Cili eshte vlerësimi i BB-së për trendet ekonomike në Kosovë?
Në krahasim me fqinjët e saj (dhe vendet e tjera në Evropë), Kosova i ka shpëtuar mjaft mirë krizës globale financiare dhe të euros, duke ruajtur themelet e forta makrofiskale dhe financiare të ekonomisë së saj. Për dallim nga Greqia ose Italia, për shembull, ku borxhet e tepërta kanë qenë burimi i krizës aktuale, ose Islandës, Irlandës, Spanjës ose Qipros, ku sektorët bankarë të ekspozuar së tepërmi i kanë sjellë ekonomitë, të cilat më parë ishin të shëndosha, në prag të refuzimit të shtetit për t’i paguar borxhet nga pamundësia, Kosova ka ruajtur shkallë të ulët të deficitit dhe borxheve dhe një sektor bankar stabil, likuid dhe në përgjithësi fitimprurës. Ka qenë jashtëzakonisht mbresëlënëse, që me vite të tëra, rreth 40 përqind e shpenzimeve publike janë ndarë për investime, ndonëse shumica e fondeve në fjalë janë derdhur në një projekt të vetëm. Si rezultat i kësaj, ekzistojnë elementet kyçe të nevojshme për të vazhduar politikat në favor të rritës ekonomike, politika që në thelb kanë përmirësimet e mëtejme të klimës afariste dhe zbutjen e dukshme të shkallës shumë të lartë të papunësisë dhe varfërisë. Gjendja aktuale ekomomike e Kosovës, e karakterizuar nga shumë pak vende pune të cilësisë së lartë e që paguhen mirë, pasqyron nivelet e produktivitetit që janë të pamjaftueshme për të prodhuar mallra dhe për të ofruar shërbime që janë konkurruese në tregjet e brendshme dhe të huaja. Duke mos qenë në gjendje për të shitur mallrat dhe shërbimet me çmime të nevojshme për të mbetur fitimprurëse, kjo shpie tek deficite të larta të jashtme në tregtimin e mallrave dhe shërbimeve. Si rezultat, të hyrat nga eksporti dhe efekti i shumëfishimit të shpenzimeve vendore mbesin shumë të ulëta. Pika e dytë, që i referohet pjesës së madhe të importit të destinuara për konsum të brendshëm dhe investime, nënkupton që për çdo euro të shpenzuar në ekonominë e Kosovës, një përqindje shumë e lartë përfaqëson të hyra për kompanitë e huaja në vend se për ato vendore. Për këtë arsye, përqendrimi i vazhdueshëm në reforma për të përmirësuar klimën afariste – që pasqyron cilësinë e ligjeve, institucioneve publike dhe infrastrukturës publike - mbetet kyç për të qenë në gjendje për të joshur investimet e drejtpërdrejta të atij niveli dhe fushëveprimi që mund të rrisin ekspertizën, shfrytëzimin e teknologjisë moderne dhe produktivitetin e përgjithshëm. Që nga vera e vitit 2011 është shënuar përparim i dukshëm, por është jetike që tash të ruhet disiplina makrofiskale dhe politikat fiskale dhe ritmi i përgjithshëm i reformës afariste madje edhe në kontekst të një mjedisi më të brishtë politiko-ekonomik dhe në pritje të zgjedhjeve të përgjithshme në të ardhmen e afërt.
Është folur shume për përqindjen e ekonomisë, cila është përqindja e rritjes ekonomike për vitin 2012?
Ende nuk ka shifra përfundimtare për GDP në vitin 2012 dhe presim nga Agjencia Statistikore të publikojë ato në fund të verës ose në fillim të vjeshtës. Në bazë të informatave që kemi, Banka Botërore e vlerëson rritën ekonomike në vitin 2012 të ketë qenë diçka më pak se 3 përqind, dhe si e tillë, është më e lartë se e vendeve fqinje, ekonomitë e të cilave duket se kanë stagnuar ose janë tkurrur vitin e kaluar.
Sa e parasheh BB-ja rritjen ekonomike per kete vit?
