Skip to Main Navigation
OPINION 8 dhjetor 2021

Sigurimi nga tërmetet, alternativat, që mund të aplikohen dhe përfitimet

Intervistë e Emanuel Salinas, Menaxher i Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri për Revistën Monitor.

Monitor: Jemi thuajse dy vite nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 i cili pati pasoja të jashtëzakonshme shkatërruese. Si e shihni ju në kushtet ku ndodhemi sot bilancin që shënon procesi i rindërtimit për minimizimin e pasojave?

ES: Menjëherë pas tërmetit, qeveria e Shqipërisë me mbështetjen e Bashkimit Europian (BE), institucioneve financiare ndërkombëtare dhe partnerëve bilateralë arriti që të mobilizonte një mbështetje të paprecedentë financiare për të mbështetur kalimin e pasojave. Procesi i rindërtimit ka vazhduar pavarësisht kufizimeve që u vendosën nga pandemia dhe parimet e “Ndërto Sërish më Mirë” janë zbatuar deri në masën që ka qenë e mundur, mbështetur edhe nga një kuadër ligjor i përmirësuar.

Përpara tërmetit, në verën e vitit 2019, qeveria miratoi ligjin 45/2019 “Për Mbrojtjen Civile” që ndjek një qasje të re dhe bashkëkohore sa i takon menaxhimit të rrezikut nga fatkeqësitë. Pas tërmetit një sërë dekretesh dhe udhëzimesh u lëshuan në funksion të rindërtimit të shpejtë dhe rikuperimit. Së fundmi janë miratuar edhe një sërë aktesh nënligjore që e bëjnë ligjin e vitit 2019 më të zbatueshëm dhe kjo për shembull lidhet me nisjen e një vlerësimi mbi rreziqet dhe zhvillimin e një strategjie të re për uljen e rrezikut nga fatkeqësitë. Kjo tregon angazhime serioze politikash për të minimizuar ndikimet nga fatkeqësitë natyrore në të ardhmen.

Monitor: Në çfarë forme po e asiston Banka Botërore Shqipërinë në përpjekjen e saj për të marrë veten nga pasojat e tërmetit. Çfarë është bërë deri më tani?

ES: Vetëm tri javë pas tërmetit Banka Botërore prodhoi një Vlerësim të Shpejtë Global për Dëmet pas Fatkeqësive (GRADE), i cili dha një kontribut domethënës për Vlerësimin e Nevojave pas Fatkeqësive (PDNA) që u publikua në shkurt 2020.

Së bashku me qeverinë rishikuam projektet në zbatim për të marrë në konsideratë rialokime potenciale të burimeve për të adresuar kërkesat ugjente. Nën projektin në vazhdim “Përmirësimi i Sistemit Shëndetësor” (HSIP) po mbështesim rindërtimin e spitalit të Laçit (rreth 3 milionë euro) dhe një pjesë të spitalit të Pediatrisë nën QSUT-në që u dëmtua nga tërmeti (rreth 1.5 milionë euro). Po kështu nën projektin mbi Sigurinë dhe Mirëmbajtjes së Rrugëve në Bazë të Performancës, Banka, dha mbështetje për rehabilitimin e segmentit kombëtar rrugor Tiranë-Ndroq-Plepa për të përmirësuar aksesin në zonën e dedikuar për ndërtimet e reja rezidenciale dhe ato të shërbimeve për familjet që humbën shtëpitë e tyre.

Po kështu kemi punuar me qeverinë për të prodhuar një sërë dokumentesh analitikë dhe udhëzues për të mbështetur politikat dhe vendimmarrjen sa i takon qëndrueshmërisë ndaj rrezikut dhe financimit të rrezikut nga fatkeqësitë përfshirë (i) një Diagnozë për Financimin e Rrezikut nga Fatkeqësitë (ii) Vlerësimin e gatishmërisë për emergjencat dhe kapacitetet reaguese dhe një plan për përmbushur boshllëqet e identifikuara(iii) vlerësim i ndikimeve të pandemisë dhe fatkeqësive mbi firmat (iv) Vlerësim i ndikimeve fiskale të fatkeqësive, (v) Udhëzues për përmirësimin e dëmtimeve nga fatkeqësitë, vlerësimin e humbjeve dhe bërjen e informacionit mbi katastrofat më të aksesueshëm (vi) Udhëzues dhe trajnim për Bashkitë për të aksesuar, përdorur dhe menaxhuar informacionin e menaxhimit të katastrofave dhe (vii) Vlerësimin e përshkallëzueshmërisë së programeve të mbrojtjes sociale në Shqipëri.

