OPINION

Jan-Peter Olters: intervista me revistën Ekonomia

20 dhjetor 2013


Jan-Peter Olters, Zyra e Bankës Botërore në Kosovë Revista Ekonomia, nëntor 2013

Z. Olters, po nisim nga një çështje e cila ka nxitur mjaft debate e dyshime në Kosovë – problemi i papunësisë. ASK, e përkrahur nga BB nxori shifrën se  shkalla e papunësisë është 30,9 për qind, apo 4,2 pikë të përqindjes më e ulët se para gjashtë muajsh. Ndërkaq, regjistrimi i popullsisë nxori normën e papunësisë 44,8 për qind.  Si janë “prodhuar” këto norma dhe sa janë ato të besueshme ? Cilët indikatorë kanë sjellur deri te ky rezultat? 

Olters: Për herë të parë gjatë katër vjetëve Anketa e Fuqisë Punëtore ka shikuar më afër rezultatet e tregut të punës në Kosovë. Këto janë shënimet më të besueshme dhe më të sakta për kalkulimin e shkallës së papunësisë, me metoda dhe metodologji që reflektojnë ato që shfrytëzohen nga Eurostat dhe anketat që janë verifikuar nga ekspertët e Bankës Botërore. Reagimi publik ndaj gjetjeve, përfshirë këtu edhe dyshimet që ju keni përmendur, ka të bëjë me dallimin konceptual ndërmjet segmenteve të popullsisë që janë “ekonomikisht joaktivë” (duke përfshirë këtu edhe ata që kanë hequr dorë nga kërkimi për punë) dhe “të papunësuarve” (apo atyre që janë duke kërkuar punë aktivisht).

Për t’u dhënë një ide për shifrat, më lejoni të përmbledh gjetjet si në vijim. Nga popullsia prej 1.8 milionë në Kosovë, 1.2 milionë konsiderohen “të moshës punëtore”, me moshë nga 15 deri në 64 vjet. Nga këta, vetëm 37 përqind konsiderohen “ekonomikisht aktivë” dhe si të tillë janë përfshirë në fuqinë punëtore. Edhe më pak, 25 përqind, janë në fakt të punësuar. Pjesa e mbetur prej 63 përqind e popullsisë në moshë pune është “ekonomikisht joaktive” – që nënkupton se rreth 750 mijë kosovarë janë nxënës, studentë, prindër me orar të plotë, apo kanë hequr dorë nga kërkimi i punësimit në tregun formal të punës. Këta nuk janë përfshirë në fuqinë punëtore. Shkalla e papunësisë, kështu, kalkulohet si numri i kërkuesve aktivë të punës (136 mijë) në raport me fuqinë punëtore (439 mijë), që na jep shifrën prej 31 përqind. Kjo marrëdhënie ndërmjet “kërkuesve aktivë të punës” dhe “të papunësuarve joaktivë” reflektohet edhe në shënimet e Qeverisë, të cilat tregojnë se vetëm rreth 29 përqind e atyre që, në një moment, e kanë regjistruar veten si të papunë, e kanë rikonfirmuar statusin e tyre brenda periudhës gjashtëmujore, ashtu si kërkohet.

Informata kryesore që unë marr nga Anketa e Fuqisë Punëtore është rikonfirmimi i një shkalle ende shumë të lartë të papunësisë, sidomos, një shkallë shumë e ulët e punësimit, e cila është veçanërisht e theksuar për të rinjët. Këto karakteristika e shpjegojnë praninë e madhe të varfërisë në vend, pa e harruar edhe sektorin e konsiderueshëm joformal, mirëpo po ashtu shkaktojnë vend për shqetësim për aftësinë e ekonomisë për të gjeneruar shkallë të qëndrueshme të rritjes dinamike në të ardhmen. Shifrat që janë vërtet alarmuese janë 35 përqindshi i rinisë kosovare (ata ndermjet moshës 15 dhe 24) që nuk janë as në punë, as në arsim apo as në ndonjë trajnim. Kjo do të ketë efekte afatgjata jo vetëm për produktivitetin e ekonomisë dhe potencialin e saj rritës, por edhe efekte negative ne përbërjen sociale të vendit.