Me një GDP prej rreth pesë miliardë eurosh, ekonomia e Kosovës është relativisht e vogël, do të thotë se ngjarjet e vetme – siç janë suksesi ose dështimi i një investimi ose privatizimi të madh – ose ndryshimet në mjedisin e jashtëm mund të kenë ndikim të konsiderueshëm në rritën e përgjithshme ekonomike. Informatat në dispozicion për ne duket se tregojnë një ngadalësim modest të aktiviteteve ekonomike në çerekun e parë të vitit 2013, që tradicionalisht është tremujori më i dobët në çdo vit, me një mundësi përshpejtimi gjatë verës dhe kah fundi i vitit. Marrë në konsideratë zhvillimet në Kosovë, rajon dhe në eurozonë, çdo rezultat qoftë nën 3 përqind ose ndjeshëm mbi 4 përqind në vitin 2013 do të më befasonte.
Pavarësisht treguesve makroekonomikë, papunësia dhe varfëria mbeten ne nivele alarmante. Përse nuk po zbuten këto shifra?
Familjet mund të dalin nga varfëria vetëm me burime të rregullta të të hyrave dhe një nivel të mjaftueshëm të pagave për të mbështetur ekonomitë e tyre familjare. Megjithatë, një numër i mjaftueshëm i vendeve të punës që paguhen mirë nuk mund të hapen vetëm me një lëvizje dore - sikur të ishte puna ashtu, nuk do të kishte varfëri në botë ose nevojë për të dëgjuar analizat dhe këshillat e ekonomistëve – por ato janë rrjedhojë e përpjekjeve të vazhdueshme për të siguruar një mjedis joshës dhe një horizont afatgjatë të planifikimeve për kompanitë, të vogla e të mesme, të vendit e të huaja, për tu angazhuar në aktivitete të cilat gjenerojnë profit. Firmat në Kosovë, sikur edhe ato që veprojnë në vende të tjera, kanë nevojë për një kornizë të qartë ligjore, zbatim të njëjtë të saj, institucione publike profesionale, shërbime publike të cilësisë së lartë, institucione arsimore të cilësisë së lartë, dhe një infrastrukturë publike mbështetëse. Secili nga këto elemente përbën një hallkë të zinxhirit që është i nevojshëm për të nxjerrë shoqërinë e Kosovës nga gjendja e tashme e papunësisë dhe varfërisë. Kjo do të thotë se nuk është e mjaftueshme të kesh disa hallka të cilat janë të fuqishme (siç edhe janë), por duhet të jenë të gjitha. Përmirësimet në gjendjen sociale të familjeve dhe ekonomive familjare, siç përshkruhet nga treguesit kyçë të papunësisë dhe varfërisë, janë vetëm vazhdimësi e reformave në fushat e tjera dhe e vendimit të kompanive private për të zgjeruar aktivitetet e tyre afariste në Kosovë. Dhe kjo pasqyron problemin kryesor të zhvillimit socio-ekonomik: është e vështirë (nëse jo e pamundshme) të jesh i durueshëm kur jeni i varfër, të hapësh dyert për premtime populiste parazgjedhore, të bëra në dëm të mundësisë për të zbatuar politikat zhvillimore me sukses.
Ka pasur nje lëvizje pozitive në renditjen e BB-së për të bërit biznes, por pengesat mbeten evidente. Përse nuk po arrin Kosova t’i terheqë investitorët e huaj?
Premisa nuk është njëqind përqind e saktë, por është e vërtetë se Kosova gjendet në një fazë mjaft kritike që ka gjasa të formësojë perceptimin e investitorëve në muajt dhe vitet e ardhshme. Kompanitë e huaja kanë marrë disa vendime të rëndësishme për investime muajve të fundit, sidomos ato për distribuimin e rrymës, aktivitetet bankare dhe telekomunikime dhe dëshira e investitorëve të vijnë në Kosovë pasqyron përmirësime në klimën afariste, përshirë edhe ato të matura nga treguesit e të Bërit Biznes. Megjithatë, investitorët e huaj nuk janë pritur duarhapur në Kosovë – pjesërisht për shkak të kundërshtimeve kryesore ndaj privatizimit, dyshimeve mbi çmimet e ofruara ose perceptimet për ndryshime të mjedisit vendor për supozimet kyçe që arsyetojnë qëndrueshmërinë ekonomike të investitorëve dhe llogaritjet e profitit. Çdo aktor politik, qoftë në qeveri ose në opozitë, ka përgjegjësinë t’i ndihmojë Kosovës që të përfitojë nga interesimi, teknologjia dhe ekspertiza e investitorëve të huaj. Megjithatë, për ta bërë këtë, partitë politike, shoqëria civile dhe publiku duhet të debatojnë – dhe eventualisht të pajtohen - për një konsensus kombëtar bazë për modelin më të përshtatshëm ekonomik për Kosovën dhe për rolet e sektorëve publikë dhe privatë në të.
