Anna Fruttero është Ekonomiste e Lartë në Grupin për Varfërinë dhe Barazinë në Bankën Botërore, dhe Massimiliano Paolucci është Menaxher Vendi i Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.
Ndërsa bota feston Ditën Ndërkombëtare të Gruas, është thelbësore të reflektohet mbi përparimin e bërë dhe pengesat që ende duhet kapërcyer në rrugëtimin drejt barazisë gjinore. Në vitet e fundit, Kosova ka shënuar përparim të rëndësishëm, veçanërisht në arsim dhe shëndetësi, duke sinjalizuar një trajektore pozitive. Megjithatë, sfidat e rëndësishme vazhdojnë, veçanërisht në fushën e punësimit dhe përfaqësimit politik.
Një nga çështjet më urgjente me të cilat përballen gratë në Kosovë është pabarazia e dukshme në mundësitë e punësimit. Edhepse arrijnë mesatarisht standarde më të larta të arsimit se sa burrat, gratë ende hasin barriera në qasjen në punësim cilësor. Shumë gra e gjejnë veten të zhvendosura në punë të pasigurta, me pagë të ulët, duke përjetësuar pabarazinë ekonomike. Të kufizuara nga normat tradicionale gjinore që ua caktojnë përgjegjësitë e përkujdesjes kryesisht grave, rruga drejt punësimit me kohë të plotë mbetet me pengesa. Kosova krenohet me një kornizë ligjore që mbështet barazinë gjinore. Megjithatë, dallimi midis legjislacionit dhe zbatimit ende nuk është kapërcyer. Boshllëqet në zbatim minojnë efikasitetin e ligjeve të krijuara për të mbrojtur të drejtat dhe mundësitë e grave.
Me përjashtim të dukshëm të disa grave në pozitat e larta udhëheqëse, si Presidentja e Republikës së Kosovës dhe disa ministre në qeverinë aktuale, dhe përkundër rritjes së pjesëmarrjes, gratë janë të nënpërfaqësuara në role udhëheqëse nëpër sektorë. Kjo mungesë diversiteti jo vetëm që i privon gratë nga mundësitë, por gjithashtu pengon përparimin shoqëror, pasi lidershipi i ndryshëm nxit qeverisje dhe praktika biznesi më gjithëpërfshirëse.
Adresimi i këtyre sfidave kërkon një qasje të shumëanshme nga forcimi i mekanizmave të zbatimit për ligjet ekzistuese të barazisë gjinore deri te rritja e pjesëmarrjes së grave në fuqinë punëtore.
Promovimi i pjesëmarrjes së grave në sektorë ekonomikë me vlerë të lartë mund të forcojë fuqizimin e tyre ekonomik. Kjo kërkon jo vetëm iniciativa arsimore dhe trajnimi, por edhe përpjekje të vazhdueshme për të krijuar kushte për gratë për të punuar dhe, paralelisht, përpjekje për të sfiduar normat shoqërore që kufizojnë zgjedhjet e grave në karrierë.
Për më tepër, përmirësimi i qasjes në kujdesin ndaj fëmijëve dhe përafrimi i orarit arsimor me orët e punës mund të lehtësojë pjesëmarrjen e grave në fuqinë punëtore. Rritja e qasjes në burimet financiare dhe mbështetja për gratë sipërmarrëse janë gjithashtu thelbësore për nxitjen e pavarësisë ekonomike.
Si përfundim, derisa Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm drejt barazisë gjinore, sfidat e vazhdueshme kërkojnë përpjekje të qëndrueshme nga të gjitha palët e interesuara. Duke i dhënë përparësi zbatimit të ligjeve, duke promovuar fuqizimin ekonomik, duke rritur përfaqësimin politik dhe duke sfiduar normat shoqërore, Kosova mund të vazhdojë të përparojë drejt një shoqërie më të barabartë dhe gjithëpërfshirëse për të gjithë qytetarët e saj. Dita Ndërkombëtare e Gruas shërben si një rikujtim për punën që mbetet për t'u bërë dhe përgjegjësinë kolektive për të krijuar një të ardhme ku barazia gjinore nuk është thjesht një aspiratë, por një realitet.