Skip to Main Navigation
HISTORIA E PËRZGJEDHUR 26 nëntor 2018

Fshatrat kosovare fillojnë të shijojnë internetin me shpejtësi të lartë, me përkrahjen e Bankës Botërore

Image

Shkolla “Anton Çetta”, e cila u shërben më shumë se 200 fëmijë të zonës, është një nga shkollat publike rurale në Kosovë që është lidhur kohët e fundit me internetin brezgjerë.

 


Pikat kryesore

  • Mbi 60,000 banorë ruralë në tërë Kosovën pritet të lidhen me rrjetin brezgjerë me shpejtësi të lartë deri në vitin 2023, përmes zbatimit të një projekti të ri të Bankës Botërore.
  • 14 projekte pilot po sigurojnë internet me brezgjerë për amvisëritë; shkollat dhe spitalet lidhen falas.
  • Projekti ndihmon në ngushtimin e hendekëve në infrastrukturën e internetit në vend, duke siguruar qasje në informata dhe shërbime për banorët e zonave rurale.

Në maj 2018, kur një ekip punëtorësh hapnin kanale dhe shtronin kabllot e fibrave optike përgjatë rrugës kryesore që lidh një grup fshatrash, Gjovalin Loshi, teknik mjekësor me një ordinancë të vogël të përgjithshme në periferi të Pjetërshtanit, u befasua kur dëgjoi se objekti i tij shëndetësor së shpejti do të lidhej falas me internet të shpejtë.

"Nuk mundesha me besu kur m’thanë se kanë me na dhënë internet falas, por është e vërtetë," thotë Loshi që është dukshëm i kënaqur që tani përdor internetin për të komunikuar - pa pagesë - me pacientët e zonës dhe kolegët në një qendër shëndetësore aty pranë.

Image
Tekniku mjekësor Gjovalin Loshi, në objektin shëndetësor në fshatin Pjetërshtan, përdor internetin me shpejtësi të lartë për të folur pa pagesë me pacientët e zonës dhe kolegët e tij në një qendër më të madhe shëndetësore në afërsi.

Përveç kësaj strukture të vogël shëndetësore, në rrjetin falas të internetit brezgjerë është lidhur edhe një shkollë aty pranë, e cila shërben për më shumë se 200 nxënës, duke e bërë edhe Dukagjin Markajn, drejtorin e shkollës Anton Çetta, të kënaqur me dhuratën.

"Mungesa e internetit është katastrofë, nuk bëhet asnjë punë", thotë Markaj.


"Ky investim do ta pozicionojë mirë Kosovën për të përfituar nga mundësitë digjitale."
Agim Kukaj
udhëheqës i Departamentit të TIK-ut në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik

Ai vë në dukje një ndryshim të madh në besueshmërinë e internetit të lidhjes aktuale brezgjerë në krahasim me lidhjen e mëparshme, e cila behej me antenë. Kolegia e tij, Albana Jaka, mësimdhënëse e biologjisë dhe kimisë, e cila është edhe koordinatorja për sigurimin e cilësisë së arsimit për shkollën, shpjegon rëndësinë e kësaj lidhjeje të përmirësuar në internet për shkollën.

"Tash, në fillim të vitit mund t’i hedhim të dhënat për nxënësit e rinj në sistemin e monitorimit të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Prishtinë, dhe pastaj t’i përditësojmë në mënyrë periodike për përparimin e tyre", thotë Jaka.

"Gjithashtu, marrim raporte dhe informata elektronike për mundësitë e trajnimit nga DKA-ja, dhe e përdorim internetin me përgatit materiale prezantimi për orët mësimore", shton ajo.

Kjo shkollë dhe qendra mjekësore, së bashku me disa qindra amvisëri në të tri fshatrat, Pjetërshtan, Dol dhe Kusar, u lidhën me internetin brezgjerë nga një kompani private si pjesë e një iniciative pilot të partneritetit publik privat nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik. Sipas skemës, sektori privat stimulohet përmes bashkë-investimit publik për të shtruar një rrjet me shpejtësi të lartë që lejon qasje për çdo familje në një lokalitet pilot.

"Puna u krye me standarde ndërkombëtare. Kabllot u shtruan në gypa nëntokësorë, dhe lidhjet u instaluan në çdo amvisëri të zonës,” thotë drejtori Markaj.

"Jemi shumë të kënaqur. Për 20 euro në muaj marrim TV kabllor dhe një lidhje të mirë interneti", thotë Dedë Gjini, shofer autobusi, i cili shpjegon se internetin e përdor vetëm për thirrje falas, kurse fëmijët, që i ka në fakultet dhe në shkollë, përdorin internetin më shumë.

