PRISHTINE, 15 Janar, 2015 – Ministri i Financave i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti dhe Drejtoresha e Bankës Botërore për Kosovë dhe Kordinatorja Rajonale për Evropën Juglindore, Ellen Goldstein, kanë nënshkruar sot dy projekte të reja të financuara nga Banka Botërore, Projektin për Efiçiencë të Energjisë dhe Energji të Ripërtëritshme në Kosovë (US$31 milionë) dhe Projektin për Shëndetësinë në Kosovë (US$25.5 millionë).
Ministri i Financave Avdullah Hoti duke falënderuar Bankën Botërore për gatishmërinë e tyre për të mbështetur Qeverinë e Kosovës përmes këtyre dy projekteve, tha se “Unë jam këtu bashkë me dy Ministrat, me Ministrin e Zhvillimit Ekomomik Blerand Stavileci dhe Ministrin e Shëndetësisë Imet Rrahmani. Për të nënshkruar me Bankën Botërore dy marrëveshje të rëndësishme, atë për efiçencën e energjisë dhe një marrëveshje tjetër për reformën në shëndetësi. Marrëveshjet janë me kushte shumë të favorshme sidomos duke pasur parasysh mundësitë e kufizuara buxhetore që ka vendi dhe prek dy çështje që janë në mesin e 5 prioriteteve të Qeverisë së Kosovës”.
“Ne dje në Qeveri kemi aprovuar Planin Vjetor të Qeverisë, ku energjetika bashkë me zhvillimin ekonomik dhe shëndetësia janë dy fusha që janë prioritet i Qeverisë, jo vetëm në aspektin deklarativ, por vërtetë janë prioritete me masa konkrete që do t’i mbështesim dhe këto dy projekte në fakt kontribuojnë në përpjekjet e Qeverisë për t’i dërguar përpara këta dy sektorë shumë të rëndësishëm edhe për çështjen e aspektit social të qytetarëve të Republikës së Kosovës, por edhe për zhvillimin ekonomik afatgjatë përmes përfundimist të zgjedhjes së problemit të furnizimit me energji elektrike.” ka shtuar Ministri Hoti.
Ai gjithashtu tha se “Ne po shkojmë përpara me projektin e “Kosova e Re” dhe ky do t’i ndihmojë këtij projekti duke i ndërmarrë masat për ruajtje të energjisë”.
“Një sektor modern i energjisë që gjeneron energji elektrike të qëndrueshme, të përballeshme dhe më të pastër të mundshme është vërtetë prioriteti më urgjent i Kosovës,” u pajtua Drejtoresha e Bankës Botërore për Kosovë dhe Kordinatorja Rajonale për Evropën Juglindore Ellen Goldstein. “Shfrytëzimi më efikas i energjisë në dispozicion dhe inkurajimi i zhvillimit tp burimeve të ripërtëritshme, përfaqësojnë dy shtyllat qëndrore të strategjisë gjithëpërfshirëse të energjisë në Kosovë.”
Projekti për Efiçiencë të Energjisë dhe Energji të Ripërtëritshme i Kosovës synon reduktimin e konsumit të energjisë dhe përdorimit të vajrave fosile në ndërtesat publike dhe demonstrimin e qëndrueshmërisë ekonomike të investimeve në këto fusha. Përmes këtij projekti, Banka Botërore do të mbështesë Kosovën në zbatimin e strategjisë së saj gjithëpërfshirëse të energjisë dhe përmirësimin e politikave dhe mjedisit rregullator për energjinë e ripërtërishme dhe efikasitetin e energjisë.
Qeveria pritet të përfitojë nga ky projekt nëpërmjet shpenzimeve të reduktuara të energjisë, rinovimit të ndërtesave, me fokus të posaçëm në universitete dhe spitale, dhe përmes përmirësimit të komoditetit dhe funksionalitetit të brendshëm. Njëkohësisht, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Agjencia Kosovare për Efikasitetin e Energjisë, dhe Zyra e Rregullatorit të Energjisë do të zhvillojnë kapacitetet e tyre për të nxitur investime të qëndrueshme të energjisë në të gjithë vendin. Sektori privat do të përfitojë nga përmirësimet në mjedisin rregullativ, i cili pritet të lehtësojë marrjen më të shpejtë të lejeve dhe hyrje më të lehtë në treg për kompanitë të cilat zhvillojnë burime të ripërtëritshme të energjisë dhe kjo, si rezultat, nxit rritjen e kërkesës për mallra dhe shërbime nga furnizuesit në këto sektore.
Furnizuesit e pajisjeve të energjisë së ripërtërishme dhe efikasitetit të energjisë dhe ofruesit e shërbimeve pritet të përfitojnë nga rritja e kërkesës për mallrat dhe shërbimet e tyre. Duke modernizuar dhe duke zvogëluar përdorimin e energjisë në universitete dhe spitale, studentët dhe pacientët do të përfitojnë nga nivelet e përmirësuara të komoditetit, funksionaliteti, dhe nga zvogëlimi i ndotjes së ajrit.
"Të ballafaquar me tregues shëndetësorë (ende) ndër më të ultit në Evropë dhe rrezikun që qytetarët të jenë të ekspozuar ndaj barrave të rënda financiare nga pagesat nga xhepi të papërballueshme," shtoi Jan-Peter Olters, Menaxher i Bankës Botërore për Kosovën, "Qeveria është duke marrë një qëndrim proaktiv në drejtim të përmirësimit të cilësisë së sistemit të kujdesit shëndetësor, si dhe përmes zbatimit të sigurimit shëndetësor të detyrueshëm që do të ofrojë qasje më të lehtë, dhe të cilësisë më të mirë, në shërbimin shëndetësor në Kosovë."
Projekti për Shëndetësinë në Kosovë synon të përmirësojë mbrojtjen financiare të të varfërve nga shpenzimet shëndetësore dhe cilësinë e kujdesit për shëndetin primar të nënave dhe fëmijëve si dhe shërbimeve për sëmundjet jongjitëse në Kosovë. Ky projekt do të përkrahë Ministrinë e Shëndetësisë dhe Fondin e ardhshëm të Sigurimeve Shëndetësore për fillimin dhe zbatimin e sigurimeve shëndetësore dhe reformave të tjera për të përmirësuar kualitetin e shërbimeve të kujdesit shëndetësor primar. Për të përmirësuar kualitetin e shërbimeve, projekti do të financojë, ndërmjet tjerash, investimet në pajisjet e shëndetit prioritar të nënave dhe fëmijëve për institucionet e kujdesit primar dhe spitalet. Po ashtu, do të modernizohen edhe sistemet e informimit.
Të varfrit në Kosovë do të jenë grup specifik përfitues nga projekti pasi që të varfrit do të lirohen nga kontributet e sigurimit shëndetësor si dhe nga ndarja e kostos për kujdes shëndetësor ose barna që mbulohen me legjislacionin e ri. Komunat, institucionet shëndetësore dhe punëtorët e këtyre institucioneve po ashtu do të përfitojnë nga përkrahja për ngritje të kapaciteteve dhe përkrahja tjetër e ofruar nga ky projekt. Projekti për Shëndetësinë do të zbatohet gjatë periudhës pesë-vjeçare.