Se fundmi kryetari i Kuvendit te Kosoves deklaroi se investitorëve po u kërkohet “hise” per te ardhur ne Kosove. A po i tremb korrupsioni këta investitorë?
Nëse i ka trembur, nuk e di – se a do t’i trembte, padyshim se po. Jo vetëm që është vepër penale të pranohen “shpërblime”, është po aq penale të paguhen ato dhe se kjo do të ndiqej penalisht në shtetet nga vijnë investitorët.
Si e vlerësoni shitjen e PTK-së, është vlera reale e 75 % te aksioneve, 277 milion euro?
Llogaritjet e vlerës së kompanisë – ose rrjedha e dobësuar e përfitimeve neto në të ardhmen që del nga aktivitetet e saj – janë shumë komplekse dhe përballen me një shkallë të konsiderueshme të pasigurisë. Ju e keni parë këtë në dy vlerësime të ndryshme nga dy ofertuesit e mbetur. Nga informatat (shumë të mangëta dhe të pjesshme) që kam, oferta fituese duket se vjen nga një investitor që është seriozisht i interesuar për zhvillimin e kompanisë, punën e saj afatgjate dhe profitabilitetin, që do të shpinte tek krijimi i punëve të ekspertëve të cilësisë së lartë, që paguhen mirë dhe një vargu të dividenteve (për 25 përqind të aksioneve të mbetura) dhe të hyrave tatimore për qeverinë.
A e mbështet BB-ja këtë privatizim nga Axos dhe Najafi Companies?
Banka Botërore nuk është e përfshirë në privatizim, as financiarisht as teknikisht. Përvojat ndërkombëtare kanë treguar ndërkaq se menaxhimi privat i kompanive, sidomos në sektorin shumë novator të telekomunikimeve, ka tendencë të rezultoj në produktivitet të shtuar, efikasitet dhe profitabilitet, të pasqyruar në shërbime të cilësisë së lartë për klientët dhe çmime përherë e më të ulëta për ta. Ndonëse kompania publike PTK ka qenë shumë fitimprurëse, qeveria nuk ka ndonjë përparësi të veçantë mbi sektorin privat në menaxhimin e një kompanie të tillë. Jam mjaft i bindur se për disa vite, kosovarët do të jenë të kënaqur me privatizimin e kësaj kompanie.
Cfarë prisni që të ndodhë tani me PTK-në?
Nuk mund të flasë për pronarët e rinj dhe nuk i kam parë planet e tyre të hollësishme për PTK-në. Por është e qartë se baza për ofertën e tyre shumë serioze duhet të jetë një plan afarist afatmesëm deri te afatgjatë për këtë kompani. Dhe që kjo të funksionojë, sidomos në një sektor që është aq konkurrues, shpejt i ndryshueshëm dhe shumë novator në aspektin teknologjik, duhet ta sjellë PTK në teknologjinë më të avancuar, për t’i mundësuar Kosovës të “importojë” ide të reja, teknologji të re dhe ekspertizë, dhe duke vepruar kështu të rrisë produktivitetin në këtë sektor.
Cilat janë beneficionet e privatizimit në sektorin publik?
Debati vendor në Kosovë është përqendruar shumë në çmimin e ofruar për privatizimin e distribuimit të rrymës dhe kompanive të telekomunikimit. Qartazi, këto janë të hyra të rëndësishme për buxhetin e shtetit, që mundësojnë investime publike në sektorë të tjerë, të cilat nuk mund të sigurohen ndryshe. Por, përfitimet e vërteta qëndrojnë tjetërkund; privatizimet te investitorët e cilësisë së lartë, me teknologji, ekspertizë, ambicie dhe perspektivë për të vepruar në Kosovë, të gatshëm të investojnë në të ardhmen e kompanisë dhe ta bëjnë atë konkurruese dhe fitimprurëse janë disa nga mënyrat më efektive për të mbyllur hendekun në produktivitet dhe të hyra mes Kosovës dhe vendeve të Bashkimit Evropian. Nuk ka ndonjë ekonomi moderne me kompani moderne që përdorë teknologjinë aktuale.