Piloti në Gjakovë, në Kosovën perëndimore, është një nga shtatë projektet pilot për zgjerimin e rrjetit brezgjerë të realizuara këtë vit, ndërkohë që shtatë projekte të tjera pilot janë ende në zbatim. Zonat e zgjedhura për pilotët, të cilat mbulojnë 40 fshatra me më shumë se 2700 amvisëri, 34 shkolla dhe 16 institucione shëndetësore, janë lokalitete në të gjithë vendin të përzgjedhura sepse kanë më shumë se 100 amvisëri që nuk kanë qasje në infrastrukturën e telekomunikacionit brezgjerë.

Mbyllja e hendekut të infrastrukturës digjitale, së bashku me zhvillimin e kapitalit njerëzor konkurrues në ekonominë digjitale, mbeten fusha prioritare kyçe për Qeverinë e Kosovës.

Image
Tashmë, shkolla “Anton Çetta” do të jetë e lidhur falas për pesë vitet e ardhshme me internetin kabllor me shpejtësi të lartë, si pjesë e një iniciative pilot të partneritet publiko-privat. Në këtë foto: Drejtor i shkollës “Anton Çetta”, z. Dukagjin Markaj.


Me përkrahjen e Bankës Botërore, tashmë këto projekte pilot janë duke u zgjeruar. Në kuadër të projektit Ekonomia Digjitale e Kosovës (KODE), të aprovuar në korrik 2018 nga Bordi i Drejtorëve të Bankës Botërore, më shumë se 200 fshatra anembanë Kosovës pritet të lidhen në rrjet brezgjerë me shpejtësi të lartë deri në vitin 2023, kurse shkollat dhe spitalet do të lidhen falas për pesë vjet. Është parashikuar se nga kjo ndërhyrje do të përfitojnë mbi 60,000 banorë ruralë.

"Në bashkëpunim me Bankën Botërore, kemi realizuar një sërë studimesh për njohjen e situatës aktuale në lidhje me infrastrukturën brezgjerë në Kosovë, nga aspektet teknologjike, financiare dhe afariste", shpjegon Agim Kukaj, udhëheqës i Departamentit të TIK-ut në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik.

"Ky investim do ta pozicionojë mirë Kosovën për të përfituar nga mundësitë digjitale. Më shumë qytetarë, duke përfshirë banorët e zonave të nën-shërbyera rurale, do të kenë mundësi qasjeje në tregjet e punës, burimet e reja të dijes dhe shërbimet publike", shton Kukaj.

Marco Mantovanelli, Menaxher i Vendit i Bankës Botërore për Kosovën, pajtohet me këtë.

"Projekti do të thellojë lidhjet e Kosovës me ekonominë globale, çka është kritike për rritjen dhe zhvillimin në mbarë vendin".

Përveç mbylljes së hendekëve të infrastrukturës brezgjerë në zonat rurale, projekti do të lehtësojë qasjen e kosovarëve në njohuri, informacion dhe shërbime, duke mbështetur zhvillimin e Rrjetit Kombëtar të Hulumtimit dhe Edukimit (RRKHE) dhe një Programi të Vetëdijesimit Digjital, dhe duke shënjestruar posaçërisht amvisëritë në zonat ku përmes projektit do të shtrohet për herë të parë lidhja fikse brezgjerë.

Edhe kolegjet dhe universitetet do të përfitojnë nga zhvillimi i lidhshmërisë përmes lidhjes me GÉANT-in, një rrjet që ndërlidh organizatat kombëtare të rrjetëzimit të hulumtimit dhe edukimit në Evropë përmes boshtit brezgjerë shumë të qëndrueshëm mbarë-evropian.

Projekti do të realizojë edhe Programin e Rinisë Online dhe Rritjes, i cili synon të trajnojë 2,000 të rinj dhe të reja zhvillim uebi front end, dizajn grafik dhe optimizimi i makinës kërkimore. Pritet që me investime modeste në trajnim, të rinjtë e papunë dhe të nën-punësuar, shumë prej të cilëve janë nga zonat rurale, të mund të fitojnë të ardhura përmes aktiviteteve të pavarura online, madje edhe të sigurojnë punë me kohë të plotë për herë të parë.

Projekti KODE financohet me një kredi nga Asociacioni Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA) i Grupit të Bankës Botërore, me kushte koncesionare. Financimi për këtë projekt ka maturitet prej 25 vjetësh, duke përfshirë një grejs-periudhë prej 5 vjetësh.



Api
Api