Skip to Main Navigation
NJOFTIME PËR SHTYP

Hapa të mëdhenj në përmirësimin e klimës së biznesit në Evropë dhe Azinë Qendrore, sipas raportit më të fundit “Të bësh biznes”

27 tetor 2015


Uashington, 27 tetor 2015 – Mbi 90 përqind e ekonomive në rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore kanë zbatuar reforma për përmirësimin e klimës së biznesit gjatë vitit të fundit, konstaton studimi vjetor i Grupit të Bankës Botërore lidhur me lehtësinë e të bërit biznes.

“Të bësh biznes 2016: matja e cilësisë dhe efikasitetit rregullator”, i publikuar sot, identifikon 58 reforma të zbatuara në 23 prej 25 ekonomive të këtij rajoni.

Kazakistani, me renditje botërore në vendin 41, ka zbatuar më shumë reforma në botë, me shtatë përmirësime të rregulloreve të biznesit gjatë vitit të fundit, i pasuar nga Rusia (në vendin 51) dhe Qiproja (47), të cilat kanë zbatuar nga pesë reforma secila.

Ndër përmirësimet më të rëndësishme në Kazakistan përfshihen eliminimi i një sërë pengesash të tepërta burokratike në disa fusha, përfshirë hapjen e një biznesi, regjistrimin e pronave dhe ekzekutimin e kontratave. Rusia renditet në 10 vendet më të mira në botë sa i takon regjistrimit të pronave dhe është vlerësuar si perfekte sa i takon qëndrueshmërisë së furnizimit me energji elektrike dhe transparencës së tarifave të energjisë elektrike. Nga ana tjetër, Qiproja ka bërë përmirësime të konsiderueshme për zgjidhjen e paaftësisë paguese.

Reformat e zbatuara në Evropë dhe Azinë Qendrore përbënin 25 për qind të 231 reformave të zbatuara në mbarë botën gjatë vitit të fundit. Ky rajon mburret me 3 prej 10 reformatorëve më të mirë në botë, pra të vendeve që kanë zbatuar të paktën 3 reforma dhe janë ngjitur në shkallën e vlerësimit botëror, dhe këto 3 vende janë Qiproja, Kazakistani dhe Uzbekistani.

“Është për t’u lëvduar që thuajse çdo ekonomi e Evropës dhe Azisë Qendrore ka zbatuar të paktën një reformë vitin e fundit, për të përmirësuar mjedisin e biznesit,” – tha Rita Ramalho, Menaxhere e projektit “Të bësh biznes”. “Angazhimi politik dhe puna e madhe e treguar gjatë zbatimit të këtyre reformave u ka dhënë mundësi ekonomive të rajonit të hyjnë në radhët e ekonomive me ecuri më të mirë në lidhje me shumicën e treguesve që mat ky raport.”

Raporti “Të bësh biznes” i këtij viti është kurorëzim i një pune dyvjeçare për zgjerimin e treguesve të krahasimit që matin cilësinë e rregullimit, si edhe efikasitetin e kuadrit rregullator të biznesit, për të rrokur më mirë realitetin në terren. Për të pesë treguesit që kanë ndryshuar në këtë raport – procedura e lejeve të ndërtimit, furnizimi me energji elektrike, ekzekutimi i kontratave, regjistrimi i pronave dhe tregtia ndërkufitare – ekonomitë e Evropës dhe Azisë Qendrore kanë pasur ecuri të mirë, çka ka ndikuar pozitivisht renditjen e tyre në krahasim me vendet e tjera të botës.

Ky rajon dallon në nivel botëror, lidhur me treguesin e regjistrimit të pronave. Kostoja e regjistrimit të pronave është më e ulëta në botë – mesatarisht sa 2,6 për qind e vlerës së pronës. Dhe, sikurse edhe në ekonomitë me të ardhura të larta të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD), regjistrimi i pronës në rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore kërkon 22 ditë – që është periudha më e shkurtër në nivel botëror.

Një prej vështirësive më të mëdha për këtë rajon është numri i ditëve që kërkon lidhja me rrjetin e energjisë elektrike. Mesatarisht kjo kërkon 119 ditë, në krahasim me 78 ditë mesatarisht në ekonomitë e OECD-së. Por sa i takon cilësisë së furnizimit me energji elektrike, ky rajon ka ecuri të mirë, me shumë pak ndërprerje dhe kufizime të furnizimit.

Rajoni nuk ka ecuri të mirë edhe sa i takon treguesit të trajtimit të lejeve të ndërtimit, për shkak të procedurave të tepruara që hanë shumë kohë. Për shembull, në Taxhikistan duhen 27 procedura dhe 242 ditë për të kryer të gjitha kërkesat ligjore për marrjen e lejes së ndërtimit. Por rajoni ka ecuri të mirë lidhur me treguesit krahasues të cilësisë në fushën e ndërtimit. Për shembull, në të gjitha ekonomitë e rajonit të Evropës dhe Azisë Qendrore kërkohet me ligj një kontroll përfundimtar pas ndërtimit.

Ish Rupublika Jugosllave e Maqedonisë është ekonomia me renditjen më të lartë në rajon, në vendin 12 nga 189 ekonomi nga e gjithë bota. Ky vend ka rezultat të shkëlqyer në disa fusha të lehtësisë së të bërit biznes, si edhe ka ndërmarrë reforma në vitin e fundit. Për shembull, IRJ e Maqedonisë e ka thjeshtuar më tej procesin e hapjes së një biznesi duke futur detyrimin për regjistrimin online. Si rezultat, tani ky vend është vendi i dytë në botë me ecurinë më të mirë në fushën e hapjes së biznesit.

Lituania dhe Letonia janë ekonomitë me renditjen e dytë dhe të tretë më të mirë në rajon, me renditje botërore, përkatësisht, 20 dhe 22.

Raportin e plotë dhe bazat shoqëruese të të dhënave mund t’i gjeni në adresën https://www.doingbusiness.org/

Kontaktet e mediave
Uashington
Indira Chand
tel : +1 (202) 458-0434
+1 (703) 376-7491
ichand@worldbank.org
Për TV/transmetim
Mehreen Arshad Sheikh
tel : +1 (202) 458-7336
msheikh1@worldbankgroup.org


DEKLARATA PËR SHTYP NR:
2016/139/DEC

Api
Api

Welcome