Po kështu, 500 nxënës nga moshat 6-18 vjeç në 48 shkolla në zonat më të prekura nga tërmeti përfituan tablete si pjesë e programit të Ministrisë së Arsimit, financuar nga donacionet e stafit të Bankës Botërore dhe mbështetur nga UNICEF.

Monitor: Cilat janë angazhimet e të ardhmes të lidhura qoftë me procesin e rindërtimit qoftë me përgatitjen për përballimin e situatave të ngjashme?

ES: Financimi shtesë i projektit Përmirësimi i Sistemit Shëndetësor (që do të aprovohet nga Bordi i drejtorëve i Grupit të Bankës Botërore në 1 dhjetor 2021) ka parashikuar rehabilitimin e 6 spitaleve përfshirë edhe pajisjet mjekësore, siç janë:

  1.  Rehabilitatimi i Spitalit të Krujës;
  2.  Rehabilitatimi i Spitalit të Lezhës;
  3.  Rehabilitatimi i Departamentit të Angiologjisë dhe Kardio-Kirurgjisë  (nën QSUT), me 112 shtretër;
  4.  Rehabilitatimi i Spitalit Psikiatrik (nën QSUT);
  5.  Rehabilitatimi i Departamentit të Djegies dhe Kirurgjisë Plastike (nën QSUT), me 35 shtretër;
  6. Punime shtesë civile për pajisjen e Spitalit të Përgjithshëm Pedriatik (nën QSUT)  për të adresuar dëmtimet dhe për të kompletuar rehabilitimin
  7.  Pajisje për Spitalin e Laçit (projekti aktual financoi punët civile)

Financimi total për të gjithë punët civile (përfshirë projektimin) dhe pajisjet vlerësohet 16.8 milionë euro.

Po kështu, Banka Botërore do të konsolidojë një sërë vlerësimesh të zhvilluara nga qeveria, banka dhe disa partnerë të tjerë zhvillimi, për të ofruar udhëzime mbi prioritarizimin e menaxhimit të rrezikut nga katastrofat. Në varësi të asaj që qeveria identifikon si investim prioritar ne jemi gati për të bërë një vlerësim më të thellë të këtyre aktiviteteve potenciale. Po kështu do të zhvillojmë një udhërrëfyes të praktikave më të mira për Bashkitë për t’u ndjekur sa i takon menaxhimit të rrezikut nga katastrofat.

Aktualisht, qeveria nuk ka ndonjë program aktiv sa i takon financimit të rrezikut nga katastrofat dhe duhet të varet nga  financimi ex-post (për shembull nga shkurtimi i buxhetit apo huamarrja) për të mbuluar kostot pas fatkeqësive. Mesatarisht, mbi 130 milionë dollarë mund të nevojiten që të mbulohen çdo vit çdo përmes financimit ex-post, me gjysmën e këtyre kostove përe rindërtimin e banesave. Për fatkeqësitë e mëdha, hendeku i financimit (diferenca midis financimit të disponueshëm dhe atij të nevojshëm) mund të arrijë në 2 miliardë dollarë (rreth 13% të PBB-së). Pandemia e COVID-19 e përballi vendin me një tjetër ngjarje të kushtueshme. Financimi i përgjigjes së qeverisë kërkoi huamarrje të konsiderueshme dhe shkurtime buxhetore. Prezantimi i një programi më gjithëpërfshirës që mbështetet në burime të diversfikuara financimi do të mundësojë menaxhim financiar me kosto efektive dhe në kohë të goditjeve të mëdha. Qeveria mund të gjenerojë kursime prej gati 25 për qind në rast fatkeqësish të mëdha përmes prezantimit të një programi të tillë. Ne jemi të angazhuar për të mbështetur qeverinë në përgatitjen dhe zbatimin e një programi të tillë.

