Skip to Main Navigation
NJOFTIME PËR SHTYP

Banka Botërore: Në ekonomitë e reja të Evropës dhe Azisë Qendrore ka nevojë për reforma të pensioneve në mënyrë që të mbrohen brezat e ardhshëm

21 shkurt 2014


Vendet i përmbushin me shumë mundim nevojat për pensione të popullsive me moshë mesatare në rritje 

BRUKSEL, 21 shkurt 2014 — Pasojat e ndjeshme që kanë rritja e moshës së popullsisë dhe zvogëlimi i krahut të punës në skemat e tejmunduara të pensioneve në ekonomitë e reja në Evropë dhe Azinë Qendrore kërkojnë reforma të konsiderueshme, thotë raporti i ri i Bankës Botërore “Piramida e kthyer përmbys: Sistemet e pensioneve përballë sfidave demografike në Evropë dhe Azinë Qendrore”. Nëse nuk do të bëhen reforma të guximshme, do të jenë të moshuarit e varfër dhe të rinjtë e sotshëm ata që do të vuajnë më shumë nga pamundësia e sistemeve shtetërore të pensioneve për t’u siguruar një mbrojtje me të ardhura bazë kur të jenë të moshuar. Nëse nuk veprojmë sot atëherë rriten shqetësimet për vendosjen e barazisë për brezin e ardhshëm duke qenë se ky mosveprim ka gjasë të çojë në ulje të masës së pensionit dhe kjo do të cënonte më shumë të varfrit se të pasurit, sipas raportit.

Raporti, i prezantuar sot në Bruksel në një konferencë të organizuar nga Komisioni Evropian dhe Banka Botërore, konstaton se shumica e sistemeve të pensioneve e kanë arritur tashmë “pikën e pjekjes”, ku kanë shumë pak mundësi për ta zgjeruar numrin e kontribuesve për shkak të numrit të pandryshuar dhe në rënie të popullsisë në moshë pune. Numri në rënie i popullsisë në moshë pune po bën që piramida tradicionale e popullsisë (me pak të moshuar në majë dhe më shumë banorë në moshë pune në bazë) të kthehet përmbys, duke pasur tani një numër më të vogël popullsie në moshë pune në pjesën e poshtme dhe një numër më të madh pensionistësh në pjesën e sipërme të saj.

“Vendet me ekonomi të reja në Evropën dhe Azinë Qendrore kanë qenë reformuesit më aktivë në botë, duke përqafuar një sërë skemash të reja të pensioneve, siç është sistemi me pikë në Serbi dhe në Kroaci, llogaritë kombëtare në Letoni dhe në Poloni, skema me pensione për të gjithë në Gjeorgji, Kazakistan dhe Kosovë dhe llogaritë individuale të kursimeve në Estoni, Rumani, IRJ Maqedoni dhe Federatën Ruse,” – thotë zonja Laura Tuck, Zëvendëspresidente për Evropën dhe Azinë Qendrore, në Bankën Botërore. - “Mirëpo shumë prej këtyre reformave nuk kanë qenë të mjaftueshme që sistemet e pensioneve të ruajnë nivele të mjaftueshme të masës së pensioneve, përballë ndryshimeve të thella demografike. Për më tepër, disa prej këtyre reformave janë zhbërë për shkak të presioneve fiskale afatshkurta.”

Në raport thuhet se vendet në tranzicion të Evropës dhe Azisë Qendrore, përfshirë edhe Turqinë, kanë bërë përpjekje të mëdha gjatë 20 viteve të fundit për t’i reformuar sistemet e tyre të pensioneve në mënyrë që t’i harmonizojnë me realitetet e reja shoqërore dhe ekonomike të ekonomive të tregut. Mirëpo, me shkallët e larta të rritjes ekonomike të mesit të viteve ‘2000, disa vende i rritën masat e pensioneve meqë mblidhnin më shumë të ardhura buxhetore. Kriza financiare i la këto vende me më pak të ardhura buxhetore dhe me masa të rritura të pensioneve, çka çoi në kthim mbrapa të reformave të pensioneve. Për shembull disa vende i zhbënë llogaritë individuale të kursimeve për të ndihmuar në mbushjen e hendekut në të ardhurat buxhetore, por duke rrezikuar qëndrueshmërinë në kohë dhe mjaftueshmërinë e pensioneve në periudhën afatgjatë.

