Prishtinë, 15 shtator, 2015 — Raportet cilësore dhe të besueshme financiare janë njëra nga para-kushtet kryesore që një firmë të mund të merr hua me normën më të ultë të mundshme të interesit, si dhe për përpjekjet e përgjithshme të Kosovës për të gjeneruar nivele më dinamike të rritjes së krijuar nga brenda. Në këtë kontekst, grupi EU-REPARIS i Komunitetit të Praktikave për Edukim në Kontabilitet dhe Auditim (EduCoP), dhe ekspertë nga të gjitha vendet fqinje të Ballkanit Perëndimor, kanë diskutuar rolin esencial, gjithnjë e më të madh, të universiteteve në arsimimin formal të profesionistëve të ardhshëm të kontabilitetit dhe auditimit.
Punëtoria për “Arritjen e Ekselencës në Arsim: Përafrimi i Kurrikulës Universitare të Kontabilitetit me Standardet Ndërkombëtare”, theksoi rëndësinë e nivelit bachelor për Zhvillimin e përgjithshëm Fillestar Profesional të kontabilistëve dhe auditorëve. Ajo e nënvizoi potencialin e profilizimit të kurrikulës universitare për uljen e dyfishimeve ekzistuese në mes të planifikimit të sillabusëve, standardizimit dhe akreditimit, ndërsa siguron mjete të dobishme monitoruese për ndryshimin e sillabusëve, kurdo që është e nevojshme, si dhe plotësimin e zbrazëtive në ligjërimin e këtyre lëndëve.
“Duke e pasur parasysh nevojën e shtuar për zbatimin e standardeve ndërkombëtare si dhe ekonominë më të komplikuar globale dhe vendore, është esenciale që të sigurohemi se kontabilistët dhe auditorët e certifikuar janë me të vërtete të ‘mirë’”, tha Jan-Peter Olters, Udhëheqësi i Bankës Botërore për Kosovë. “Universitetet do të duhet të sigurojnë kualitetin dhe rëndësinë e kurrikulës përkatëse në përputhje me përpjekjet për reformimin më të gjerë të sektorit arsimor.”
Në mënyrë që universitetet të zhvillojnë dhe mbajnë profesionist të përgatitur mirë të kontabilitetit dhe auditimit, është me rëndësi që kurrikula universitare, në veçanti ajo e nivelit bachelor, të jetë në përputhje me nevojat e profesionit. Në këtë kontekst, janë zhvilluar studime standardizuese në të gjitha vendet EU-REPARIS për të adresuar rezultatet e të mësuarit nga programet e kontabilitetit të nivelit bachelor si dhe te hulumtojnë mospërputhjen me standardet e njohura ndërkombëtare.
Gjatë punëtorisë janë prezantuar dhe diskutuar rezultatet e Standardizimit të Studimeve Arsimore për Universitetin e Prishtinës, Universitetin e Tiranës (Shqipëri), Universitetin e Podgoricës (Mali i Zi) dhe Universitetin e Banja Llukës (Bosnje dhe Hercegovinë). Rezultatet e studimit në tri universitete të tjera të vendeve EU-REPARIS, përkatësisht në Universitetin e Sarajevës (Bosnje dhe Hercegovinë), Universitetin e Shkupit (Maqedoni) dhe Universitetin e Beogradit (Serbi) janë shpërndarë gjatë punëtorisë paraprake, e cila është mbajtur në Shkup në muajin qershor.
Në bazë të rezultateve të kësaj analize standardizuese rajonale dhe profilizimit të kurrikulës universitare për kontabilitet, pjesëmarrësit identifikuan fushat kryesore për përmirësim në arsimin universitar, burimet, lehtësimet e nevojshme si dhe pengesat dhe sfidat e reformave.