PRISHTINE, 26 tetor 2016 – Kosova ka vazhduar të bëjë përmirësime në mjedisin rregullator për biznes, thotë raporti më i ri i Grupit të Bankës Botërore për lehtësinë e të bërit biznes, Të Bërit Biznes 2017: Mundësi të Barabarta për të Gjithë.
“Kosova ka përmirësuar rregulloret e saj të biznesit, siç është regjistruar nga treguesit e raportit Të Bërit Biznes, që tregon se vendi është duke zbatuar reforma për të ngushtuar hendekun me kufirin rregullator global”, thotë Marco Mantovanelli, Menaxher i Bankës Botërore për Kosovë.
Raporti ka konstatuar përmirësim substancial të Kosovës në dy fusha. E para, Kosova ka bërë pagesën e tatimeve më të lehtë duke vënë në funksion një sistem online për plotësimin dhe pagesën e TVSH-së dhe kontributeve të sigurimit shoqëror, si dhe ka bërë pagesën e tatimeve më pak të kushtueshme duke lejuar që më shumë lloje të shpenzimeve të hiqen nga përllogaritja e tatimit në të ardhura të korporatave. E dyta, Kosova e ka bërë tregtinë përtej kufijve më të lehtë duke zvogëluar kohën dhe koston e mbledhjes së dokumenteve të nevojshme, si dhe kohën e plotësimit të kërkesave për eksport në kufi duke përmirësuar sistemin e vet të automatizuar të menaxhimit të të dhënave doganore, duke thjeshtësuar proceset për lejet doganore dhe duke zbatuar korridorin transit Shqipëri-Kosovë.
Këtë vit, Kosova renditet në vendin e 60 për lehtësinë e të bërit biznes. Kjo renditje nuk është e krahasueshme me atë të publikuar në raportin e Të Bërit Biznes 2016 kur Kosova ishte radhitur në vendin e 66, për shkak të zgjerimit të metodologjisë. Në një matricë të krahasueshme me të gjitha përshtatjet e bëra për të dhënat e Të Bërit Biznes 2016, renditja vitin e kaluar në raportin Të Bërit Biznes 2016 do të kishte qenë 64.
Një rekord i 137 ekonomive në mbarë botën kanë miratuar reforma kyçe për të bërë më të lehtë fillimin dhe punën e bizneseve të vogla dhe të mesme, thotë raporti më i ri vjetor i Grupit të Bankës Botërore për lehtësinë e të bërit biznes. Raporti i ri konstaton se vendet në zhvillim kanë kryer më shumë se 75 për qind të 283 reformave në vitin e kaluar, ku vetëm Afrika Sub-Sahariane ka kryer më shumë se një të katërtën e të gjitha reformave.
Në renditjen e saj globale të vendeve për efikasitetin e biznesit, Të Bërit Biznes 2017 i dha vendin e parë të lakmuar Zelandës së Re, Singapori renditet i dyti, i ndjekur nga Danimarka; Hong Kong SAR, Kina; Republika e Koresë; Norvegjia; Mbretëria e Bashkuar; Shtetet e Bashkuara; Suedia; dhe Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë. Dhjetë vendet me përmirësimin më të madh në botë, bazuar në reformat e ndërmarra, janë Brunei Darussalam; Kazakistani; Kenia; Bjellorusia; Indonezia; Serbia; Gjeorgjia; Pakistani; Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA); dhe Bahrejni.
Raporti citon një hulumtim që tregon se performanca e mirë në të Bërit Biznes është, mesatarisht, e lidhur me nivele të ulëta të pabarazisë në të ardhura, duke zvogëluar varfërinë dhe rritur prosperitetin e përbashkët.
