NJOFTIME PËR SHTYP

Raporti i ri i Bankës Botërore Parashikon Ringritje të Brishtë për Gjashtë Vendet e Evropës Juglindore

18 qershor 2013



PRISHTINË, 18 qershor 2013 - Duke sinjalizuar fundin e recesionit të dyfishtë të vitit 2012, grupi i gjashtë vendeve të Evropës Juglindore (EJL6)[1] tani po shkon drejt një ringritje të brishtë: PBB e tyre reale e kombinuar parashikohet të rritet me 1.7 për qind në 2013 pas një rënieje prej 0.6 për qind në 2012, sipas Raportit të fundit të rregullt të Bankës Botërore mbi Zhvillimin Ekonomik të Evropës Juglindore (SEE RER), paraqitur sot në Prishtinë. Shtytësit e ringritjes janë rimëkëmbja e energjisë elektrike, bujqësisë dhe disa eksporteve, pjesërisht për shkak të kushteve të përmirësuara të motit.

Megjithatë, ringritja në EJL6 përbën ende një tentative. Në disa vende, kreditë e këqija, ringritja e ngadaltë e kreditimit, vazhdimi i tkurrjes së kreditimit dhe konsolidimi fiskal po ushtrojnë frenim. Gjithashtu, ringritja në EJL6 nuk ka të ngjarë të përshpejtohet për sa kohë Eurozona mbetet në recesion.

“Vitin e kaluar, recesioni në Eurozonë pati një ndikim negativ mbi kërkesën e jashtme dhe investimet e huaja të drejtpërdrejta (FDI) në Evropën Juglindore,” thotë Abebe Adugna, Kryeekonomist në Rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore në Bankën Botërore dhe bashkautor i raportit, “Dimri i ashpër dhe thatësira verore e gjymtuan bujqësinë dhe ndikuan mbi tregtinë, energjinë dhe aktivitetin ekonomik në përgjithësi. Tani, prodhimi po fillon të rimëkëmbet. Eksportet po ringrihen në Serbi, ekonomia më e madhe në rajon; kushtet e motit janë përmirësuar shumë; dhe energjia elektrike, turizmi dhe sektorët e lidhur me to, po bëhen më dinamikë në disa prej vendeve.”

Një nga shqetësimet kryesore në këtë ringritje të re, sipas raportit, është se ekonomitë e EJL6 vazhdojnë të jenë të goditura nga papunësia e lartë. Mesatarja e rajonit ishte rreth 22.8 për qind në tremujorin e katërt të 2012, krahasuar me nivelin 20.2 për qind përpara krizës. Papunësia e të rinjve është veçanërisht e skajshme. Papunësia e të rinjve në Serbi (51.2 për qind), Maqedoni (53 për qind), dhe vende të tjera është më shumë se dyfishi i nivelit kombëtar të papunësisë. Vendet nuk po krijojnë vende pune aq shpejt sa duhet për të përthithur atë që hyjnë për herë të parë në fuqinë punëtore. Në fakt, situata e vendeve të punës është më keq sesa sugjerohet nga shifrat e zymta të papunësisë, sepse shumë largohen nga rajoni për t’u punësuar diku tjetër.

“Krijimi i vendeve të punës më të shumta dhe më të mira bën thirrje për një axhendë politike shumësektoriale, e cila shkon përtej masave dhe rregulloreve tradicionale të tregut të punës,” thotë Yvonne Tsikata, Drejtore e Bankës Botërore për Uljen e Varfërisë dhe Menaxhimin Ekonomik për Rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore.  “Përveç ruajtjes së stabilitetit makroekonomik dhe rifillimit të rritjes ekonomike, vendet duhet të rimarrin inercinë e para krizës për të ndërmarrë reformat dhe politikat për përmirësimin e mjedisit për firmat e reja dhe ato ekzistuese për të lulëzuar dhe krijuar vende pune, dhe për të mbështetur gatishmërinë e punëtorëve për të kapur mundësitë e vendeve të reja të punës.”

Sipas raportit, megjithëse kushtet globale ekonomike dhe financiare kanë vazhduar të përmirësohen, Eurozona pritet të mbetet në recesion në 2013 (me PBB reale që pritet të bjerë me 0.6 për qind). PBB globale tani pritet të zgjerohet me 2.2 për qind në 2013, 3 për qind në 2014 dhe 3.3 për qind në 2015.

