Uashington, 14 nëntor 2019 – Shqipëria do të përmirësojë më tej barazinë gjinore në duke rritur mundësite ekonomike për gratë me mbështetjen e një huaje prej 10 milionë USD aprovuar sot nga Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të Bankës Botërore. Ky financim do të mbështesë përpjekjet e qeverisë për përmirësimin e barazisë gjinore përmes njohjes së pronësisë së gruas në pasuritë e paluajtshme, krijimit të mundësive për to në aktivitete që gjenerojnë të ardhura, si dhe forcimit të politikave mbi barazinë gjinore.
“Qeveria e Shqipërisë ka shënuar arritje të rëndësishme për të zvogëluar hendekun gjinor në fushat sociale dhe ekonomike. Shqipëria ka arritur barazim pothuaj të plotë gjinor në arsim dhe shëndetësi. Shkalla e përfaqësimit politik dhe vendimmarrës i grave është mbresëlënës në nivelin e lartë qeverisës dhe atë të shërbimit civil”, tha Anila Denaj, Ministre e Financave dhe Ekonomisë të Shqipërisë. “Aktualisht qeveria po trajton pabarazinë gjinore në qasjen ndaj mundësive ekonomike për gratë. Ne besojmë se programi i Bankës Botërore do të ndihmojë në kapërcimin e pengesave që lidhen me punësimin dhe përfaqësimin e tyre të suksesshëm në tregun e punës.”
Pavarësisht përmirësimeve të viteve të fundit, kufizime ligjore apo rregullatore së bashku me mangësi në zbatimin e ligjit, ende pengojnë shfytëzimin e plotë të mundësive ekonomike për gratë. Sipas vlerësimeve, vendi humbet çdo vit rreth 20 përqind të PBB-së për shkak të të përfaqësimit të ulët të grave në forcën e punës, numrit të lartë të punëve të paguara jo në shkallën e duhur në disa nga sektorët si dhe pagës mesatare më të ulët se burrat në disa nga pozicionet ngjashme pune.
“Shqipëria mund të arrijë potencialet e veta vetëm atëhere kur çdokush mund të marrë pjesë dhe kontribuojë aktivisht në ekonomi,” tha Linda Van Gelder, Drejtoresha Rajonale e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor. “Banka Botërore është e angazhuar të punojë me Qeverinë e Shqipërisë që barazia ekzistuese gjinore të përkthehet në rezultate në tregun e punës dhe mundës sipërmarrëse për gratë.”
Huaja për politikat e zhvillimit është një instrument i Bankës Botërore që mbështet politikat programore dhe masat institucionale të një vendi për të nxitur rritjen ekonomike dhe uljen e varfërisë. Kjo hua është programi i parë i këtij lloji në Bankën Botërore që ka në fokus barazinë gjinore duke synuar të tregojë se reformat e fokusuara në këtë drejtim mund të sjellin ndikim të dukshëm. Ai është ngushtësisht i lidhur me Planin Kombëtar të Zhvillimit të Shqipërisë për vitet 2016-2020 dhe mbështet plotësimin e kushteve për hyrjen e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Disa nga veprimet tashmë të ndërmarra nga qeveria shqiptare në lidhje me këtë program përfshijnë:
- Rritje të numrit të rregjistrimeve me gratë bashkëpronare, si dhe një legjislacion e rregulla të përmirësuara që i mundësojnë grave të përdorin pronën për të siguruar financime;
- Krijimi i kushteve më të mira për gratë për të marrë pjesë në tregun e punës duke i kërkuar tenderuesve në tenderat e prokurimit publik të nënshkruajnë një deklaratë mosdiskriminimi;
- Rritje të incentivave për gratë me fëmijë që të përfshihen në tregun e punës duke përmirësuar raportin student- mësues në ciklin parashkollor në disa bashki, çka do të rrisë cilësinë në arsimin parashkollor;
- Rritje të numrit të grave, përfshirë edhe ato të kategorizuara si vulnerabël, që punësohen përmes Shërbimit Kombëtar të Punësimit; dhe,
- Rritje të programeve të buxhetimit që mundësojnë reflektimin mbi politika që lidhen me rritjen e rolit të grave në ekonomi.
Kjo hua pritet të mbështetet nga një financim prej 50 milionë Euro nga Agjencia Franceze e Zhvillimit.