Po kështu, Banka po mbështet Agjencinë e Prokurimit Publik për të përgatitur një set të detajuar të rregullave sesi duhet të planifikohen dhe zhvillohen procedurat e prokurimit në rast të një emergjence përfshirë fatkeqësitë natyrore. Qëllimi i kësaj mbështetjeje parashikon të përfshijë edhe specifikime teknike për të mira dhe punime, standarde të qëndrueshmërisë të fatkeqësive të lidhura me klimën në mënyrë që të forcohet cilësia e investimeve dhe të parandalohen dëmtimet e ardhshme nga fatkeqësitë.

Monitor: Banka Botërorë vendoste një theks të veçantë në raportin “Diagnoza e Financimit të Rrezikut nga Fatkeqësitë” sa i takon përmbytjeve dhe tërmeteve duke i cilësuar si rreziqet më të mëdha ndaj të cilave është e ekspozuar Shqipëria. A shihni avancim sa i takon kapaciteteve teknike apo miratimit të kuadrit ligjor të domosdoshëm që synon minimizimin e pasojave në këto raste? Çfarë mund të bëhet më mirë?

ES: Tërmetet dhe përmbytjet në Shqipëri mund të jenë shkatërruese, por këto janë dy rreziqe të ndryshme në terma të menaxhimit të tyre.  Tërmetet janë mes ngjarjeve të rralla që mund të shkaktojnë humbje dhe shkatërrim të jashtëzakonshëm si tërmeti i vitit 2019. Përmbytjet nga ana tjetër mund të ndodhin më shpesh. Ndërkohë ndikimi i secilës prej tyre mund të jetë më i ulët sesa kur ato mblidhen bashkë e humbja është domethënëse.

Përtej kostove direkte, këto dy rreziqe kanë një sërë ndikimesh indirekte dhe mund të rezultojnë në vështirësi për familjet dhe bizneset - veçanërisht ato më të cenueshmet.

Për të adresuar qëndrueshmërinë ndaj fatkeqësive në mënyrë të kuptueshme duhet të adresohen në mënyrë paralele një sërë aspektesh si: qëndrueshmëria fizike që përfshin për shembull përforcimin sizmik; qëndrueshmëria sociale që përfshin përgatitje emergjencash më të mirë dhe lajmërim më të hershëm; qëndrueshmëri financiare që përfshin përgatitjen për të menaxhuar ndikimet financiare dhe fiskale të fatkeqësive.

Qeveria po punon në adresimin e rreziqeve nga tërmetet dhe përmbytjet përmes reduktimit të riskut ndaj fatkeqësive. Një hap i rëndësishëm për qeverinë do të jetë afrimi drejt implementimit të Direktivës së Përmbytjeve të Bashkimit Europian.

Qasja aktuale e qeverisë për menaxhimin financiar të fatkeqësive në buxhet përfshin përdorimin e rialokimeve të buxhetit, huamarrjen si dhe asistencën e donatorëve. Teksa të gjitha këto janë burime të rëndësishme financimi, ato mund të kenë kosto të lartë oportune të të ardhurave nga të cilat është hequr dorë, dhe në disa raste, financimi mund të vonohet. Është e rëndësishme të trajtohet qëndrueshmëria financiare në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe paraprake, nëpërmjet një programi qeveritar që mobilizon kapitalin e sektorit privat, synon efektivitetin e përdorimit të financave publike dhe transparencën e tyre, dhe siguron që ka fonde të mjaftueshme për t'iu përgjigjur dhe për të zbutur ndikimet pas katastrofës.

Është gjithashtu e rëndësishme të mbrohen shtresat më vulnerabël në Shqipëri dhe ata që mund të bien në varfëri për shkak të fatkeqësive duke u lejuar atyre akses në programe të shkallëzuara të mbrojtjes sociale që janë mjaft të shpejtë në parandalimin e rënies në varfëri.

Monitor: Pati një diskutim të gjerë sa i takon një sigurimi të detyrueshëm për tërmetet por kjo mbeti thjesht me një draft që nuk u finalizua asnjëherë. Në këndvështrimin tuaj dhe nga eksperiencat e ngjashme që keni hasur cili mund të jetë modeli që i përshtatet më shumë Shqipërisë? Si mund të stimulohet ngritja e një skeme të tillë?

