“Ne kemi rritur kapacitetin tonë për të ofruar shërbime të internetit dhe për të përmirësuar cilësinë e të gjitha shërbimeve që u ofrojmë klientëve”, thotë Stavileci. “Kjo është një bazë e mirë për zhvillimin e kompanisë sonë dhe për tregun e internetit dhe teknologjisë së komunikimit në vend,” shton ai.
Në mes të vitit 2016, Fiberlink, së bashku me Vista dhe AceWaves - dy ofrues të tjerë të shërbimeve të internetit (ISP) që operojnë në komunat fqinje - shprehën interesim për asetet e fibrave të zotëruara nga ndërmarrja energjetike KOSTT. Në qershor 2017, KOSTT dhe tri ISP-të negociuan dhe nënshkruan një kontratë - transaksion i parë i këtij lloji në Kosovë, dhe një që ndikon drejtpërsëdrejti mbi 30,000 konsumatorë. Kompanitë tani kanë fituar kapacitetin për rritjen e mëtejshme të bazës së konsumatorëve, pasi rrjeti i tyre i përbashkët - falë qasjes në rrjetin e KOSTT-it - mund të mbulojë rreth 60,000 familje (ose 300,000 banorë) në pjesën jugperëndimore të Kosovës.Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë i Kosovës (KOSTT) ka ndërtuar një rrjet të ri tokësor prej 1109 kilometrave të fibrave optikë. Në qershor 2017, KOSTT ka nënshkruar me tre operatorë lokalë, të licencuar, të shërbimeve të telekomunikimit, marrëveshjen e parë për dhënien me qira të rrjetit të fibrave optikë. Kjo nismë për shfrytëzimin e infrastrukturës ekzistuese është përkrahur me asistencë teknike nga Banka Botërore.
“Ideja e KOSTT që nga fillimi ka qenë të shikoj mundesitë që një pjesë të këtij rrjeti telekomunikues optik ta vendos në funksion për qëllime komerciale për rritjen e mundesive për sherbime efikase telekomunikuese ndaj konsumatorëve dhe me kosto më të ulët”, thotë Kadri Kadriu, ushtrues detyre i Kryeshefit Ekzekutiv të KOSTT. “Banka Boterore ka ndihmuar KOSTT-in me studime dhe ekspertizë në praktikat më të mira se si duhet të shfrytëzohet ky kapacitet në të ardhmen”.
KOSTT ka instaluar mbi 1,100 km rrjet të fibrave optike në largpërçuesit e vet të energjisë elektrike të tensionit të lartë, duke krijuar kështu një rrjet të fuqishëm broadband për të ofruar shërbime të teknologjisë së komunikimit dhe informacionit në të gjitha vendbanimet kryesore në Kosovë.
Duke e ndarë në mënyrë aktive infrastrukturën e saj të tepërt të fibrave, KOSTT është duke përmbushur zotimet e veta rregullatore dhe publike si një kompani shtetërore e shërbimeve. Përveç kësaj, kjo qasje do të ndihmojë plotësimin e boshllëqeve të infrastrukturës ekzistuese broadband në zonat rurale, ku aktualisht më shumë se një e treta e familjeve nuk kanë qasje komerciale në broadband. Hapja e rrjetit të fibrave të KOSTT për lizing komercial do të jetë e domosdoshme në tejkalimin e këtij hendeku digjital.
Kërkesa për shërbime broadband fikse dhe mobile pritet të rritet ndjeshëm në Kosovë. Numri i abonentëve për broadband fiks parashikohet të rritet me 126% në mes të viteve 2015 dhe 2020, dhe ai i abonentëve për broadband mobil me 205% gjatë të njëjtës periudhë. Ky trend paraqet mundësi të konsiderueshme komerciale brenda vendit.
Eshref Mazreku, Kryeshef Ekzekutiv në Vista, rrëfen një tregim për një nga klientët e tij në fshatin Studençan, afër qytetit të Suharekës. Një fermer që merret me mbarështimin e lopëve ka instaluar një sistem video vëzhgimi në internet për të vrojtuar e mbrojtur bagëtinë e tij.
“Fermeri më falënderon sa herë që e shoh,” thotë Mazreku. “Ai thotë se tani klientët e tij nuk kanë nevojë të vijnë tek ai për të marrë mish. Në vend të kësaj, ai është duke e shitur mishin në internet.”
Financimi për këtë aktivitet u sigurua nga Lehtësia Këshillimore për Infrastrukturë Publike-Private (PPIAF)*.