“Sistemet e pensioneve nuk mund t’u premtojnë më pensione të bollshme numrit gjithnjë e në rritje të pensionistëve. Rritja e jetëgjatësisë mesatare, rënia e mprehtë e shkallës së pjellorisë dhe rritja e emigrimit kanë kontribuar në komprometimin e mbajtjes më këmbë për shumë skema pensionesh,” – tha në fjalën e saj hapëse zonja Ana Revenga, Zëvendespresidente për Uljen e Varfërisë dhe Drejtimin Ekonomik, në Bankën Botërore. - “Raporti shqyrton një varg zgjidhjesh dhe arrin në konkluzionin se sistemit publik të pensioneve do t’i duhet të vendosë prioritet ofrimin e pensioneve bazë, të shoqëruar me masa për të nxitur një periudhë më të gjatë të zënies me punë si edhe kursimet individuale të personave.”

Reformat duhet të sigurojnë që të moshuarit të mos bien në varfëri, përmes ofrimit të një pensioni minimal. Kjo ka pasojat e veta për mënyrën si financohen aktualisht pensionet.

“Ndryshimi i mekanizmit të financimit për sigurinë e të moshuarve ka pasoja se kush i merr pensionet dhe si i merr ato,” – tha zonja Anita Schwarz, Ekonomiste e lartë për Rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore, në Bankën Botërore dhe njëra prej autoreve kryesore të raportit. - “Pikërisht tani, vendet shpesh u japin pension vetëm atyre që kanë paguar kontribute dhe e lidhin masën e pensionit me kontributet e paguara në të shkuarën. Mirëpo e gjithë popullsia e moshuar ka nevojë për njëfarë të ardhure në pleqëri për të mbajtur një standard të denjë jetese. Kjo ngre nevojën për të kërkuar burime financimi përtej tatimit të punës.”

Në raport shqyrtohen dy zgjidhje të mundshme për t’u bërë ballë sfidave demografike me të cilat përballen sistemet e pensioneve: krijimi i të ardhurave fiskale shtesë për të mbuluar deficitet e pensioneve dhe rritja e numrit të kontribuuesve në sistem. Mirëpo, vendet e rajonit në përgjithësi i kanë të larta barrat tatimore, sidomos mbi punën, çka u lejon shumë pak hapësirë për të krijuar të ardhura të tjera buxhetore shtesë për t’u dhënë zgjidhje deficiteve të pensioneve. Heqja dorë nga tatimi i punës si burim financimi për sigurinë në pleqëri dhe përdorimi i tatimeve mbi konsumin dhe pronat mund të ndihmonte në krijimin e disa të ardhurave shtesë, por edhe këtu hapësira është e kufizuar në shumicën e vendeve.    

As zgjerimi i numrit të kontribuuesve nuk është zgjidhje universale. Në shumicën e vendeve me ekonomi të reja në Evropë dhe Azinë Qendrore, shumica e të rriturve në moshën më produktive (35-44 vjeç) janë në punë. Hapësira për ta zgjeruar krahun e punës qëndron tek popullsia në moshë më të madhe, numri në punë i të cilëve është më i vogël nëse e krahasojmë me rajone të tjera në botë. Për më tepër, zgjerimi i bazës së kontribuesve mundet vetëm t’i lehtësojë ose vonojë reformat e nevojshme për sistemet e pensioneve, nëse raporti mes kontributeve dhe fitimit të pensioneve mbetet në themel jo i mirë.