Pavarësisht “dyshimeve” për të kundërtën, Anketa e Fuqisë Punëtore nuk ka bërë fshehjen e situatës së vështirë sociale. Përkundrazi, anketa ka drejtuar gishtin mu aty ku janë plagët dhe duke e bërë këtë u ka dhënë politikëbërësve dhe publikut të gjërë një të kuptuar më të qartë për sfidat dhe prioritetet socio-ekonomike.

Sa i përket dallimeve në shkallën e papunësisë për dy çerekët e parë të vitit 2012 dhe tërë vitit, ato kanë të bëjnë me faktorët sezonalë ashtu si mund të pritet. Ekziston një shkallë konsiderueshëm më e lartë e aktiviteteve ekonomike gjatë muajve të verës dhe vjeshtës se sa gjatë muajve të dimrit dhe pranverës. Keni parasysh sektorët e bujqësisë dhe ndërtimtarisë që punësojnë shumë vetë.

Nëse ka ndodhur ulja e papunësisë, atëherë ku mbetën njerëzit që deri dje evidentoheshin si të papunë ? U punësuan !? Ku ? Apo, mos ka ndryshuar kreteri dhe metodologjia e evidentimit të të papunëve dhe  kjo ka ndikuar në zvogëlimin e numrin të tyre ? (Për ilustrim po përmendi se në fund të qershorit të vitit 2013, krahasur me vitin 2011 numri i  të papunëve të evidentuar në Mitrovicë ka rënë  11,7 për qind, në Pejë – 45 për qind , në Gjakovë 63 për qind,etj.)

Olters: Përveç çështjeve statistikore dhe metodologjike, të cilat pamundësojnë një krahasim direkt të shkallës së papapunësisë të regjistruar më 2009 dhe me 2013, ka pasur tri zhvillime që kanë shkaktuar zvogëlimin e papunësisë. E para, Kosova ka qenë njëri nga katër vendet e vetme në Evropë që është rritur cdo vit që nga shpërthimi i krizës globale financiare dhe krizës së eurozonës ( Shqipëria, Bjellorusia dhe Polonia janë tri shtetet tjera), ashtu që shkalla mesatare e rritjes për vitet 2008-2012 ka qenë më shumë se 4 përqind. Një zhvillim i tillë çon, natyrisht, në një numër më të madh vendesh pune. E dyta, migrimi i kosovarëve, shpesh në vende të Evropës qendrore dhe veriore ka vazhduar, që në një anë e ka hequr presionin nga tregu vendor i punës dhe në anën tjetër ka çuar në të ardhura nga remitencat, gjë që ka bërë të mundur për disa që të tërhiqen nga tregu i punës. E treta, sektori joformal, që pret një vlerësim më të thellë, ka vazhduar të japë të ardhura, edhepse të ulta dhe jo të qëndrueshme, për një numër të konsiderueshëm të familjeve. Përmirësimet që janë bërë në kadastër, lehtësimi i regjistrimit të biznesit, paralelisht me vendimin e Qeverisë për të ulur tatimin në vlerën e shtuar për prodhimin primar bujqësor në zero përqind, duhet të çojë në një shkallë më të lartë të formalizimit të ndërmarrjeve ekzistuese të vogla dhe mikro dhe t’u japë atyre një mundësi për qasje në kapital, modernizim, dhe rritje të madhësisë dhe profitit.

A ka ndonjë rast tjetër në botë ku norma e papunësisë nga 44,8 për qind, brenda një vitit bie në 30,9 për qind?

Olters: U lus të mos harroni se shkalla prej 44 përqind i referohet papunësisë në vitin 2009 dhe se ka dallime në metodologjinë e aplikuar për vitin 2009 dhe 2013. Mirëpo për t’u përgjegjur në pyetjen tuaj, Armenia ka shënuar ulje të papunësisë prej 15 përqind në periudhën 2005-2008. Gjatë së njëjtës periudhë papunësia është zvogëluar për 11, 8, 7 dhe 7 përqind për Poloninë, Bosnje-Hercegovinën, Serbinë dhe Sllovakinë, respektivisht.

Pse kjo rënie e normës së të papunëve nuk ka reflektuar në uljen e nivelit të varfërisë dhe në ngritjen e cilësisë së jetës në Kosovë?