Adugna shton, “Flukset bruto të kapitalit drejt vendeve me të ardhura të ulëta dhe të mesme tani janë 60% më të larta se ato para një viti, duke treguar një fund të ndikimeve më serioze të tkurrjes së kreditimit në Eurozonë mbi këto vende, përfshirë ekomitë e EJL6. Megjithëse ringritja do të jetë, përgjithësisht, e brishtë, ekonomitë e gjatë vendeve do të jenë në rritje.”

·         Kosova përsëri pritet të ketë rritjen më të lartë (3.1 për qind), falë investimeve madhore publike dhe një fluksi të rëndësishëm të remitancave.

·         Serbia parashikohet të rritet me 2 për qind, pjesërisht si një rekuperim nga recesioni i vitit të kaluar. Meqenëse Serbia përbën 45 për qind të ekonomisë së rajonit, rritja ekonomike atje është thelbësore për performancën e rajonit. Serbia pritet të përfitojë nga FDI e shtuara, performanca solide nga fabrika e madhe FIAT, dhe një kthim të prodhimit normal bujqësor, i cili ra me pothuajse 20 përqind në 2012. Dhe ndërkohë që investitorët kanë më shumë besim në hapjen e mundshme të bisedimeve për anëtarësimin në BE këtë vit, më shumë FDI mund të priten.

·         Shqipëria parashikohet të rritet me një normë pak më të lartë se në 2012 (rreth 1.8 për qind), e mbështetur nga një performancë e qëndrueshme e eksporteve.

·         Rritje modeste pritet në Malin e Zi (1.2 për qind), pjesërisht për shkak se energji elektrike dhe bujqësia po rekuperojnë, por kryesisht sepse turizmi po udhëheq.

·         Rritja ekonomike e Ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë (1.4 për qind) pritet të jetë e moderuar në fillim por do të përshpejtohet gradualisht në gjysmën e dytë të vitit me zbatimin e planeve të investimeve të drejtpërdrejta publike dhe private.

·         Në Bosnjë dhe Hercegovinë rritja ka të ngjarë të jetë e vakët këtë vit – parashikimi është vetëm 0.5 për qind. Për fat të keq, shumë çështje të lidhura me mjedisin e biznesit në BiH do të vazhdojnë të kufizojnë flukset e FDI si dhe perspektivat për zgjerim të bizneseve vendase.

Zeljko Bogetic, Kryeekonomist në Rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore në Bankën Botërore dhe bashkautor i raportit SEE RER, sugjeron që reformat strukturore janë kyçi për një ringritje më të fortë dhe papunësi më e ulët. “Përpjekjet e konsolidimit fiskal duhet të vazhdojnë dhe do të bëhen më të lehta tani që perspektiva e prodhimit dhe të ardhurave po përmirësohet. Klima e investimeve duhet të përmirësohet në mënyrë thelbësore, veçanërisht në pikat e dobëta: lejet e ndërtimit dhe licensat, barrierat ndaj sipërmarrjes dhe aftësive, dhe infrastruktura. Fqinjët e saj mund të mësojnë nga Maqedonia, e cila vazhdon të ketë klimën më të favorshme të biznesit në rajon siç matet nga treguesit e të Bërit Biznes.”

SEE RER nxirret dy herë në vit nga ekonomistët e stafit të Departamentit të Bankës Botërore për Uljen e Varfërisë dhe Menaxhimin Ekonomik, Rajoni i Evropës dhe Azisë Qendrore (ECA PREM).

Kontaktet:

Në Beograd:  Vesna Kostic, +381 11 3023723, vkostic@worldbank.org

Në Tiranë: Ana Gjokutaj, (355-4) 80 655, agjokutaj@worldbank.org

Në Prishtinë: Lundrim Aliu, +381-38-224-454 #107, laliu1@worldbank.org

Në Sarajevë: Jasmina Hadžić, (+ 387-33) 251-502, jhadzic@worldbank.org

Në Podgoricë:  Jasmina Hadžić, (+ 387-33) 251-502, jhadzic@worldbank.org

Në Shkup: Denis Boskovski, (+389) 2 3117 159, dboskovski@worldbank.org

-------------------------------------

[1] EJL6 janë Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, Mali i Zi dhe Serbia.

Kontaktet e mediave
Uashington
Kristyn Schrader-King
tel : +1-202-458-2736
kschrader@worldbank.org



DEKLARATA PËR SHTYP NR:
2013/465/ECA

Api
Api

Welcome