Është folur shumë edhe për shitjen distribucionit KEDS për vetëm 26 milionë euro. Si e vlerësoni këtë proces?
Do të kishte qenë e lehtë për qeverinë që të sigurojë çmim më të lartë për KEDS. Për ta bërë këtë, ajo “thjeshtë” është dashur të pajtohej me tarifa më të larta për konsumatorët, të pranojë rreziqet komerciale dhe/ose të mos insistojë për garanci për vendet e punës për punëtorët aktualë dhe për obligime për investime për pronarët e rinj. Kështu, qeveria ka qenë e gatshme të paguajë një “çmim politik” më të lartë për suksesin e këtij transaksioni. Ju e keni parë në Shqipëri si një privatizim – nëse nuk bëhet në mënyrën e duhur – mund të dështojë. Jam inkurajuar kur kam parë që qeveria ka nxjerrë mësimet e duhura nga ky episod dhe ka “sakrifikuar” fitimet e shpejta për një qëndrueshmëri afatgjate.
Tani kemi nje tender per Kosovën e Re. BB është e përfshirë në këtë proces. Si e vlerësoni zvarritjen e këtij projekti te madh?
Projekti i termocentralit Kosova e Re, një investim për zëvendësimin e termocentralit Kosova A që është ndotës i madh dhe shumë joefikas, është investimi më i madh nga sektori privat në historinë e Kosovës. Është një projekt jashtëzakonisht kompleks në aspektin teknik dhe financiar, i cili – për shkak se përfshinë teknologjinë e thëngjillit – është kapur nga organizatat e shoqërisë civile, si vendore ashtu edhe ndërkombëtare, si fushëbetejë për strategjitë globale të energjisë. Në këtë sfond, Kosova ka pasur nevojë për një debat të hapur për një strategji të energjisë dhe investimet e nevojshme, do të thotë për të arritur këto tri objektiva në të njëjtën kohë, respektivisht (i) për të garantuar furnizim të mjaftueshëm me rrymë në çdo kohë; (ii) për të siguruar që ekonomitë familjare dhe firmat që veprojnë në Kosovë të mund të paguajnë rrymën; dhe (iii) për të minimizuar kostot socio-mjedisore nga një përzierje e energjisë që eventualisht do të zgjedhet, dhe ndërkohë duke respektuar – siç ështp përkushtuar si palë nënshkruese e Traktatit të Komunitetit për Energji –acquis communautaire të Bashkimit Evropian për mjedis. Ky është dëshmuar në fund të fundit si debat produktiv dhe Kosova ka gjetur një konsensus minimal bazë për të shfrytëzuar aq energji alternative sa është e mundshme dhe për t’u mbështetur në aq energji të prodhuar nga fosilet sa është absolutisht e nevojshme.
Ka një debat me disa organizata të shoqerisë civile për energjinë nga thëngjilli, apo atë alternative. Cfare qëndrimi ka BB-ja?
Banka Botërore e mirëpret këtë debat për çështje të rëndësisë strategjike për Kosovë. Ekipet e saj të ekspertëve angazhohen në mënyrë aktive në të dhe e kanë shqyrtuar çdo argument të ngritur shumë seriozisht. Për të qenë sa më konstruktivë, ne kemi simuluar dhe kemi analizuar opcione të ndryshme për një miks të energjisë për Kosovën, kemi angazhuar një panel të pavarur të ekspertëve të jashtëm për të shqyrtuar me kolegët pohimet themelore, metodologjinë, rezultatet, kemi bërë përpjekje për të vlerësuar (çmimin ekonomik) format e ndryshme të ndotjes dhe jemi duke përgatitur një vlerësim të detajuar të ndikimit mjedisor dhe social të investimit të planifikuar për termocentralin “Kosova e Re”. Ne kemi organizuar konsultime me të gjitha organizatat e shoqërisë civile dhe kemi siguruar që të gjitha dokumentet e ndërlidhura të jenë në dispozicion publik. Ne kemi projekte në vazhdim e sipër për t’u marrë me çështjet e trashëgimisë së prodhimit të energjisë nga thëngjilli, sidomos hedhurinat e hirit dhe materiet kimike shumë toksike dhe të rrezikshme, jemi duke përgatitur projekte për efikasitetin e energjisë, energjinë e ripërtërishme, dhe sigurinë e ujit në Kosovën qendrore. Shqyrtimet nga publiku dhe vëmendja globale që i kushtohet këtij projekt duhet të ndihmojë të sigurohemi në fund të këtij procesi se Kosova vërtet do të përfitojë nga një termocentral sa më modern, që shfrytëzon teknologjinë më të avancuar – duke vënë standarde për vendet e tjera në gjendje të ngjashme – dhe të avancojë shfrytëzimin e burimeve alternative të energjisë sa më shpejt, sa më gjerë dhe sa më qëndrueshëm ekonomikisht.