Olters: Për shkak të shkallës jashtëzakonisht të ulët të punësimit në Kosovë.

Duke marrë parasysh normën e pritur të zhvillimit ekonomik, a ka mundësi që edhe më tej të bie shkalla e papunësisë? Nëse po, atëherë cilat degë ekonomike do të japin kontributin më të madh?

Olters: Në periudhën afatshkurtë dhe afatmesme, unë e shoh potencialin më të konsiderueshëm për stimulim të rritjes dhe shtimit të punësimit formal në sektorin e bujqësisë, përfshirë këtu procesimin e ushqimit. Qysh tash, një numër faktorësh kanë ndihmuar bujqit, duke filluar nga titujt e pronave dhe qasja rezultuese në kapital, mundësia për të marrë grante inovative dhe subvencione për normat e interesit, ndryshimet në tatimin mbi vlerën e shtuar ndaj kapacitetit absorbues të tregut vendor, i cili është ende i dominuar nga importet e shtrenjta të ushqimit nga fqinjët në rajon dhe nga vendet e Evropës Perëndimore. Kjo, që tani, ka pasur rezultatet pozitive, të cilat duhet të bëhen më të dukshme në vitet që vijnë.

Nëse kemi parasysh vitet e kaluara, atëherë zhgënjimi më i madh vjen niveli i ulët i zhvillimit ekonomik. Nga norma mbi pesë për qind, e evidentuar para tri vjetësh, tash ajo sillet në mes 2 e 3 për qind. Pse ka ndodhur kjo dhe a është reale që për këtë dështim fajtori të kërkohet vetëm te kriza ekonomike globale, apo te kriza evropiane e borxheve?

Olters: Padyshim, mjedisi i jashtëm nuk ka ndihmuar dhe gjithsesi ka kontribuar në uljen e shkallës së rritjes dhe zhgënjimin me rezultatet ekonomike. Megjithatë, ekonomia e Kosovës është treguar rezistuese, dhe themelet janë vënë për një agjendë më substanciale në përkrahje të rritjes në periudhën afatmesme. Kosova mund të përparojë bazuar në shifrat e respektueshme të rritjes,  situatën stabile makro-fiskale, dhe sektorin e shëndetshëm, likuid, dhe profitabil bankar. Në të njëjtën kohë, sfidat më kritike socio-ekonomike, siç i keni theksuar edhe ju me të drejtë, janë punësimi i ulët dhe shkalla e lartë e papunësisë. Këto pasqyrojnë bazën e ngushtë të prodhimit dhe deficitet e larta të jashtme. Statistikat që kemi në dispozicion tregojnë qartas se mallrat dhe shërbimet  e prodhuara në Kosovë (“Made in Kosovo”) janë shpesh jonkurruese, madje edhe në tregun vendor. Janë dy shkaqe për këtë.

E para, firmat kufizohen në aktivitetet e tyre nga një klimë biznesi që nuk është ende vertetë atraktive, një koncept që ka të bëjë me elemente të infrastrukturës publike, institucioneve funksionale dhe zbatimit uniform të ligjeve. Përderisa përmirësime të konsiderueshme janë bërë në disa vitet e fundit, sic është pasqyruar në radhitjen e raportit Të Bërit Biznes, Kosova tash ka mundësinë për t’u përqendruar në një agjendë reformatore, kjo edhe në kontekstin e negociatave për Marrëveshjen për Stabilizim Asocim me Bashkimin Evropian.

E dyta, mënyra më e shpejtë për Kosovë për të rritur produktivitetin vendor është të “importojë” teknologji të reja nga jashtë. Ka pasur interesim, mirëpo në sektorët e rëndësishëm, sikurse është telekomunikacioni, Kosova duket se po i pengon vetvetes, duke u frikësuar nga mirëseardhja krahëhapur e investitorëve të huaj, duke dëmtuar kështu interesimin e investitorëve edhe në sektorë të tjerë.

Deri tash, Kosovës i mungon një konsensus nacional për rolin e sektorit privat në zhvillimin ekonomik. Mirëpo është e rëndësishme të shënohet, se duke mos qenë e kufizuar nga çështjet e trashëgimisë makro-fiskale  të dy krizave të jashtme, Kosova i ka të gjitha elementet dhe mundësitë – me politikat e duhura – për të shpejtuar rritjen zhvillimin ekonomik dhe për të përmirësuar situatën me punësimin dhe të ardhurat.

