Indeksi i ri i Bankës Botërore për Kapitalin Njerëzor mat se sa humbin vendet në produktivitetin ekonomik duke investuar pak në njerëzit e tyre
PRISHTINË, 11 tetor 2018—Hulumtimi i ri i Bankës Botërore, i cili u lansua sot, u ofron politikë-bërësve në Kosovë dhe në tërë botën dëshmi bindëse se sigurimi i kushteve më të mira për shëndetin e dhe arsimimin e fëmijëve mund të rris në mënyrë domethënëse të hyrat e njerëzve – si dhe vendeve – me përfitime në të ardhmen.
Kapitali njerëzor – njohuritë, shkathtësitë dhe shëndeti që i akumulojnë njerëzit gjatë jetës së tyre – ka qenë një faktor kyç i rritjes së qëndrueshme ekonomike dhe uljes së shkallës së varfërisë në shumë vende në shekullin e 20-të, sidomos në Azinë Lindore.
“Për njerëzit më të varfër, kapitali njerëzor shpesh është kapitali i vetëm që ata e posedojnë,” tha Presidenti i Grupit të Bankës Botërore, Jim Yong Kim. “Kapitali njerëzor është shtytësi kryesor i rritjes së qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse ekonomike, por shëndeti dhe arsimimi i njerëzve nuk kanë fituar vëmendjen e merituar. Dua që ky Indeks – i cili ofron një lidhje të drejtpërdrejtë në mes të kushteve në shëndetësi dhe arsim me produktivitetin e së ardhmes – që t’i shtyjë vendet që të ndërmarrin veprime për përmirësimin e këtyre kushteve.”
“Standardi po rritet për të gjithë,” Kim shtoi. “Kapitali njerëzor është i rëndësishëm për të gjitha vendet, në të gjitha nivelet e të hyrave, për të konkurruar në ekonominë e së ardhmes.”
Indeksi i Kapitalit Njerëzor, i cili u lansua sot në Takimet Vjetore të Bankës Botërore dhe FMN-së, tregon se një fëmijë i lindur sot në Kosovë do të jetë vetëm 56 për qind produktiv kur të rritet në krahasim me fëmiun që do të kishte arsimim komplet dhe shëndet të plotë.
Indeksi i Kapitalit Njerëzor i Kosovës është nën mesataren e rajonit, por mbi mesataren e grupit të saj të të hyrave. Fëmijët në Kosovë pritet që të përfundojnë 12.8 vite të shkollimit parafillor, fillor dhe të mesëm deri në moshën 18 vjeçare. Megjithatë, kur vitet e shkollimit nivelohen me cilësinë e arsimit, atëherë arsimimi i tyre është i barabartë vetëm me 7.7 vite, që do të thotë se ata kanë një mungesë prej 5.1 viteve. Sa i përket rezultateve për shëndetësi, raporti tregon se 99 nga 100 fëmijët e lindur në Kosovë mbijetojnë moshën 5 vjeçare. Raporti gjithashtu vlerëson se 91 për qind e 15 vjeçarëve do të mbijetojnë të 60-tat.
“Për të përfituar nga përparësia demografike dhe për të prodhuar një rritje më të shpejtë dhe më gjithëpërfshirëse, sistemi i përgjithshëm i arsimit në Kosovë duhet të sigurojë mundësi më të mëdha për përvetësimin e shkathtësive që kërkohen nga punëdhënësit,” tha Marco Mantovanelli, Menaxheri i Bankës Botërore në Kosovë. “Përmirësimi i alokimit të investimeve për kapitalin njerëzor dhe fizik është qenësor për rritje më të shpejt dhe të qëndrueshme, dhe Banka Botërore ka kënaqësinë që të mbështes fuqishëm fokusin mbi këto sfida”, shtoi ai.
Banka Botërore është duke e mbështetur përpjekjet e Kosovës për fuqizimin e sistemeve të caktuara që i kontribuojnë përmirësimit të cilësisë, llogaridhënies, dhe efikasitetit të arsimit në vend përmes Projektit për Përmirësimin e Sistemit Arsimor të Kosovës (kredia prej 11 milion dollar amerikan).
Banka Botërore është gjithashtu duke e ndihmuar Kosovën që të përmirësojë mbrojtjen financiare nga shpenzimet për shëndetësi për të varfërit si dhe cilësinë e kujdesit për shëndetin prioritar amënor dhe për fëmijë si dhe shërbimet për sëmundjet kronike në Kosovë, përmes Projektit për Shëndetësinë e Kosovës (kredia prej 25.5 milion dollar amerikan).
Indeksi i Kapitalit Njerëzor mat sasinë e kapitalit njerëzor që mund ta arrijë një fëmijë i lindur sot kur t’i mbush 18 vjet, duke pasur parasysh rreziqet nga shëndeti dhe arsimimi i dobët që mbretërojnë në vendin ku ai ose ajo jeton. Këto masa përfshijnë:
- Mbijetesën – A do ta mbijetoj fëmija i lindur sot moshën e shkollës?
- Shkolla – Sa vite shkollim do të përfundojnë dhe sa do të mësojnë?
- Shëndeti –A do ta kryejnë shkollën me shëndet të mirë, i gatshëm për mësim të mëtutjeshëm dhe/ose për punë si i/e rritur?
IKNj reflekton produktivitetin e një fëmije që ka lindur sot si një punëtor i ardhshëm, duke e krahasuar se çka do të mund të ndodhte nëse ai ose ajo do të kishte shëndet të plotë dhe arsimim të cilësisë së lartë të përfunduar, në një shkallë prej zero deri në një, ku një do të ishte rezultati më i mirë i mundshëm. Për shembull, rezultati 0.5 i një vendi do thoshte se individët – si dhe vendi si tërësi – janë duke i paraprirë gjysmës së potencialit të tyre të ardhshëm ekonomik. Duke e llogaritur me 50 vite, kjo përkthehet në humbje të thella ekonomike: 1.4 për qind e humbjes vjetore në rritjen GDP.
Kontaktet:
Në Bali: Nicole Frost +1 (202) 415-6302, nfrost@worldbank.org
David Theis +1 (202) 203-0601, dtheis@ëorldbank.org
Në Washington: Christopher Walsh, (202) 473-4594, cwalsh@worldbankgroup.org
Në Prishtinë: Lundrim Aliu, +381382244541100, laliu1@worldbank.org
Për kërkesa për Transmetim: Huma Imtiaz, +1 (202) 290-4864, himtiaz@worldbankgroup.org
#InvestInPeople #HumanCapital