Skip to Main Navigation
NJOFTIME PËR SHTYP 9 prill 2020

Evropa dhe Azia Qendrore: sistemet shëndetësore, sistemet e mbrojtjes sociale dhe mbështetja për bizneset janë të gjitha me rëndësi kritike për mbrojtjen e jetës dhe të mjeteve të jetesës

UASHINGTON, 8 prill 2020 – Masat e vendosura politike, të cilat u japin përparësi investimeve në sistemet e kujdesit shëndetësor dhe sigurojnë mbrojtje sociale për popullin, sidomos për shtresat më pak të mbrojtura, kanë rëndësi kritike për zbutjen e efekteve të pandemisë së COVID-19 (koronavirusit) në Europë dhe Azinë Qendrore, thuhet në Përditësimin Ekonomik të Pranverës 2020 për këtë rajon.

Vendet e këtij rajoni mund të ndihmojnë ruajtjen e veprimtarisë ekonomike edhe nëpërmjet mbështetjes së sektorit privat me kredi të përkohshme biznesi, ulje të tatimeve apo shtyrje në kohë të pagimit të tatim-taksave. Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, të cilat preken mund të përfitojnë ndjeshëm nga subvencione shtetërore me përfitues të përcaktuar.

“Gjatë këtyre kohëve, si rrallë ndonjëherë të vështira, është e domosdoshme që politikëbërësit të veprojnë me vendosmëri,” – thotë Cyril Muller, Zëvendespresident i Bankës Botërore për Europën dhe Azinë Qendrore. – “Kjo do të thotë se duhet vepruar me shpejtësi për t’i fuqizuar sistemet e shëndetësisë dhe të mbrojtjes sociale, për ta mbështetur sektorin privat dhe për ta ruajtur stabilitetin dhe besimin financiar, duke qenë se të gjitha këto kanë rëndësi kritike për jetën e njerëzve.”

Pasojat ekonomike të COVID-19 janë ndjeshëm të vështira për t’u parashikuar. Për këtë arsye, në raport jepen simulime për të ilustruar gamën e rezultateve të rritjes ekonomike që mund të realizohen si pasojë e pandemisë. *Skenarët sugjerojnë se ekonomia rajonale do të bjerë në recesion në vitin 2020, duke u tkurrur me një shkallë nga –2,8 për qind deri në –4,4 për qind, si pasojë e frenimit të shkaktuar nga pandemia e koronavirusit, por do ta rimarrë veten në vitin 2021 me marrjen e masave per politika, me rimëkëmbjen e çmimeve botërore të mallrave bazë dhe me fuqizimin e tregtisë.

“Distancimi social dhe mbyllja e bizneseve jothelbësore dhe e shkollave janë masa të nevojshme për frenimin e përhapjes së pandemisë dhe për ruajtjen e jetëve,” – thotë Asli Demirgüç-Kunt, krye-ekonomist i Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore. – “Por, ndërkohë, duhet të ketë politika, të cilat të synojnë minimizimin e kostove ekonomike të këtyre masave dhe të sigurojnë një rimëkëmbje të shpejtë e jo të stërzgjatur, me të marrë fund pandemia.”

Masa të tilla mbështetëse si dërgesa monetare ose subvencione shëndetësore për t’i ndihmuar personat dhe familjet e pambrojtura dhe kreditë e përkohshme bizneset dhe lehtësitë fiskale për bizneset do të kenë rëndësi kritike për ta amortizuar rënien ekonomike dhe të ruajtur vendet e punës, thuhet në raport.

Pandemia e COVID-19 po zhvillohet në kohëra delikate për të gjithë rajonin. Shkalla e rritjes së tregjeve të reja dhe ekonomive në zhvillim në Evropë dhe Azinë Qendrore ka rënë në 2,2 për qind në vitin 2009. Prej muajit shkurt, rajoni përballet me një betejë të vështirë për t’i bërë ballë krizës shëndetësore urgjente, krahas sfidave afatgjata që sjell kjo pandemi globale.

Grupi i Bankës Botërore është duke marrë masa të gjera e të shpejta për t’i ndihmuar vendet në zhvillim ta fuqizojnë kundërpërgjigjen që po i japin pandemisë, ta rritin mbikëqyrjen epidemiologjike, t’i përmirësojnë ndërhyrjet e shëndetit publik dhe ta ndihmojnë sektorin privat të vijojë ushtrimin e aktivitetit dhe ruajtjen e vendeve të punës. Ai do të mobilizojë deri në 160 miliardë $ gjatë 15 muajve në vijim, për t’i ndihmuar vendet të mbrojnë shtresat e varfra dhe të pambrojtura, të mbështetin bizneset dhe të intensifikojnë rimëkëmbjen ekonomike.

*Skenarët e raportit mbështeten në të dhënat deri më 20 mars 2020.


DEKLARATA PËR SHTYP NR: 2020/ECA/70

Kontakt

Uashington
Carl Hanlon
(202) 460-8526
chanlon@worldbank.org
Api
Api