasë kriza, të gjithë politikëbërësit hasin dilemën e njëjtë: përdorimi i të gjithë hapësirës fiskale për të zbutur efektet imediate të krizës mund të ishte joefikas nëse kriza do të zgjaste më shumë. Prandaj përgjigjja ndaj krizës duhet të jetë e kujdesshme për të zbutur efektet e menjëhershme, për t’iu përshtatur realiteteve të reja që mund të shfaqen, si dhe duke lënë hapësirë për të përgatitur rimëkëmbjen ekonomike.

Raporti fokusohet te ndikimi makroekonomik që ka COVID-19 në vendet e Ballkanit Perëndimor duke  shërbyer si bazë për analiza të mëtejshme. Një seri analizash në kuader të RER do të fokusohen në efektin në fusha të veçanta ekonomike, sektorët shoqërorë dhe në aspektin e varfërisë dhe shpërndarjes së të ardhurave në rajon dhe do të publikohen elektronikisht gjatë muajit maj.

Kontakte:

Në Uashington DC: Kym Smithies, ksmithies@worldbank.org

Në Shqipëri: Ana Gjokutaj, agjokutaj@worldbank.org

Në Bosnjë dhe Hercegovinë: Sanja Tanic, stanic1@worldbank.org

Në Kosovë: Lundrim Aliu, laliu1@worldbank.org

Në Mal të Zi: Sanja Tanic, stanic1@worldbank.org

Në Maqedoninë e Veriut: Anita Bozinovska, abozinovska@worldbank.org

Në Serbi: Vesna Kostic, vkostic@worldbank.org


DEKLARATA PËR SHTYP NR: 2020/ECA/91

Api
Api