Ndonëse BB ka qenë mjaft e fokusuar në energjetikë, as këtu nuk ka ecje. Ndërtimi i TC “Kosova e Re” as që është në dukje. Ka indikacione se problemet në këtë fushë do të vazhdojnë edhe për shumë vjet. Atëherë si mund të presim zhvillim përderisa nuk ka  garantohet furnim cilësor me energji elektrike, si edhe valorizimi  i pasurisë më të madhe që ka Kosova – qymyri?

Olters: Fatkeqësisht, po, proceset përgatitore për investimin zvvendësues në centralin e ri Kosova e Re kanë qenë shumë komplekse dhe kanë marrë një kohë të konsiderueshme. Mirëpo tash janë tri konzorciume të para-kualifikuara që kanë shprehur interesim dhe përfundimisht e kanë rikonfirmuar interesimin e tyre në këtë projekt. Ato janë duke i përgatitur ofertat e tyre. Sidomos në një projekt kaq strategjik sikurse ky, është shumë e rëndësishme të mos merren rrugë të shkurta dhe të sigurohet që seciili hap ne proces është ndërmarrë me kujdes ashtu që investimet, kur të bëhen, të kontribuojnë për sigurinë e energjisë, të sigurojnë mundësi për pagesë të energjisë, dhe të minimizojnë eksternalitetet socio-mjedisore.

Është një “betejë” edhe rreth ndryshimit të burimeve të energjisë elektrike. Ambientalistët janë kundër qymyrit  dhe bëjnë presion që të rritet sasia e energjisë së prodhuar nga burimet e ripërtërishme, kurse të bie ajo nga linjiti.  Cili është qëndrimi i BB-së rreth kësaj çështje ? Po ashtu, a ka BB të dhëna rreth potencialeve të mundshme për prodhimin e energjisë elektrike nga burimet e ripërtërishme?

Olters: Debati për strategjinë adekuate të energjisë dhe miksin adekuat të energjisë në Kosovë ka qenë i gjatë mirëpo përfundimisht konstruktiv. Ekziston një konsensus i gjërë – që shpesh për qëllime të ndryshme nuk theksohet mjaftueshëm – për të integruar në rrjet sa më shume energji të ripërtëritshme që ekonomikisht është e qëndrueshme sa më shpejtë që kjo të jetë e mundur. Para disa vjetëve kjo ka qenë ndryshe. Mirëpo mbetet vetëm një mospajtim: a mund të zëvendësohet plotësisht energjia që tash po prodhohet nga centrali Kosova A me energji të ripërtëritshme? Sikur të mendonim se kjo është e mundur, edhe Banka Botërore do të shikonte situatën ndryshe. Mirëpo ekspertët për energji dhe mjedis të Bankës, të cilët e kanë shikuar secilën çështje me kujdes, e kanë gjetur këtë të pamundur, madje edhe me supozime shumë optimiste për burimet e energjisë së ripërtëritshme. Këto rezultate mund t’i gjeni në “Studimin e Opsioneve”, që mund të gjendet në uebsajtin e Bankës Botërore.

Kosova ka nevojë për qasje në energji të sigurtë dhe të përballueshme. Mirëpo është njësoj e rëndësishme që të ketë përkushtim të plotë nga Qeveria që çfarëdo investimi të bëhet në pajtim të plotë me standardet rigoroze mjedisore të BE-së, të cilat në thelb do të heqnin të gjithë ndotësit lokalë nga centrali me djegje të thëngjillit. Si rezultat i të gjithë këtyre faktorëve, strategjia e energjisë po përkrahet nga të gjithë partnerët zhvillimorë ndërkombëtarë të Kosovës.

Po HEC-i në Zhur a është investim i arsyeshëm duke pasur parasysh potencialin ujor të kësaj zone dhe kohën sa mund të jetë në prodhim HEC-i brenda një viti?

Olters: Sipas njohurive të mia, nuk ka ende informacion të mjaftueshëm për të dhënë një përgjigje definitive në këtë pyetje. Një studim fizibiliteti do të duhej të vlerësonte potencialin e një hidrocentrali të tillë. Vetëm atëherë do të mund të shihet nëse një investim në Zhur është vërtetë ekonomikisht i qëndrueshëm.

