Rrjeti i rrugëve të Shqipërisë prej 15,000 kilometra, është si oksigjen për komunitetet, duke lehtësuar tregtinë, aksesin në shërbime dhe lidhjet me pjesën tjetër të vendit. Megjithatë, mungesa e financimit ka lënë në gjendje të keqe shumë rrugë rurale dhe rajonale jashtë rrjetit kombëtar të autostradave, duke kërcënuar sigurinë publike dhe duke penguar aktivitetin ekonomik. Për vite me radhë, shumë fshatra të largëta përballeshin me izolim për shkak të këtyre rrugëve të degraduara.
"Atje ishte një urë njëkalimshe që u shkatërrua nga përmbytjet. Ura e vjetër shkaktonte radhë të gjata makinash. Fermerët, të ngarkuar me prodhime, nuk mund të kalonin dhe duhej të prisnin dy orë për të shkuar në shtëpi. Edhe kalimi i bagëtive ishte i pamundur," kujton Feruze Vushi, banore e fshatit Darëzezë e Re.
Duke kuptuar urgjencën për ndërhyrje, Shqipëria, në partneritet me Bankën Botërore, nisi Projektin e Konektivitetit të Rrugëve Rajonale dhe Lokale në vitin 2018, i cili ndihmoi në rehabilitimin e nëntë rrugëve rajonale dhe rurale që shtrihen në tetë bashki.
Për këtë projekt ishte thelbësor angazhimi dhe pjesëmarrja aktive e komunitetit. Fondi Shqiptar i Zhvillimit, agjencia zbatuese e projektit, u sigurua të përfshijë zërat lokalë gjatë procesit të planifikimit dhe projektimit—një qasje gjithëpërfshirëse që ndihmoi në përshtatjen e investimit me nevojat specifike të komunitetit.
Kjo jo vetëm ndihmoi në përmirësimin e sigurisë, aksesueshmërisë dhe përballimin më efikastë ndryshimeve klimatike, por gjithashtu krijoi dhe një ndjenjë të përkatësisë ndaj investimit dhe krenari mes banorëve.
Neki Tafa, kryetari i fshatit Darëzezë e Re, mbështeti nevojën e korsive të dedikuara për këmbësorët dhe çiklistët që ka kontribuar në përmirësimin e jetës së komunitetit: "Ura e re na ka lehtësuar qasjen në fushat dhe tokat bujqësore, dhe fëmijët janë të sigurt kur shkojnë në shkollë. Dhe pas të gjitha këtyre investimeve, ka raste që njerëz nga qyteti po vijnë për të marrë toka me qira këtu."