Shkup, 29 nëntor, 2018 – Ish Republika Jugosllave (IRJ) e Maqedonisë posedon potencial të konsiderueshëm për të përshpejtuar rritjen ekonomike, për të zbutur varfërinë, si dhe për të arritur përmirësime të standardit të jetesës së qytetarëve të saj, veçanërisht për ata që kanë të ardhura shumë të pakta, thotë raporti i ri i Bankës Botërore i lëshuar sot. Raporti thotë që për të arritur këtë vendi duhet të shfrytëzojë përparësitë e saja konkurruese, përfshi dhe pozitën strategjike dhe transparencën drejt tregtimit dhe investimeve, ndërsa i adreson edhe disa sfida urgjente dhe me kujdes i menaxhon rreziqet.
Arritja e një të Ardhmeje më të Ndritur për të Gjithë është një Diagnostifikim Sistematik i Shtetit (DSSH), një punë analitike që e shqyrton progresin e IRJ të Maqedonisë përgjatë 27 viteve që nga pavarësia e saj duke i vlerësuar edhe pengesat edhe mundësitë për një rritje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme, si dhe duke i identifikuar prioritetet e politikave për të përkrahur zhvillimin e vendit.
“Rritja e produktivitetit të ekonomisë, të mundësive për vende të reja pune për të gjithë, si dhe arritja e qëndrueshmërisë fiskale, sociale dhe mjedisore do t’i mundësonte IRJ të Maqedonisë të maksimizojë përfitimet nga integrimi në BE dhe të mbyll hendekun e të ardhurave me Evropën, duke pasur më tepër vende pune dhe të paguara më mire për të gjithë qytetarët e saj”, theksoi Linda Van Gelder, Drejtore Rajonale e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor.
DSSH identifikon tri rrugë plotësuese që IRJ e Maqedonisë do të duhet të merr për të shfrytëzuar mundësitë e reja dhe për të ndihmuar vendin që të përballojë sfidat.
Rruga e parë është të nxit një sektor privat më dinamik dhe më konkurrues. Kjo rrugë i eksploron sfidat dhe mundësitë konkrete që lidhen me krijimin e një sektori privat të integruar globalisht që krijon sa më tepër vende pune produktive. Rruga e dytë ka të bëjë me investimin në njerëz për të ndërtuar një fuqi pune konkurruese dhe përshtatëse, si dhe për të mbyllur zbrazëtirat ndërmjet mundësive. Kjo rrugë i shqyrton sfidat dhe mundësitë për të avancuar gjithpërfshirjen sociale duke i përmirësuar rezultatet në arsim dhe shëndetësi, si dhe duke i mbrojtur të varfërit dhe të margjinalizuarit nga tronditjet ekonomike. Rruga e tretë ka të bëjë me arritjen e qëndrueshmërisë ekonomike, sociale dhe mjedisore nëpërmjet qeverisjes efikase, maturisë fiskale, si dhe menaxhimin e zmadhuar të mjedisit për të qenë më i përballueshëm ndaj rreziqeve natyrore dhe ndryshimeve klimatike.
Gjithashtu, DSSH identifikon prioritete të politikave për të ndihmuar IRJ të Maqedonisë të arrijë rritje më të shpejtë, më gjithpërfshirëse dhe më të qëndrueshme. Diagnostikimi identifikon 10-të fusha prioritare për reforma, si dhe masa konkrete për secilën fushë prioritare. Këto masa synojnë të kenë ndikim pozitiv në së paku njërën nga rrugët e identifikuara, por shpeshherë ndikojnë në më tepër. Në majë të listës, duke u bazuar në ndikimin e pritur, është nevoja për reforma, të cilat mund ta forcojnë sundimin e shtetit të së drejtës, të pajisin të gjithë njerëzit me shkathtësi përkatëse, si dhe të përmirësojnë aftësinë e kompanive lokale për të garuar në nivel global.
“Suksesi i reformave të IRJ të Maqedonisë për të adresuar të gjitha fushat e identifikuara prioritare do të varet nga aftësia për të vepruar guximshëm dhe për të ruajtur ritmin e qëndrueshëm të reformave. Vizioni i përbashkët politik dhe ndërgjegjësimi publik do të sigurojnë që politika ditore të mos e ul efektin e ritmit të reformave,” thotë Marco Hernandez, bashkë autor i DSSH. “Është ambicioze, por realistike të mendohet se në dekadat e ardhshme, nëpërmjet këtyre reformave, vendi do të ndërtojë një shoqëri të qëndrueshme të klasës së mesme duke i nivelizuar mundësitë për të gjithë qytetarët, pa dallim vendndodhjes së tyre, gjinisë, etnisë, moshës ose tipareve të tjera personale,” shtoi Cesar Cancho, po ashtu bashkë autor i DSSH.
Gjatë përpilimit të raportit, ekipi i DSSH u këshillua me aktorë të ndryshëm, përfshi dhe qeveritarë, akademinë, grupe të shoqërisë qytetare, përfaqësues të sektorit privat, si dhe partnerë zhvillimorë në rajone të ndryshme të IRJ të Maqedonisë për të udhëhequr identifikimin e kufizimeve të detyrueshme dhe përvojave të suksesshme të rritjes dhe gjithëpërfshirjes në vend. Një pjesë e procesit të këshillimeve përfshiu një thirrje publike për studime, duke i ftuar hulumtuesit e rinj të Maqedonisë të dorëzojnë idetë e tyre në fusha të llojllojshme të zhvillimit.
Diagnostifikimi Sistematik i Shtetit do ta përkrah Kornizën e re për Partneritet të Shtetit (ang. CPF), e cila do ta udhëheq përkrahjen e Grupit të Bankës Botërore për vendin gjatë katër viteve të ardhshme.