Skip to Main Navigation
HISTORIA E PËRZGJEDHUR 17 maj 2021

Adoptimi i një qasjeje miqësore ndaj mjedisit do të thotë ajër më i pastër, jetesë më e shëndetshme në Ballkanin Perëndimor

Image

Ndotja e ajrit në Sarajevë, Bosnjë dhe Hercegovinë. Ajri që thithin njerëzit në Ballkanin Perëndimor është shpesh ndër më të ndoturit në botë. Banka Botërore po bashkëpunon me vendet për t’i ndihmuar ato në luftën ndaj ndotjes.

Foto: Banka Botërore


Highlights

  • Ajri që thithin njerëzit në Ballkanin Perëndimor është shpesh ndër më të ndoturit në botë. Ndotja e ajrit mbetet faktori kryesor i rrezikut mjedisor që kontribuon në numrin më të lartë të vdekjeve dhe aftësive të kufizuara të marra së bashku.
  • Efektet negative të ndotjes vijojnë të rriten në rajon- duke përfshirë ndikimet shëndetësore, mjedisore dhe ato ekonomike.
  • Gjatë pesëmbëdhjetë viteve të fundit, Banka Botërore ka investuar më shumë se 250 milionë US$ për të rritur efiçencën e energjisë dhe për të reduktuar ndotjen e ajrit dhe emisionet e gazeve serrë në rajon - përfshirë nismat me qëllim zvogëlimin e kërkesës së përgjithshme për ngrohje, zëvendësimin e kaldajave të vjetëruara me dru dhe qymyr dhe rritjen e përdorimit të një ndriçimi më efikas.

Një pasdite, në fund të shkurtit 2021, sipas të dhënave në faqen zvicerane të internetit IQAir, Indeksi i Cilësisë së Ajrit (AQI) në Prishtinë, kryeqyteti i Kosovës, shënoi vlerën 298, duke lënë pas Lahoren në Pakistan, Ulan Batorin në Mongoli dhe rreth 100 qytete të tjera, dhe duke fituar në këtë mënyrë titullin e dyshimtë për cilësinë më të keqe të ajrit në atë moment krahasuar me çdo qytet tjetër të madh në planet. Gjatë asaj dite, Indeksi i Cilësisë së Ajrit në kryeqytetet e Bosnje-Herzegovinës, Maqedonisë së Veriut  dhe Serbisë shënoi vlera midis 165 dhe 214 – nivele që konsiderohen si ‘të pashëndetshme ‘ ose ‘shumë të pashëndetshme’.

Ajri që thithin njerëzit që jetojnë në Sarajevë, Shkup, Beograd dhe në shumë qytete të tjera në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor është shpesh ndër më të ndoturit në botë – kjo veçanërisht gjatë muajve të dimrit, kur ndotësit e emetuar nga termocentralet me qymyr, sistemet e ngrohjes së banesave, automjetet, aktivitetet industriale dhe burime të tjera errësojnë diellin, ndotin mjedisin dhe krijojnë kushte të rrezikshme për frymëmarrjen. Me 175 vdekje për 100,000 banorë në 2019, Serbia kryesonte listën e vendeve Evropiane për normën më të lartë të vdekjeve nga ndotja dhe u rendit e 9-ta në renditjen e përgjithshme të gjithë vendeve të botës - më lart edhe se India.  

Ndërsa ndikimet negative të ndotjes vazhdojnë të rriten në rajon, politikëbërësit atje vazhdojnë të hulumtojnë qasje shumëdimensionale me qëllim kapërcimin e ndikimeve shëndetësore, mjedisore dhe ekonomike të këtyre sfidave. 


"Reduktim i emetimeve, reduktim i emetimeve, reduktim i emetimeve."

“Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm për atë që mund të bëhet”, shprehet Rijad Tikveša, President i Shoqatës Ekotim për mbrojtjen dhe promovimin e natyrës, mjedisit dhe shëndetit në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Sipas Tikveša, ekzistojnë tri rekomandime kryesore për politikëbërësit: “Reduktim i emetimeve, reduktim i emetimeve, reduktim i emetimeve.”

“Ekzistojnë tri drejtime themelore për të vepruar ,” vijon Tikveša, “reduktim i emetimeve nga sistemet e ngrohjes, mjetet e transportit dhe impiantet e energjisë elektrike – me këtë të fundit nënkuptojmë mbylljen e impianteve ekzistuese, të cilat prodhojnë dhe konsumojnë sasi  të mëdha të qymyrit dhe janë burim i një ndotje të jashtëzakonshme.’’

Përveç ndikimeve negative në mjedis si rezultat i emetimeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor, këta ndotës janë njëkohësisht të kushtueshëm edhe vdekjeprurës. Emetimet nga sistemet ngrohëse, termocentralet, sobat me karburant dhe burime të tjera bashkohen për të formuar grimcat e ngurta të ajrit (PM), të cilat mund të thithen nëse diametri i tyre është më i vogël se 10 mikronë. Ekspozimi ndaj grimcave PM 2.5 është jashtëzakonisht i rrezikshëm për shëndetin, pasi këto grimca mund të depërtojnë deri thellë në mushkëri dhe në qarkullimin e gjakut. Në Bosnjë dhe Hercegovinë, rreth 3,300 njerëz vlerësohet se vdesin para kohe çdo vit si rezultat i ekspozimit ndaj ndotjes së ajrit me grimca PM 2.5. Kjo shifër arrin në 1,600 vdekje në Maqedoninë e Veriut dhe 760 vdekje në Kosovë.

