Skip to Main Navigation
NJOFTIME PËR SHTYP 25 prill 2018

Banka Botërore mbështet akses më të mirë dhe të sigurt ndaj mundësive ekonomike për 80.000 banorë në Shqipëri

UASHINGTON, 25 prill 2018— Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të Bankës Botërore aprovoi sot një projekt prej 50 milionë dollarësh për Lidhjen e rrugëve rajonale dhe lokale për Republikën e Shqipërisë. Projekti mbështet përmirësimin e aksesit në zona turistike dhe bujqësore në Shqipëri si dhe forcimin e kapaciteteve të bashkive për menaxhimin e aseteve të tyre rrugore.

Kushtet aktuale të rreth gjysmës së rrjetit rrugor rajonal e lokal nuk e mbështesin mjaftueshëm aksesin në shërbimet publike bazë apo në aktivitete ekonomike. Kjo gjendje pengon zhvillimin e industrisë së turizmit si dhe të sektorit bujqësor. Lidhja e mirë e rrugëve është shumë e rëndësishme për zhvillimin e vendit. Banka Botërore ka kontribuar edhe në të kaluarën në përmirësimimin e rrugëve rurale dhe lëvizjen e njerëzve në të gjithë vendin, por lipset të bëhet më shumë për të konsoliduar përmirësimet e rrjetit rrugor në mënyrë të qëndrueshme që të nxitet rritja ekonomike. Projekti mbështetet mbi këtë përvojë të mëparshme. 

“Projekti i ri do të fokusohet në prioritizimin e atyre ndërhyrjeve që sjellin përfitim më të madh ekonomik duke mbështetur sektorë produktivë, në veçanti bujqësinë dhe turizmin”, tha Maryam Salim, Menaxhere e Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri. “Zhvillimi i turizmit dë të përfitojë nga përmirësimi i rrugëve që çojnë drejt destinacioneve ekzistuese apo potenciale turistike. Projekti po ashtu, do të ndihmojë integrimin e fermerëve në zinxhirin agro-ushqimor dhe pjesëmarrjen e tyre në tregje, veçanërisht të grave, të cilat përbëjnë shumicën e forcës së punës në bujqësi në Shqipëri”.

Më specifikisht, projekti do të financojë rehabilitimin e rreth 55 km rrugë rajonale dhe lokale, duke përmirësuar lidhjen dhe sigurinë rrugore në zona ku jetojnë afro 80,000 banorë. Programi për vitin e parë të projektit përfshin tri segmente rrugore të njohura për rëndësinë e tyre në zhvillimin e turizmit dhe/ose të bujqësisë siç janë rrugët Fier-Seman, Pogradec-Tushemisht dhe Qafë Thore-Theth. Këto segmente rrugore janë përzgjedhur bazuar në analizimin e shumë kritereve. Rehabilitimi i rrugëve do të përfshijë edhe zgjidhje të përshtatjes ndaj kushteve klimatike që lidhen me përmbytje apo rrëshqitje dheu. Projekti gjithashtu do të nxisë punësimin e grave në sektorin e rrugëve në Shqipëri. Agjencia zbatuese e projektit do të jetë Fondi Shqiptar i Zhvillimit, i njohur për eksperiencën e gjerë me projekte rrugësh.

Qasja e prioritizimit të investimeve që do të përdorë projekti do të shërbejë edhe në të ardhmen si një kuadër politikash për investime të reja në ndërtimin, rehabilitimin dhe mirëmbajtjen e rrjetit rrugor, me financime vendase apo të huaja. 


DEKLARATA PËR SHTYP NR: 2018/ECA/94

Kontakt

Uashington
Kym Smithies
+1 (646) 407-8629
ksmithies@worldbank.org
Tiranë
Ana Gjokutaj
+(355-42) 284125
agjokutaj@worldbank.org
Api
Api