Kohëve të fundit ka pasur protesta që ndikuan në stopimin e rritjes së çmimit të rrymës. A mund të ketë rritje të energjisë elektrike në të ardhmen, sa do të jetë kjo ngritje sipas parashikimeve të BB-së?
Janë futur shumë elemente në debatin dhe protestat kundër faturave të rrymës, përfshirë (i) strukturën e bllok tarifave aktuale; (ii) pavarësinë e rregullatorit të energjisë; (iii) implikimet e zëvendësimit të njehsorëve analogë me ata digjitalë; (iv) metodat e zbatuara për leximin e njehsorëve; (v) trajtimin e protestave të konsumatorëve; (vi) implikimet e angazhimit të sektorit privat në sektorin e energjisë dhe (vii) fërkimet e mundshme mes zbatimit të një strategjie të energjisë që pasqyron koston dhe politikave sociale. Një krizë si ajo e janarit për faturat e rrymës mund të ndihmojë lidhjen e të gjitha elementeve të sfidave relevante dhe rezultatit në një qasje më gjithëpërfshirëse dhe të plotë për të gjitha çështjet e ndërlidhura. Çdo veprim i ndërmarrë, qoftë në përputhje me strategjinë aktuale të energjisë ose jo, do të ketë kosto të cilat duhet të identifikohen, maten dhe të shpërndahen në mënyrë të duhur, me tarifa të rrymës – siç vendosen nga rregullatori për energji – që sigurojnë se Kosova të ketë energji në dispozicion. Adresimi i pasojave të padëshirueshme sociale është një sfidë politike dhe duhet të adresohet përmes politikave sociale më proaktive dhe më të përqendruara.
Ka kohë që qeveria ka mbetur pa ministër të financave. A eshte handikap per marrëdheniet e BB-së me qeverinë një gjë e tillë?
Ushtruesi i detyrës i ministrit të financave dhe ekipi i tij po bëjnë çmos që të shmangin çdo implikim negativ të gjendjes politike. Por nuk po e mohoj faktin se gjendja aktuale nuk është ideale.
Ish-ministri i financave, Bedri Hamza tash u dekretua guvernator dhe ky emërim u kritikua nga opozita. A konsideroni se është politizuar BQK-ja?
Procesi i emërimit të guvernatorit të ri të bankës qendrore ka qenë në përputhje me ligjin dhe rregulloret dhe përvojat e tij qeveritare të fundit per se nuk e nënkuptojnë poliltizimin. Guvernatori aktual i bankës qendrore të Gjermanisë, Bundesbank, për shembull, më herët kishte shërbyer si këshilltar ekonomik i Kancelares Angela Merkel. Por, nga vendimet e marra që nga emërimi i tij, nga deklaratat e bëra dhe nga analizat e paraqitura nga Bundesbank, nuk ka pasur asnjë kritikë ose politizim – meqë çdo veprim i ndërmarrë ka qenë në përputhje me mandatin dhe rolin e bankës. Udhëheqja e BQK-së do të gjendet në një situatë të ngjashme, në të cilën mandati i BQK-së dhe objektivat qeveritare mund të mos jenë domosdoshmërisht në përputhje; dhe se në atë moment Kosova do të jetë në gjendje të shohë nëse pavarësia e bankës qendrore de jure është mbrojtur apo de facto është komprometuar. Për sa kohë që BQK përqendrohet në mandatin e vet, prezanton të dhëna, vlerësime të zhvillimeve ekonomike dhe sfidave të ndërlidhura në mënyrë objektive dhe mbetet zëri i Kosovës për arsyeshmëri ekonomike, shqetësimet për mungesën e pavarësisë së bankës qendrore do të mbesin të pajustifikuara.
