Analistët dhe ekspertët në Grupin e Bankës Botërore po punojnë me politikëbërësit dhe janë angazhuar në një dialog të gjerë politikash me grupet e interesit në rajon për të ndihmuar në trajtimin e këtyre çështjeve të vështira. Ne vazhdën e kësaj përpjekje, në 18 Qershor u prezantua Raporti i fundit i Zhvillimit Ekonomik të Evropës Juglindore (SEE RER). Ky raport analizon mjedisin actual ekonomik në këtë rajon dhe shqyrton një numër fushash të mundshme për reformë. Ndërmjet këtyre reformave që mund të kenë një ndikim të veçantë në rritjen ekonomike në rajon, sipas raportit, janë konsolidimi i vazhduar fiskal, përmirësimet në klimën e biznesit në secilen prej këtyre gjashtë vendeve dhe trajtimi i mospërputhjes së vazhdueshme të aftësive.
“Raporti i mëparshëm theksoi nevojën që këto vende të reformojnë një numër fushash strukturore,” thotë Abebe Adugna, ekonomist i lartë në Rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore në Bankën Botërore dhe bashkautor i raportit, “tani ka nevojë të dyfishohen këto përpjekje duke parë mjedisin e biznesit – heqja e barrierave dhe përmirësimi i gjërave si lejet e ndërtimit – dhe trajtimi i hendekut të aftësive.”
Sipas raportit të mëparshëm, të dhjetorit 2012, rritja e ulët, huamarrja e shtuar dhe vulnerabilitetet e vazhdueshme financiare dhe sociale e bënë rajonin veçanërisht të prekshëm nga goditjet e vazhdueshme ekonomike. Ashtu si në atë raport, edhe ky raport i fundit shqyrton reformat e vazhdueshme fiskale, të cilat mund të ndihmojnë trajtimin e këtyre vulnerabiliteteve dhe të përmirësojnë sektorin financiar në të gjashtë vendet e rajonit. Të gjithë këto vende kanë bërë përparim të konsiderueshëm në reformat e sektorit financiar gjatë dy viteve të fundit, por më shumë duhet të bëhet. Duhet të prioritizohen masa gjithëpërfshirëse, të cilat mund të ndihmojnë në uljen e niveleve të larta të kredive të këqija në rajon. Reformat e sektorit bankar që kërkojnë bashkërendimin e shtuar me rregullatorët e Bashkimit Evropian janë komponentë të nevojshëm të reformës, siç është edhe përmirësimi i mbrojtjes së sigurimit të depozitave. Gjithashtu, një përmirësim i kuadrit gjithëpërfshirës të menaxhimit të krizave – që mund të përgatisë autoritetet në rajon për një llojshmëri të skenareve negative – do të ndihmojë në amortizimin e këtyre vendeve ndaj tronditjeve të vazhdueshme ekonomike në rajon.
Vendet në rajonin e EJL mundet gjithashtu të përmirësojnë ndikimin e krijuar nga këto reforma fiskale duke i plotësuar ato me reforma të klimës së biznesit. Raporti vë në dukje që një mjedis më pak i ngarkuar rregullator mund të ndihmojë firmat në këtë rajon të përmirësojnë në mënyrë të ndjeshme punësimin dhe rentabilitetin. Këto përmirësime ekonomike mund të përforcohen më tej nga konkurrenca më e madhe, aksesi në infrastrukturë më cilësore, dhe efikasiteti i rritur i gjykatave në këto vende. Duke reduktuar barrierat për krijimin e bizneseve dhe përmirësuar klimën e përgjithshme të biznesit në rajon, këto vende mund të ngrenë themele të forta për punësim dhe rritje të përmirësuar afatgjatë.
Së fundmi, shoqërimi i këtyre reformave të përqendruara drejt përmirësimeve afatshkurtra me ato reforma që trajtojnë probleme strukturore më afatgjata, mund të ndihmojë vendet në EJL për sigurimin e qëndrueshmërisë së përgjithshme të rritjes në rajon. Ajo që ka rëndësi më të madhe në këto reforma afatgjata është nevoja për të trajtuar hendekun e vazhdueshëm të aftësive në rajon.
“Në periudhën afatgjatë rajoni do të përballet me një sfidë të rëndësishme demografike,” vëren Adugna, “ndaj duhet një vemendje e veçantë mbi aftësitë – duke siguruar që pjesëmarrësit në fuqinë punëtore përputhen mirë me nevojat e tregut. Për ta bërë këtë, këto vende duhet të prioritizojnë arsimin, trajnimin dhe të mësuarin gjatë gjithë jetës.”
Raporti tregon që përmirësimi i aftësive për t’u punësuar në rajon do të kërkojë që gjashtë vendet të përmirësojnë cilësinë e sistemeve të tyre të arsimit. Për shkak se sistemet e arsimit dhe trajnimit në rajon nuk po përshtaten me zhvendosjet në kërkesat për fuqi punëtore, mangësitë në aftësim po fillojnë të kufizojnë aftësinë për t’u punësuar, qofshin këta punëtorë të rinj apo të vjetër. Ky është një problem i veçantë për Kosovën dhe Shqipërinë, ku më shumë se 70 për qind e firmave në këto vende e konsiderojnë mungesën e përgjithshme të aftësive në radhët e punëmarrësve si kufizim për rritjen. Duke zhvilluar sisteme që ofrojnë aftësitë e nevojshme që kërkohen nga vendet e reja të punës – duke u dhënë prioritet aftësive analitike përkundrejt memorizimit – këto vende mund të fillojnë të plotësojnë kërkesat që po ndryshojnë në tregun e tanishëm dhe të ardhshëm të punës. Këto përmirësime mund të përforcohen nga një sistem që ofron arsim të vazhdueshëm dhe mundësi mësimi për të rriturit.
Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë, Mali i Zi dhe Serbia tani kanë dalë nga një recesion i dyfishtë dhe po përgatiten për rritje ekonomike në 2013 dhe në 2014. Ndërprerja e tendencës së rritjes së kohëve të fundit e ndjekur nga rënia, është thelbësore për ringritjen afatgjatë ekonomike në rajon. Duke prioritizuar reformat politikëbërësit mund të bëjnë shumë për të siguruar që ky cikël ndërpritet, duke krijuar kushtet për një rritje të fortë të të ardhurave, punësimit dhe mundësive në Ballkanin Perëndimor.