Opinion për gazetën Koha Ditore (Edicioni special i shtypur i Vitit të Ri). Autori është Menaxheri i Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.
Ndërsa mirëpresim një vit të ri, dëshiroj të shpreh urimet e mia të përzemërta për një 2025 të mbushur me prosperitet, shpresë dhe përparim. Ky është një moment për të reflektuar mbi hapat e jashtëzakonshëm që ka bërë Kosova gjatë viteve dhe për të parë me optimizëm mundësitë e ardhshme.
Që nga ardhja ime në Kosovë katër vjet më parë, kam qenë i magjepsur nga peizazhi i saj dhe qëndrueshmëria, vendosmëria dhe potenciali i jashtëzakonshëm i njerëzve të Kosovës. Udhëtimi juaj si shteti më i ri në Evropë ka qenë mbresëlënës – që nga reduktimi i ndjeshëm i varfërisë deri te rritja e vazhdueshme ekonomike dhe përkushtimi për të ndërtuar një të ardhme të ndritshme dhe gjithëpërfshirëse.
Kosova ka treguar qëndrueshmëri përballë pasigurive ekonomike globale, një dëshmi kjo e përpjekjeve për përmirësim të klimës së biznesit, tërheqjen e investimeve të huaja dhe mbështetjen e ndërmarrjeve vendore. Shtimi i aktiviteteve sipërmarrëse, veçanërisht në sektorët e teknologjisë dhe shërbimeve, ka qenë një nxitës i rëndësishëm i kësaj rritjeje.
Standardi i jetesës në Kosovë është përmirësuar dukshëm me kalimin e viteve. Që nga viti 2008, të ardhurat për kokë banori janë rritur me afro 50%, ndërsa varfëria është ulur me 35%. Në një hark të shkurtër prej nëntë vitesh pas anëtarësimit në Grupin e Bankës Botërore, Kosova ka lëvizur nga një ekonomi me të ardhura të ulëta dhe ka arritur statusin e ekonomisë me të ardhura të larta të mesme. Ky është përparim i jashtëzakonshëm.
Këto arritje janë dëshmi e forcës dhe talentit të popullit të Kosovës, por edhe e bashkëpunimit të suksesshëm me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë Grupin e Bankës Botërore.
Ndërsa vazhdon të hapë rrugën e saj në skenën globale, Kosova po përballet me një mori sfidash por edhe mundësish. Ekonomia e Kosovës pritet të rritet në mënyrë të vazhdueshme. Vazhdimi i reformave dhe investimet strategjike ka të ngjarë të nxisin rritjen ekonomike dhe standardet e jetesës në të ardhmen e afërt.
Për të mbështetur dhe përmirësuar rritjen ekonomike, Kosova mund të përfitojë duke investuar në njerëzit e saj, duke adresuar pengesat në infrastrukturë, duke krijuar një mjedis më të favorshëm për zhvillimin e sektorit privat, duke përmirësuar efikasitetin e administratës publike, dhe duke siguruar që sundimi i ligjit të jetë efektiv dhe transparent. Promovimi i qëndrueshmërisë mjedisore dhe përmbushja e legjislacionit të BE-së për mjedisin janë gjithashtu hapa thelbësorë.
Popullsia e re e Kosovës shpesh përmendet si një nga pasuritë e saj më të mëdha. Ajo paraqet një potencial zhvillimi, por gjithashtu vë në dukje nevojën urgjente për investim tek të rinjtë. Sistemi aktual arsimor, ndonëse po përmirësohet, ende nuk arrin të pajis të rinjtë me aftësitë e nevojshme për të siguruar punë më të sofistikuara dhe më të paguara, si brenda ashtu edhe jashtë shtetit.
Ne në Bankën Botërore jemi krenarë që qëndrojmë pranë jush si një partner i palëkundur në këtë rrugëtim. Së bashku, ne kemi punuar për gati tre dekada për të përmirësuar infrastrukturën, për të krijuar vende pune, për të përmirësuar shërbimet publike dhe për të promovuar rritjen e gjelbër, duke siguruar që askush të mos mbetet pas. Përpjekjet tona të përbashkëta pasqyrojnë besimin dhe bashkëpunimin që karakterizon partneritetin tonë.
Banka Botërore ka financuar projekte për të përmirësuar lidhjen digjitale dhe menaxhimin e ujit, duke adresuar disa nga pengesat kritike të Kosovës. Ajo ka mbështetur programe të efiçiencës së energjisë dhe iniciativa të energjisë së ripërtëritshme, duke ndihmuar Kosovën të përafrohet me objektivat globale mjedisore. Ajo ka mbështetur gjithashtu forcimin e kapitalit njerëzor të vendit përmes investimeve në kujdesin shëndetësor, arsimin dhe asistencën sociale.
Të gjitha iniciativat e Grupit të Bankës Botërore në Kosovë përputhen ngushtë me prioritetet zhvillimore të vendit, duke përfshirë ambiciet e tij për integrim në Bashkimin Evropian.
Duke adresuar sfidat zhvillimore të Kosovës, duke avokuar për politika të qëndrueshme dhe duke investuar në projekte transformuese, Grupi i Bankës Botërore vazhdon të forcojë partneritetin e tij me Kosovën, duke hapur rrugën për një të ardhme më të ndritshme. Ne mbetemi thellësisht të përkushtuar për të mbështetur zhvillimin e Kosovës me njohuritë, financimin dhe ekspertizën tonë. Kjo marrëdhënie e qëndrueshme demonstron vendosmërinë tonë për suksesin dhe stabilitetin e Kosovës.
Në fund, më lejoni të ritheksoj se ndërsa rruga përpara për Kosovën është e mbushur me sfida, ajo është gjithashtu e pasur me mundësi. Me politikat e duhura dhe përpjekje të përkushtuara si nga institucionet qeveritare ashtu edhe nga sektori privat, Kosova mund të realizojë potencialin e saj dhe të sigurojë që dekada e ardhshme të jetë një dekadë e rritjes dhe prosperitetit ekonomik.
Ndërsa shikojmë përpara drejt vitit 2025, unë kam shumë shpresë dhe optimizëm. Unë shoh një zotim të përbashkët për të adresuar sfidat që mbeten dhe për të siguruar që çdo qytetar të ketë mjetet dhe mundësitë për të përparuar. Energjia dhe kreativiteti i gjallë i Kosovës më frymëzon të besoj se kjo është e mundur.
Ne në Grupin e Bankës Botërore do të vazhdojmë të punojmë krah për krah me qeverinë dhe popullin e Kosovës për të ndërtuar një të ardhme më të ndritshme për këtë vend të bukur.
Gëzuar Vitin e Ri Kosovë. Përshëndetjet dhe urimet më të mira për të gjithë. Uroj që ky Vit i Ri të sjellë shëndet dhe lumturi dhe të shënojë një kapitull tjetër të përparimit për Kosovën – një vend plot potencial, që bëhet më i fuqishëm nga njerëzit e saj.