Erlisa Zherka është studente 22 vjeçare e matematikës financiare nga Kosova. Ajo ka sigurar së fundmi një kontratë në internet me orar të plotë me një kompani amerikane fillestare që merret me shitblerjen e veturave. Ajo këtë punë e ka siguruar përmes programit WoW, një pilot projekt i cili mëton të trajnojë më shumë se 100 përfituese me shkathtësi teknologjike (TI) dhe komunikuese, të cilat janë të kërkuara në tregun e pavarur në internet që është në rritje e sipër.
Erlisa, e diplomuar në këtë pilot projekt, e ka ndjekur trajnimin për punë në internet në komunën e Lipjanit dhe tanimë është duke fituar më shumë se sa paga mesatare në vend (300-400 Euro, sipas Hulumtimit mbi Tregun e Punës në Kosovë 2015). Detyrat e saj përfshijnë testimin e softuerit të klientit dhe marrëdhëniet me publikun. Ajo punon në ekip me një punëtore tjetër të pavarur – një femër e re nga Serbia. Nëse do të ishte pyetur Erlisa para regjistrimit në këtë pilot projekt për një mundësi të tillë, ajo me siguri se nuk do të kishte besuar se diçka e tillë ekziston. “Të gjithë janë habitur kur kanë marrë vesh për ekzistimin e një mundësie të tillë,” tha ajo derisa e po fliste për reagimin e familjes dhe miqve të saj.
Dafina Kajtazi, një bashkëmoshatare e Erlisës, gjithashtu po përfiton nga një punë e pavarur në internet. Ajo punon nga Gjakova, një komunë tjetër e Kosovës ku është mbajtur pilot projekti WoW. Që nga korriku, Dafina, një psikologe e diplomuar, ka punuar si asistente virtuale me orar jo të plotë për një kompani holandeze, duke u shtuar këtyre të ardhurave, të bazuara në punë me orë, të ardhura tjera me kontrata fikse për shkrim dhe hulumtim në internet për kompani dhe persona në Greqi, Indi, Maltë dhe SHBA.
Sikurse Erlisa, Dafina e shtyri veten që të aplikojë për punë gjatë muajit të parë të trajnimit. Mundi iu shpagua mjaft shpejtë: “Kam mësuar nga secila kontratë që e kam fituar, nga secili klient, përfshirë edhe ata nga të cilët nuk morra punë. Kam mësuar shumë gjëra sepse e hulumtova punën, aplikova dhe pata intervistë. Gjithashtu, kam mësuar edhe gjërat bazë të kodimit si dhe rreth shkathtësive komunikuese.”
Mundësi të reja për punë, fitimi më i lartë
Erlisa dhe Dafina janë anëtare te grupit të diplomuarve të fazës së parë të pilot projektit WOW të Bankës Botërore, të financuar nga Fondi i Mirëbesimit për rritje të Gjelbër i Koresë dhe të implementuar nga kompania daneze CodersTrust. Suksesi i këtij trajnimi për punësim dhe zhvillim të shkathtësive ishte menduar që të krahasohet me ambicien e të 66 të diplomuarve të këtij pilot programi që të fitojnë së paku njëqind Euro përmes punës në internet, të fituar në mënyrë konkurruese në tre-mujorin e parë pas përfundimit të trajnimit. Tani mund të thuhet me siguri të plotë së arritja e këtij qëllimi është afër.
Faza e parë, që zgjatë 6 muaj, është afër përfundimit me disa rezultate që vlen të theksohen. Pas ndjekjes së trajnimit të përgatitur enkas për to dhe me në udhëzimet gjatë punës, 56 gra kanë fituar së paku një kontratë pune në internet, ndërsa së bashku kanë fituar gati 180 vende pune fikse apo me orë. Edhe pse ky pilot program ishte menduar që të fokusohet kryesisht në trajnim dhe nuk ishte pritur se aplikimi për punë do të ndodhte para ditës së fundit të programit, kontrata e parë ishte nënshkruar në fakt vetëm tri javë pas fillimit të programit WoW – një befasi e këndshme dhe e mirëseardhur për të gjitha palët e përfshira në këtë projekt.
Shuma e përgjithshme e fitimit kolektiv nga këto kontrata është rreth 13.000 dollarë amerikan (USD). Me një pagesë mesatare prej 5 dollarësh amerikan për orë, punëtoret në internet nga programi WoW tanimë janë duke fituar dyfish më shumë se personat e tjerë në Kosovë (bazuar në javën me 35 orë dhe në pagën mesatare prej 400 Eurove, ose rreth 450 USD, sipas Hulumtimit të Tregut të Punës në Kosovë 2015).Ato konkurrojnë globalisht për punë në fushën e futjes së të dhënave, zhvillimit të ueb-faqeve, hulumtimit dhe shkrimit, si dhe në përkthime.