“Një prej konstatimeve më mbresëlënëse të raportit është se zgjerimi i numrit të kontribuesve (përmes përfshirjes së krahut informal të punës apo rritje së numrit të emigrantëve) e ndihmon sistemin e pensionit në periudhën afatshkurtër kur merr të ardhura shtesë, por i përkeqëson gjërat në periudhën afatgjatë kur lind detyrimi për t’u paguar pension një numri më të madh pensionistësh,” - tha zoti Omar Arias, Ekonomist i lartë për Rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore në Bankën Botërore dhe një prej bashkautorëve kryesorë të raportit. - “Formalizimi dhe emigrimi mund t’i ndihmojnë qeveritë që të fitojnë kohë e të bëjnë rregullimet e nevojshme në sistemet e pensioneve, por asnjëri prej tyre nuk e arrin dot objektivin e dyfishtë të mjaftueshmërisë dhe qëndrueshmërisë në kohë për pensionet në periudhën afatgjatë.”

Edhe pse rritja e të ardhurave fiskale dhe rritja e krahut të punës mund të kontribojnë të dyja në zbutjen e efekteve negative afatshkurtra të reformave të pashmangshme, zgjidhja afatgjatë mund të qëndrojë te korrigjimi i masës së pensioneve në mënyrë që të ardhurat nga pensioni të mbulojnë vetëm periudhën kur personi nuk mund të punojë dot më, që zakonisht janë 15 vitet e fundit të jetës. Kjo u ofrohej pensionistëve në vitet ’70 të shekullit XX, kundrejt mesatarisht 18 viteve pension për burrat dhe 23,5 vite pension për gratë në shumë vende sot.

Rritja e moshës së pensionit, nxitja dhe mbështetja e njerëzve për të punuar më gjatë do të ndihmonte pa masë që t’u jepej mundësi sistemeve të pensioneve për të ofruar të ardhura bazë në moshë pleqërie dhe për të qenë të qëndrueshme financiarisht. Ndër masat për nxitjen e punonjësve më të moshuar që të vazhdojnë të punojnë përfshihen:

  • dhënia e mundësisë për dalje graduale në pension, për shembull duke i lejuar ata që janë në moshë më të madhe të punojnë me orar jo të plotë duke marrë ndërkohë pension të pjesshëm;
  • bërja e rregullimeve të vogla në qendrën e punës, si vendosja e pajisjeve zmadhuese në ekranet e kompjuterëve dhe e poltronave ergonomike, për të rritur produktivitetin në përgjithësi dhe nivelin e rehatisë për punonjësit në moshë më të madhe; dhe
  • investimi më me efektivitet në trajnim në moshat e mëdha përmes rikonceptimit të arsimit dhe formimit për të rriturit dhe të sistemeve të mësimit gjatë gjithë jetës për t’ia përshtatur trurit në plakje.

Së fundmi, presionet fiskale po i detyrojnë vendet që gjithnjë e më shumë t’i kufizojnë shpenzimet për pensionet që edhe kështu janë të papërballueshme, përmes nxitjes së pensioneve private dhe skemave të kursimeve individuale afatgjata. Kursimet u japin mundësi punonjësve të kenë disa burime shtesë kur të dalin në pension. Masa të tilla si regjistrimi automatik në skemat e kursimeve mund t’i shtyjnë punonjësit të mbushin boshllëqet e të ardhurave nga pensioni me kursimet e tyre individuale.  

Nuk ka një zgjidhje të përshtatshme për të gjitha vendet. Pavarësisht rrugës që do të zgjidhet, vendet duhet të fillojnë një dialog social për të përcaktuar se cila qasje i përshtatet më mirë secilit sipas kushteve që ka, për të ruajtur mundësinë e sistemeve të pensioneve, për të ofruar një mbrojtje me të ardhura bazë në pleqëri për të rinjtë e sotshëm dhe për të moshuarit në gjendje më të vështirë ekonomike, të gjendur përballë sfidave demografike të secilit vend.

Kontaktet e mediave
Në Uashington
Dorota Kowalska
tel : +1 (202) 247-7129
dkowalska@worldbank.org
Në Bruksel
Frans Van Der Straaten
tel : +32 (0) 2 552 0034
fvanderstraaten@worldbank.org
Për kërkesa për transmetim
Natalia Cieslik
tel : +1 (202) 458-9369
ncieslik@worldbank.org



DEKLARATA PËR SHTYP NR:
2014/331/ECA

Api
Api

Welcome