“Rregulla të thjeshta që janë të lehta për t'u ndjekur janë shenjë se një qeveri i trajton qytetarët e saj me respekt. Ato japin përfitime të drejtpërdrejta ekonomike - më shumë ndërmarrësi; më shumë mundësi në treg për gratë; më shumë respekt për sundimin e ligjit”, tha Paul Romer, Krye-ekonomist dhe Zëvendës Presidenti i Lartë i Bankës Botërore. “Por ne gjithashtu duhet të kujtojmë se trajtimi me respekt është diçka që njerëzit e çmojnë për hir të saj dhe se qeveria që nuk i trajton qytetarët e saj në këtë mënyrë do të humbas aftësinë për të udhëhequr.”
Të dhënat e Të Bërit Biznes nxjerrin në pah suksese të vazhdueshme në lehtësinë e të bërit biznes në mbarë botën, pasi që qeveritë gjithnjë e më shumë po ndërmarrin reforma kyçe të biznesit. Fillimi i një biznesi të ri tani mesatarisht merr 21 ditë në mbarë botën, krahasuar me 46 ditë 10 vjet më parë. Pagesa e taksave në Filipine përfshinte pagesën e 48 taksave 10 vjet më parë, në krahasim me 28 tani dhe në Ruandë, koha për të regjistruar një bartje të pronës ka rënë nga 370 ditë sa ishte një dekadë më parë në 12 ditë tani.
Të Bërit Biznes këtë vit ia shton masat gjinore tre treguesve - Fillimi i një biznesi, Regjistrimi i pronës dhe Zbatimi i kontratave – duke treguar dallimet në mes të 38 ekonomive. Nga këto, 23 ekonomi imponojë më shumë hapa për gratë e martuara se për meshkujt për të filluar një biznes. Gjashtëmbëdhjetë kufizojnë të drejtën e grave për të zotëruar, përdorur dhe bartur pronën. Të Bërit Biznes konstaton se, në këto ekonomi, më pak gra punojnë në sektorin privat si në pozitën e punëdhënësve ashtu edhe në atë të punëmarrësve.
Raporti gjithashtu është zgjeruar në treguesin e Pagimit të Taksave, për të mbuluar proceset e pas-plotësimit, të tilla si rimbursimet e taksave, auditimet tatimore dhe ankesat administrative në tatim, për të kuptuar më mirë mjedisin e përgjithshëm të taksave. Që nga viti 2004, kur filloi Të Bërit Biznes, gjithsej janë 443 reforma të regjistruara në bazë të treguesit të Pagimit të Taksave, e dyta për kahe numri më i lartë i reformave, me 46 reforma të zbatuara vitin e kaluar. Megjithatë, lehtësimi i kërkesave për fillimin e biznesit është, deri tani, zona më e zakonshme për reforma, me pothuajse 600 reforma të regjistruara që nga viti 2004. Nga këto, 49 reforma u realizuan gjatë vitit të kaluar.
“Politikat e qeverisë luajnë një rol të madh në punën e përditshme të firmave vendase të vogla dhe të mesme dhe rregulloret e rënda mund të devijojnë energjitë e sipërmarrësve larg nga zhvillimi i bizneseve të tyre apo inovacioni. Kjo është arsyeja pse ne mbledhim të dhënat e Të Bërit Biznes, për të inkurajuar rregullore që janë të dizajnuara të jenë të zgjuara, efikase, të arritshme, dhe të thjeshta”, tha Augusto Lopez-Claros, Drejtor i Grupit të Treguesve Global të Bankës Botërore, e cila përgatiti raportin.
Raporti i Të Bërit Biznes i këtij viti përfshin një tregues pilot për rregullat e prokurimit publik. Raporti studion prokurimin në 78 ekonomitë përgjatë pesë fushave kryesore: qasja dhe transparenca, siguria e ofertës, vonesat e pagesës, stimuj për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe mekanizmat për ankesa. Prokurimi publik përfaqëson mesatarisht 10 deri në 25 për qind të GDP-së së një ekonomie, duke e bërë tregun e prokurimit grup të veçantë të mundësive afariste për sektorin privat.