ES: Siç e përmënda, Shqipëria është shumë e prekshme nga fatkeqësitë natyrore dhe ndryshimet klimatike. Për më tepër mbulimi me sigurimi nga fatkeqësitë natyrore mes pronarëve të shtëpive dhe bizneseve të vogla dhe të mesme është shumë e ulët (vetëm 2 - 3 banesa në 100 aktualisht kanë mbulim me sigurim privat ndaj fatkeqësive), çka në rast të ndonjë ngjarjeje madhore do të duhej t’i kërkonin ndihmë qeverisë. Sigurimi i mbrojtjes financiare për banesat nga fatkeqësitë natyrore bëhet edhe më e rëndësishme po të kemi parasysh kapacitetin e kufizuar financiar të qeverisë për t’iu përgjigjur fatkeqësive natyrore.

Si pjesë e Programit të Vlerësimit të Sektorit Financiar në vitin 2014, ne i kemi rekomanduar qeverisë prezantimin e një programi të plotë kombëtar për sigurimin nga katastrofat në Shqipëri në linjë me eksperiencat e suksesshme të vendeve të tjera. Pas tërmetit të nëntorit 2019 ne e kemi ritheksuar nevojën e një programi të tillë kombëtar duke nisur me mbulimin e rrezikut nga tërmetet. Programi i sigurimit nga katastrofat ekziston në shumë vende me ekspozim të lartë ndaj fatkeqësive natyrore si: Zelanda e Re, Turqia, Zvicra, Franca, Spanja, SHBA, Rumania, Japonia, sa për të përmendur disa. Është e rëndësishme të mësojmë nga veçoritë e tyre të ndryshme teksa hartojmë programin e sigurimit nga fatkeqësitë të Shqipërisë.

Ka një numër të të madh mundësish për të strukturuar një program sigurimi nga fatkeqësitë. Kjo udhëhiqet nga shumë veçori që adresohen ndryshe në bazë të prioriteteve të qeverisë. Për shembull një vendim duhet të merren sa i takon mënyrës sesi do të vlerësohet primi i sigurimit: Komisioni për Tërmetet në Zelandën e Re tarifon një prim të fiksuar solidariteti ndërkohë që Autoriteti për Tërmetet në Kaliforni tarifon në bazë të rrezikut. Turqia sipas skemës së saj të administruar nga Turkish Catastrophe Insurance Pool (TCIP) i kombinon të dyja këto qasje.

Ka diferenca të mëdha në strukturat e qeverisjes - programe të tillë janë në disa raste të menaxhuar nga autoritete publike ose nga sektori privat, por shpesh janë bashkim i të dyjave, pra bashkëpunim privat-publik.

Një tjetër veçori kryesore është nëse pajisja me policë sigurimi është vullnetare apo e detyrueshme. Për shembull në Kaliforni pajisja me policë sigurimi është vullnetare, ndërsa në Francë sigurimi ndaj katastrofave është një mbulim shtesë i detyrueshëm kur banesa sigurohet për risqe të tjera (për shembull nga zjarri). Në Turqi, sigurimi ndaj fatkeqësive është i detyrueshëm. Në përgjithësi në vendet në zhvillim me ekspozim të lartë në risqe natyrore si tërmeti, sigurimi kundër këtyre rreziqeve është i detyrueshëm për të siguruar mbulim të të gjithë shtëpive dhe çka në mënyrë potenciale redukton primin për të gjithë dhe siguron trajtim të barabartë (ku qeveria nuk ndjehet e detyruar për të ndihmuar të pasiguruarit).

Banka Botërore ka dhënë këshillim në të kaluarën për autoritetet shqiptare sa i takon hartimit të konceptit të një programi kombëtar për sigurimin nga tërmeti duke marrë parasysh praktikat më të mira ndërkombëtare në vend. Jemi gati të vazhdojmë mbështetjen tonë për të kalibruar më tej konceptin dhe në vazhdën e kësaj edhe zbatimin e tij.

Nuk kemi dyshim se programe të tillë ndihmojnë në arritjen e një qëndrueshmërie më të fortë financiare si për njerëzit edhe për qeverinë.

Api
Api