Rastet e para me COVID-19 në Kosovë u zbuluan në mesin e marsit 2020. Prej atëherë, pandemia ka marrë më shumë se 3,000 jetë dhe ka dëmtuar mjetet e jetesës në mbarë vendin, duke sjellë mbyllje të bizneseve dhe humbje të vendeve të punës.
“Në familjen time kishim anëtarë të sëmurë me COVID dhe kjo ishte traumë psikologjike për ne si familje, por na dëmtoi edhe financiarisht”, thotë Shaban Halimi, pensionist.
Edhe pse institucionet qeveritare u vunë në lëvizje për të zbatuar masat parandaluese, spitalet e Kosovës nuk ishin të përgatitura mirë për t’iu përgjigjur krizës shëndetësore që pasoi. Objektet shëndetësore anembanë vendit nuk kishin furnizime të mjaftueshme me oksigjen, ventilatorë, shtretër spitalorë, staf dhe pajisje mbrojtëse për mjekët dhe infermierët.
“Me shfaqjen e pandemisë COVID-19, u përballëm me situatë të rëndë, pasi spitalet tona u mbushën shpejt dhe kapacitetet tona në burime njerëzore dhe infrastrukturë të nevojshme, ishin të kufizuara”, thekson Arben Vishaj, drejtor i Klinikës Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.
Edhe kapacitetet e Kosovës për depistim të përhapjes së virusit ishin të kufizuara në ata muaj të parë. Vetëm Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike fillimisht kishte makineri testimi RT-PCR për COVID-19, por stafi i tij mund të kryente më pak se 100 teste në ditë. Dhe jashtë kryeqytetit, Prishtinës, nuk ekzistonte asnjë kapacitet testues.
Për t’i ndihmuar vendit që të përballej me ndikimin e menjëhershëm të pandemisë, Banka Botërore e ristrukturoi një program ekzistues të lidhur me shëndetësinë dhe mobilizoi mbështetje shtesë përmes Projektit për Emergjencën Covid-19 në Kosovë me vlerë prej 46 milionë eurosh. Ky financim mundësoi prokurimin me shpejtësi të pajisjeve dhe furnizimeve mjekësore, forcimin e kapaciteteve për testim dhe zbulim të hershëm të COVID-19, si dhe përmirësime në Klinikën Infektive të Kosovës. Projekti siguroi edhe mbështetje kritike për përgjigjen e vendit ndaj COVID-19, duke ndarë fonde për trajnimin e stafit dhe duke kontraktuar mbi 300 punëtorë shëndetësorë shtesë. Dhe sapo vaksinat u bënë të disponueshme, Banka Botërore siguroi 15 milionë euro për blerjen dhe dhënien e vaksinave kundër COVID-19 – fonde që kontribuuan drejtpërdrejt në synimin e Qeverisë së Kosovës për vaksinim të 60% të popullatës deri në fund të vitit 2021.
“Ishte mbështetja e Bankës Botërore që na i mundësoi pajisjet, aspiratorët e ndryshëm për pacientët dhe veshjet mbrojtëse për ne, stafin mjekësor që po kalonim kohë të vështira”, thotë Donjetë Krasniqi, infermiere në Klinikën Infektive.
“Përveç kanulave me prurje të lartë për hundë, ndihmesë ishin edhe monitorët që morëm, pasi që na e mundësuan përcjelljen e shenjave vitale të pacientëve, si edhe analizatori i gazrave që na ka ndihmuar në raste të rënda klinike”, thekson Musa Hoxha, drejtor i Klinikës së Pulmologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. “Me këtë aparaturë u lehtësua shumë puna në Klinikën e Pulmologjisë dhe trajtimi i pacientëve u bë shumë më efiçient”.
Përtej pajisjeve të reja, projekti i përforcoi kapacitetet testuese të Kosovës. Testimi RT-PCR nuk është më aq sfidues saç ishte dy vjet më parë, pasi që sot kryhen teste çdo ditë dhe rezultatet merren brenda 24 orëve ose edhe më shpejt. “Kjo është arritje e madhe, sepse vetëm rreth një vit më parë vështirë se mund të imagjinohej që qendrat rajonale të shëndetësisë publike do të kishin kapacitete për testimin PCR, pasi që kapaciteti buxhetor i Kosovës ishte shumë i kufizuar dhe ne kishim vështirësi edhe të mbanin një laboratori të vogël molekular këtu në Prishtinë”, thotë Xhevat Jakupi, drejtor i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike.
Projekti i financuar nga Banka Botërore i përforcoi strukturat në mbarë vendin. Të gjashtë spitalet rajonale në Kosovë morën komplete dhe makineri PCR, të cilat lejuan realizimin e më shumë testeve dhe kohë më të shkurtër të përpunimit. Qendra e testimit në qytetin e Gjakovës, për shembull, e rriti numrin e testeve në 300 në ditë.
“Pasi e morëm pajisjen PCR, e kishim mundësinë t’i përpunojmë të gjitha mostrat që më parë do të ishin transportuar për në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike (në Prishtinë), dhe kjo ishte dukshëm mënyrë më e shpejtë, dhe zakonisht rezultatet merreshin në të njëjtën ditë”, thotë Safete Kamberi, specialiste e mikrobiologjisë dhe drejtoreshë e Qendrës Rajonale në Gjakovë të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike.
Spitalet rajonale prokuruan edhe pajisje të tjera mjekësore shumë të nevojshme. Për herë të parë spitali i Ferizajt tani ka një skaner CT. Spitali ka përfituar edhe një mamograf dhe një makineri ekokardiografie. Sipas mjekëve të spitalit, përveç trajtimit të patologjive të tjera, makineria CT ishte vendimtare për trajtimin e pacientëve me COVID-19.
Me mbështetjen e Bankës Botërore, Kosova ka arritur t’i mbrojë më mirë punëtorët shëndetësore, si dhe t’i zbulojë, parandalojë dhe reagojë ndaj përhapjes së infektimeve me COVID-19 – duke ndihmuar në shpëtimin e jetëve gjatë kësaj krize të paprecedentë.