Duket se edhe për shumë vite, shuma më e madhe e investimeve publike do të orientohen në infrastrukturë, duke anashkaluar veprimtaritë e tjera, të tjera me ndikim edhe në zhvillimin ekonomik të vendit, si është arsimi. Kjo po krijon nj situatë absurde, meqenëse Kosova si vend me një kontingjent të madh të të rinj të gatshëm për punë ndodhet para problemit të sigurimit të profileve të domosdoshme dhe të kualifikuara. Kjo situatë a imponon edhe ndryshimin politikave qeveritare rreth investimeve publike, si edhe reformim të sistemit arsimor?

Olters: Është e saktë, natyrisht, se arsimi vazhdon të mbetet sfidë në përballimin e sfidave binjake të sigurimit të qasjes në arsim dhe kualitetit të arsimit. Kjo është një detyrë qëndrore meqë potenciali zhvillimor I Kosovës është seriozisht i kufizuar nëse më shumë se një e treta e të rinjve janë të përjashtuar nga arsimi dhe tregu formal i punës dhe nëse të rinjët largohen nga shkolla dhe universitetet me aftësi që nuk kërkohen në tregun e punës (ndërkohë që kompanitë nuk mund të gjejnë staf me aftësitë e duhura). Marrë parasysh deklaratat e fundit nga nivelet më të larta të Qeverisë, duket se ka një vullnet për të rritur shpenzimet në sektorin e arsimit edhe më tutje, përtej 4.1 përqind të GDP-së që është shpenzuar në arsim më 2012. Nëse pagat e arsimtarëve, lidhen, në mënyrë eksplicite, me trajnimin e arsimtarëve dhe me re-akreditimin, programi modern mund të mësohet më shpejtë dhe me një kualitet më të lartë, duke i dhënë një shtytje të konsiderueshme rezultateve në arsim. Reformat tjera që janë duke vazhduar, sic është transferi i llogaridhënëies dhe autoritetit financiar tek shkollat, duhet po ashtu të ndihmojnë në shpejtimin e përpjekjeve reformuese. Në Prishtinë, qeveria qendrore dhe komunale po finalizojnë shkollën model, e cila do të vendos standarde për ndërtimin e shkollave në të ardhmen. Në shumë prej këtyre reformave, Banka Botërore është e privilegjuar dhe shumë e gëzuar që mund të përkrah aktivitetet me financa dhe ekspertizë. Për t’i bërë reformat më të qëndrushme, Kosova është përfshirë në Programin Evropian për Vlerësim të Studentëve (PISA) në mënyrë që të lidhë reformat ne sektorin e arsimit me kontrolle të përsëritura të kualitetit nga jashtë. 

Sa mund të llogaritë Kosova në mbështetje financiare nga BB-ja ? Në cilat fusha është e fokusuar BB-ja dhe cili do të jetë efekti i kësaj mbështetje?

Olters: Momentalisht, Qeveria është duke zbatuar gjashtë projekte të financuara nga Banka Botërore, me një përkushtim prej €55 milionë dhe dy fonde mirëbesimi me përkushtim total prej rreth €6.5 millionë. Këto operacione japin përkrahje në një spektër të gjër sektorësh, përfshirë energjinë, arsimin, reformën e sektorit publik, kadastrin, bujqësinë, përfshirjen sociale dhe sektorin financiar. Dy projekte shtesë, njëri për energjinë e ripërtëritshme dhe eficiencën e energjisë dhe tjetri për shëndetësinë, në një vlerë të parallogaritur të përkushtimit prej më shume se €40 milionë, janë duke u përgatitur për t’iu prezentuar Bordit të Drejtorëve Ekzekutivë të Bankës Botërore para mesit të vitit 2014. Një Garancion i Pjesërishëm i Rrezikut për sektorin e energjisë, një projekt për ujin, dhe një projekt vazhdues për arsimin, janë po ashtu në përgatitje e sipër, dhe këto pritet t’i prezentohen Bordit të Bankës në fund të vitit 2014 apo në fillim të vitit 2015. 


Api
Api

Welcome