Ndotja e ajrit mbetet faktori kryesor i rrezikut mjedisor që kontribuon në numrin më të lartë të vdekjeve dhe aftësive të kufizuara të marra së bashku. Për më tepër, kostoja vjetore ekonomike  lidhur me dëmtimin e shëndetit nga kjo ndotje është marramendëse, mesatarisht për vitin 2016 ishte 240 milionë US$ në Kosovë (3.6% e PBB-së), 750 milionë US$ në Maqedoninë e Veriut (6.9% e PBB-së) dhe 1.38 miliardë US$ në Bosnjë dhe Hercegovinë (8.2% e PBB-së).

Sfidat shëndetësore dhe ekonomike që paraqesin grimcat toksike përkeqësohen nga ndotës të tjerë, të cilët degradojnë cilësinë e ajrit, kontribuojnë në rritjen e emetimeve të gazeve serrë dhe ndikojnë negativisht në cilësinë e jetës së çdo individi që jeton në Ballkanin Perëndimor. Duke pranuar ekzistencën e këtyre sfidave në rritje, udhëheqësit në Ballkanin Perëndimor kanë deklaruar aspiratat e tyre ambicioze për të punuar drejt arritjes së objektivit për një Europë pa karbon brenda 2050-s, siç përshkruhet në deklaratën e përbashkët të bërë në Nëntor 2020. Banka Botërore mbetet e përkushtuar në angazhimin e saj për të mbështetur këtë qëllim.

Kjo mbështetje përfshin zbatimin e projekteve të hartuara për adresimin e sfidave të ndotjes së ajrit, bazuar në analizat për të kuptuar më mirë problemin që qëndron në themel të këtyre ndërhyrjeve. Qëllimi i tyre është të maksimizojë efektivitetin e tyre në uljen e emetimeve, përmirësimin e rezultateve shëndetsore dhe uljen e ndikimeve ekonomike nga ndotja e ajrit.

Gjatë pesëmbëdhjetë viteve të fundit, Banka Botërore ka investuar më shumë se 250 milionë US$ për të rritur efiçencën e energjisë dhe për të reduktuar ndotjen e ajrit dhe emisionet e gazeve serrë në rajon - përfshirë nismat me qëllim zvogëlimin e kërkesës së përgjithshme për ngrohje, zëvendësimin e kaldajave të vjetëruara me dru dhe qymyr dhe rritjen e përdorimit të një ndriçimi më efikas.

Projektet në Bosnje-Hercegovinë, Kosovë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi kanë qenë të dobishme në drejtim të uljes së konsumit të energjisë elektrike dhe përdorimit të lëndëve djegëse fosile në ndërtesa - duke e rritur efikasitetin e energjisë dhe duke ulur emetimet lokale dhe globale përreth rajonit. Në Kosovë, kjo punë synon të krijojë kursim të energjisë të barazvlefshëm me rreth 15% të kërkesës vjetore të vendit për energji elektrike.  Në Bosnje-Hercegovinë, masat për rritjen e  efikasitetit të energjisë po demonstrojnë potencialin e madh për kursimin e  energjisë dhe bashkëpërfitimet që vijnë nga përmirësimet në ndërtesat publike. Kursimi i energjisë dhe karbonit gjatë gjithë jetës në 61 ndërtesa të rikonstruktuara vlerësohet të jetë i  barabartë me heqjen nga qarkullimi të 80,000 automjeteve.

Për sa i përket së ardhmes, Banka Botërore do të vijojë të ndihmojë vendet e Ballkanit Perëndimor gjatë kalimit drejt një ekonomie të gjelbër, duke investuar në burime të pastra të energjisë, duke ndihmuar në mbylljen e minierave me ndotje të lartë në mënyrë të përgjegjshme mjedisore dhe shoqërore dhe zbehjes së gjurmëve në ekonomitë e tyre si dhe duke rritur efikasitetin e energjisë. Kjo punë përfshin një studim të ri mbi qëndrueshmërinë e ngrohjes në Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, i hartuar për të ndihmuar qeveritë të identifikojnë alternativa të qëndrueshme për zëvendësimin e sistemeve tepër ndotëse, dhe njëkohësisht të analizojnë politikat dhe reformat rregullatore për të promovuar ngrohje të qëndrueshme dhe për të përcaktuar mekanizmat e financimit që mundësohet kalimi i sektorit të banesave drejt alternativave më të qëndrueshme. Ndonëse sfiduese, kjo axhendë kundër ndotjeve dhe karbonit për sektorin e ngrohjes në rajon ka potencialin të jetë një nga ndërhyrjet më efektive dhe shpërblyese në këtë sferë.  

Kalimi në ekonomi të gjelbër në vendet e Ballkanit Perëndimor do të thotë që qytetarët, pa përjashtim, mund të forcohen ekonomikisht ndërkohë që thithin ajër të pastër dhe pijnë ujë të pastër - një fitore e trefishtë për rritjen e cilësisë së jetesës, përmirësimin e shëndetit dhe krijimin e një rritjeje të qëndrueshme drejt një të ardhme më të pastër dhe të shëndetshme.



Api
Api