Skip to Main Navigation
NJOFTIME PËR SHTYP 31 tetor 2018

Raporti i Të Bërit Biznes: Kosova përmirëson më tej rregulloret e veta të biznesit, por reformat duhet të jenë më dinamike

PRISHTINË, 31 tetor, 2018 – Kosova ka vazhduar të përmirësojë mjedisin vendor të biznesit, duke iu afruar më shumë kufirit të praktikave më të mira globale në rregullimin e biznesit, thotë Raporti i Të Bërit Biznes 2019: Trajnimet për Reforma i Grupit të Bankës Botërore, i cili u botua sot.

Sipas raportit, Kosova e ka përmirësuar rezultatin e saj nga 73.71 në 74.15 pikë, ku një rezultat më i lartë tregon një mjedis më efikas biznesi dhe institucione më të forta ligjore. Sidoqoftë, meqë renditja varet edhe nga reformat dhe lëvizjet në renditjen e të tjerëve, në raportin e këtij viti Kosova ka dëshmuar një rënie te vogël në renditjen relative, nga vendi i 40-të në vendin e 44-të.

"Jemi të lumtur të shohim se Kosova është duke iu afruar standardeve më të mira të rregullimit të biznesit, por renditja tregon edhe se reformat duhet të lëvizin më shpejt, pasi Kosova duhet të jetë më konkurruese", u shpreh Marco Mantovanelli, Menaxher për Kosovën i Bankës Botërore. "Banka Botërore mbetet e përkushtuar ndaj përkrahjes për Kosovën që të krijojë kushtet për rritje ekonomike më të qëndrueshme, të orientuar nga eksporti dhe gjithëpërfshirëse, çka do t'u sillte qytetarëve të vendi mundësi më të mëdha për një jetë më të mirë", shtoi ai.

Raporti i të Bërit Biznes 2019 vëren se qeveritë në mbarë botën kanë vendosur një rekord të ri në përpjekjet për zhbërjen e burokracisë për sektorin privat vendor, duke zbatuar 314 reforma të biznesit gjatë vitit të kaluar.

Reformat, të kryera në 128 ekonomi, sjellin përfitime për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe për sipërmarrësit, duke mundësuar krijimin e vendeve të punës dhe stimulimin e investimeve private. Reformat e këtij viti e tejkalojnë nivelin më të lartë të 290 reformave të dy viteve më parë.

"Sektori privat është çelësi për krijimin e një rritjeje të qëndrueshme ekonomike dhe dhënien fund varfërisë në mbarë botën", tha Presidenti i Grupit të Bankës Botërore Jim Yong Kim. "Rregullat e drejta, efikase dhe transparente, të cilat promovohen nga Të Bërit Biznes, janë themeli i një ekonomie dhe mjedisit ndërmarrës dinamik. Është me rëndësi kritike që qeveritë të përshpejtojnë përpjekjet për të krijuar kushtet që ndërmarrësia private të lulëzojë dhe komunitetet të përparojnë".

Raporti konstaton se reformat po zhvillohen aty ku ato janë më të nevojshme, me ekonomitë me të ardhura të ulëta dhe me të ardhura të mesme të ulëta që kanë kryer 172 reforma. Në Afrikën Sub-Sahariane, një numër rekord prej 40 ekonomish zbatuan 107 reforma, një rekord i ri në numrin e reformave për vitin e tretë radhazi për rajonin. Rajoni i Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut arriti maja të reja me 43 reforma.

Treguesi i Fillimit të një Biznesi vazhdoi të shihte përmirësimet më të mëdha, me 50 reforma këtë vit. Zbatimi i Kontratave dhe Marrja e Energjisë Elektrike dëshmuan reforma historike, me 49 dhe 26, respektivisht.

Në renditjen vjetore të Grupit të Bankës Botërore për lehtësinë e të bërit biznesit, 10 ekonomitë e para janë Zelanda e Re, Singapori dhe Danimarka, të cilat i ruajnë vendet e tyre përkatëse, të parë, të dytë dhe të tretë, për të dytin vit radhazi, pasuar nga RSA Hong Kong, Kinë; Republika e Koresë; Gjeorgjia; Norvegjia; Shtetet e Bashkuara; Mbretëria e Bashkuar dhe IRJ e Maqedonisë.

10 përmirësuesit e parë të këtij viti, bazuar në reformat e ndërmarra, janë Afganistani, Xhibuti, Kina, Azerbajxhani, India, Togo, Kenia, Bregu i Fildishtë, Turqia dhe Ruanda. Me gjashtë reforma secili, Xhibuti dhe India janë mes 10 më të mirëve për vitin e dytë radhazi. Afganistani dhe Turqia, mes përmirësuesve kryesues për herë të parë, zbatuan rekorde të reformave njëvjeçare, përkatësisht pesë dhe shtatë.

Këtë vit, "Të Bërit Biznes" grumbulloi të dhëna për trajnimet që iu ofrohen zyrtarëve publikë dhe përdoruesve të regjistrave të biznesit dhe tokës. Një rast studimor në raport, i cili analizon këto të dhëna, konstaton se trajnimi i detyrueshëm dhe vjetor për zyrtarët përkatës shoqërohet me regjistrime më efikase të biznesit dhe të tokës.  Një studim i dytë konstaton se trajnimi i rregullt për zyrtarët e zhdoganimit dhe agjentët rezulton në kohëzgjatje më të ulët të kalimit të kufirit dhe kontrollit të pajtueshmërisë së dokumenteve, duke lehtësuar lëvizjen e mallrave përtej kufijve. Dy raste të tjera studimore fokusohen në përfitimet e akreditimit të elektricistëve dhe trajnimit të gjyqtarëve.

Që nga fillimi i tij në vitin 2003, janë kryer më shumë se 3,500 reforma të biznesit në 186 nga 190 ekonomitë që monitoron Të Bërit Biznes.

Rajoni i Evropës dhe Azisë Qendrore, i cili përfshin Kosovën, këtë vit përfaqësohet me dy nga 10 ekonomitë me renditjen më të lartë në botë, me Gjeorgjinë që ngjitet në vendin e 6-të (nga i 9-ti vitin e kaluar) dhe IRJ të Maqedonisë që ngjitet një vend, duke kapur vendin e dhjetë. Rajoni gjithashtu përfaqësohet me dy nga përmirësuesit kryesues të këtij viti, Azerbajxhanin dhe Turqinë. Ritmi i reformave u përshpejtua në rajon, me 54 reforma të zbatuara gjatë vitit të kaluar, krahasuar me numrin e rishikuar prej 43 reformave të vitit të kaluar. Teksa reformat në rajon mbuluan të gjitha fushat e Të Bërit Biznesit, shumë përmirësime u fokusuan në lehtësimin e lejeve të ndërtimit dhe tregtisë ndërkufitare.

Raporti i plotë dhe grupet e të dhënave të tij janë në dispozicion në www.doingbusiness.org


DEKLARATA PËR SHTYP NR: 2019/ECA/54

Kontakt

Uashington
Indira Chand
+1 (202) 458-0434, +1 (703) 376-7491
ichand@worldbank.org
Prishtinë
Lundrim Aliu
laliu1@worldbank.org
Api
Api