Rajoni Azia Lindore dhe Paqësori është shtëpia e dy prej 10 ekonomive të renditura si më të mirat në botë, Singaporit dhe Hong Kong SAR, Kinë, si dhe e dy nga 10 përmirësuesit kryesorë, Brunei Darussalam dhe Indonezia. Ritmi i reformave u përmirësua në mënyrë të konsiderueshme gjatë vitit të kaluar, me ekonomitë e rajonit që zbatuan gjithsej 45 reforma për të përmirësuar lehtësinë e të bërit biznes.
Rajoni i Evropës dhe Azisë Qendrore ishte gjithashtu një reformator i madh gjatë vitit të kaluar, me Bjellorusinë, Gjeorgjinë, Kazakistanin dhe Serbinë në mesin e 10 përmirësuesve kryesorë në botë. Evropa dhe Azia Qendrore ka qenë vazhdimisht rajoni me numrin më të lartë mesatar të reformave për ekonomi dhe tani është afër që të ketë të vendosura praktikat e mira të njëjta si ekonomitë e OECD-së me të ardhura të larta.
Aktiviteti i reformave në biznes është përshpejtuar në Amerikën Latine dhe Karaibe ku mbi dy të tretat e ekonomive të rajonit kanë zbatuar gjithsej 32 reforma në vitin e kaluar, krahasuar me 24 reforma një vit më parë. Pjesa më e madhe e reformave kanë për qëllim përmirësimin e sistemeve të pagesave të taksave, lehtësimin e tregtisë ndërkufitare dhe fillimin e një biznesi të ri, ku Brazili zbatoi më së shumti reforma vitin e kaluar.
Rajoni i Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut ka parë më së shumti reforma të zbatuara në vitin e kaluar që nga viti 2009, me 35 reforma në 15 nga 20 ekonomitë e rajonit. Në mesin e reformatorëve, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahrejni ishin në mesin e 10 përmirësuesve kryesor në botë. Megjithatë, rajoni përmban pabarazitë më të mëdha gjinore, me 70 për qind të ekonomive që krijojnë pengesa për gratë sipërmarrëse.
Në Azinë Jugore, pesë nga tetë ekonomitë e rajonit kanë zbatuar gjithsej 11 reforma në vitin e kaluar, krahasuar me nëntë të vitit paraprak. Pakistani, që ishte në mesin e 10 përmirësuesve kryesor në botë, ka zbatuar disa reforma vitin e kaluar, ashtu si India dhe Sri Lanka. Pjesa më e madhe e aktivitetit të reformave të biznesit në rajon kishte për qëllim lehtësimin e tregtisë ndërkufitare. Megjithatë, Afganistani dhe Pakistani, parashikojnë pengesa shtesë për gratë sipërmarrëse.
Ekonomitë e Afrikës Sub-Sahariane kanë rritur ritmin e aktivitetit të reformave, me 37 ekonomi që kanë ndërmarrë gjithsej 80 reforma të biznesit gjatë vitit të kaluar, një rritje prej 14 për qind nga viti paraprak. Për të dytin vit radhazi, Kenia ishte në mesin e 10 përmirësuesve kryesor në botë, ndërsa shtatë ekonomi kanë zbatuar katër ose më shumë reforma secila në vitin e kaluar. Megjithatë, 13 ekonomi në rajon parashohin pengesa shtesë për gratë sipërmarrëse.
“Qëllimi kryesor i Të Bërit Biznes është të mundësojë sipërmarrjen, për gra dhe burra, veçanërisht në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Fakti se qeveritë në mbarë botën janë duke u marrë me sfidën e përmirësimit të klimës së biznesit, për të mundësuar krijimin e vendeve të punës, ja vlen të festohet dhe ne shpresojmë të vazhdojmë me regjistrimin e sukseseve që u panë vitin e kaluar edhe në vitet që do vijnë”, ka thënë Rita Ramalho, Menaxhere e Projektit Të Bërit Biznes.
Raporti i plotë dhe grupet e të dhënave shoqëruese janë në dispozicion në www.doingbusiness.org