Flasim pak per krizën globale. Si po ndikon ajo në Kosovë në këndvështrimin e BB-së?
Sërish, fushat në të cilat vendet fqinje tregojnë ndjeshmëri dhe dobësi, sidomos në lidhje me paqëndrueshmërinë e politikave fiskale dhe/ose stabilitetin e sektorit bankar, janë fusha relativisht të forta të ekonomisë së Kosovës. Kanalet kryesore përmes të cilave preket ekonomia e Kosovës janë (i) tregjet e punës në vendet e destinacionit të diasporës; (ii) pasiguria e përgjithshme krahas kushteve të rënda për kredi në tregjet vendore dhe ndërkombëtare, që kufizojnë interesat e investitorëve, dhe (iii) fuqi e dobësuar blerëse mes partnerëve kryesorë tregtarë, përpjekje mbytëse nga kompanitë për të hapur tregje eksportuese. Megjithatë, me një disiplinë të vazhduar fiskale, me menaxhim të mençur makro-fiskal dhe me zbatim të agjendës reformuese të përqendruar në klimë afariste, Kosova do të jetë në gjendje të vërë ekonominë e saj pas krizës në ballë të vendeve në rajon dhe të kthehet gjendja tek niveli i rritës mesatare ekonomike para viteve të krizës.
Ku është e fokusuar aktualisht BB-ja në projektet e saj ne Kosovë, cfare po mbështesni me tepër?
Në përputhje me prioritetet e politikave të diskutuara më herët, Strategjia për Partneritet e Bankës Botërore përqendrohet në mbështetjen e përpjekjeve reformuese të Kosovës për (i) përmirësimin e klimës së përgjithshme afariste dhe (ii) përmirësimin e menaxhimit të burimeve natyrore. Kështu ne po përgatisim projekte të reja (përveç atyre që veçse janë në zbatim e sipër) për të adresuar çështjet e trashëguara mjedisore, sektorin e energjisë, përfshirë energjinë efiçiente dhe energjinë e ripërtërishme, furnizimin me ujë dhe arsimin, bashkë me mbështetje plotësuese analitike në fushat të gjera si mbështetje për përpjekjet për të rritur shkallën e përgatitjes financiare të konsumatorëve, përmirësimin e të dhënave për varfërinë, auditimin dhe procedurat e kontabilitetit dhe vlerësimin e zhvillimeve ekonomike dhe financiare në rajon.
A ka ndikuar kriza financiare ne reduktimet e fondeve per Kosovën nga BB-ja?
Jo.
A mund të presim qe Kosova sivjet të marrë ndonjë kredi nga BB-ja?
Po, me kusht që Parlamenti të pajtohet me të dhe të ratifikojë kreditë. Shpejt ne do të paraqesim para Bordit Ekzekutiv të Drejtorëve të Bankës Botërore pakon për financime shtesë për projektin për pastrim dhe restaurim të tokës për të finalizuar punën në deponitë e hirit, materiet e rrezikshme kimike dhe për të filluar punën në vlerësimin e ndikimit mjedisor dhe social për projektin e propozuar energjetik.
Qeveria po planifikon të ndertojë autostradën e dytë, ne drejtim te Shkupit kësaj rradhe. A e mundëson këtë projekt privatizimi i PTK-së?
Marrëveshja Stand-By me FMN ka lidhur në të vërtetë projektin e autostradës me privatizimin e suksesshëm të PTK-së. Në këtë kuptim, përgjigja në pyetjen tuaj është “po”.
Kosova aktualisht ka fonde te medha jashtë Kosoves, fondin e privatizimit, fondin pensional, fonde buxhetore. A është koha qe keto fonde të kthehen në funksion të ekonomisë kosovare?
Disa fonde, siç është fondi i pensioneve, i kanë rolet e përkufizuara qartë dhe janë të caktuara vetëm për një qëllim. Të tjerët, siç është fondi i privatizimit kanë një qëllim më të gjerë dhe në përputhje me rregullat dhe kufizimet që i përkufizojnë ato dhe me një konsensus sa më të gjerë mes të gjitha palëve vendore, synojnë që nga to të përfitojë ekonomia e Kosovës.