Skip to Main Navigation
HISTORIA E PËRZGJEDHUR

Të ecësh vetë në jetë: mundësitë e punësimit për të rinjtë në Shqipëri

16 maj 2013


Image

Zotësi të reja: pasi kanë kryer formimin profesional në pastiçeri dhe pasi kanë fituar përvojën aq shumë të nevojshme gjatë një periudhe stazhi, këta të rinj shqiptarë tani kanë më shumë mundësi për t’u punësuar


FAKTE TË RËNDËSISHME
  • Papunësia tek të rinjtë në Shqipëri është mbi 22%
  • 39% e të rinjve në Shqipëri të moshës 18-24 vjeç janë me arsim 9 vjeçar, kurse shkalla e braktisjes së shkollës së mesme është 19.6%
  • Projekti në zbatim për fuqizimin e të rinjve dhe zhvillimit të komunitetit në Shqipëri, ofron mundësi stazhi dhe grante për të rinjtë që kërkojnë punë

Stazhi

“Çdo mëngjes ngrihem nga shtrati me gëzimin se kam një punë me të cilën mbështes familjen. Në të ardhmen, dëshiroj të hap një sallon të vogël për vete.”

Eriona tetëmbëdhjetëvjeçare, si shumë prej bashkëmoshatarëve të saj në Shqipëri, e pati të vështirë të gjejë punë pasi kreu shkollimin. Nevoja e Erionës për punësim me rrogë bëhej më e mprehtë nga fakti se familja e saj mbahet me asistencë sociale. Një ditë Eriona pa një njoftim për një vend si stazhiere pranë një salloni, në një tabelë njoftimesh pranë Bashkisë së Tiranës. Gjatë pesë muajve si stazhiere, Eriona fitoi zotësi të dobishme e të nevojshme për t’u bërë parukiere profesioniste dhe tani është punësuar pranë së njëjtës parukeri ku kreu stazhin.

Bashkitë e Tiranës dhe Durrësit po bashkëpunojnë me Bankën Botërore për të krijuar ato lloj mundësish stazhi, të cilat e kanë ndihmuar tashmë Erionën të hapë biznesin e saj. Projekti për fuqizimin e të rinjve dhe zhvillimit të komunitetit në Shqipëri ka filluar në vitin 2010 dhe që atëhere ka ndihmuar 40 të rinj si Eriona të fitojnë zotësitë dhe përvojën përmes të cilave do të mund të sigurojnë një vend pune, në një treg pune gjithnjë e më konkurrues. Projekti ndihmon përmes mbulimit të kostove të mbikëqyrjes në kompanitë private pjesëmarrëse si edhe përmes dhënies së një page modeste për stazhierët e rinj. Sikurse edhe në rastin e Erionës, projekti ka qenë shumë i rëndësishëm duke i ndihmuar punëdhënësit ta zbusin riskun e investimit tek fillestarët, duke u ofruar në të njëjtën kohë mundësinë të rinjve për të fituar përvojën aq shumë të nevojshme.

Formimi profesional

“Pasi mbarova shkollën, nuk kam pasur mundësi të punoj dhe as të trajnohem. Kam qëndruar vetëm në shtëpi. Edhe pse kam dashur të punoj, nuk më është dhënë mundësia dhe as kam pasur mjetet dhe njohuritë për të bërë torta.

Rudina po përjeton një përvojë që po ia ndryshon jetën pasi kreu një trajnimi profesional tremujor për pastiçere. Së bashku me gjashtë bashkëmoshatarë të tjerë, Rudina po formohet profesionalisht për pastiçeri me ndihmën e këtij projekti. Rudina dhe bashkëmoshatarët e saj janë trajnuar për disa lloj punimesh pastiçerie, si edhe kanë ndjekur mësime të gjithanshme gatimi që përfshijnë edhe udhëzime si të servirin, si t’i rregullojnë tryezat për raste të ndryshme dhe si të zgjedhin serviset e duhura. Për të marrë diplomën, Rudinës iu caktua detyra të përgatiste dhe servirte një krostatë komisionit vlerësues të shkollës. Nxënësit duhej të shpjegonin me kujdes se si qenë përgatitur ato që po servirnin. Në rastin e Rudinës, komisioni mbeti shumë i kënaqur nga produkti i saj.

Skema e Grantit

“Mbi të gjitha, jam mirënjohëse pa masë për realizimin e këtij projekti. Nuk di si ta shpreh falenderimin. Më ka ndryshuar jeta në mënyrë rrënjësore. Me të vërtetë, kam fituar një mënyrë si të jetoj në mënyrë të pavarur nga ana ekonomike.

Pas përfundimit të formimit profesional, Rudinës iu dha mundësia të plotësonte një tjetër ëndërr: nga granti i projektit Rudinës iu dhanë fonde për t’i mundësuar hapjen e një pastiçerie. Projekti i dha mundësi Rudinës të shfrytëzonte dymijepesëqind dollarë për të siguruar enët dhe pajisjet për punishten e saj të re. Rudina mori pjesë edhe në një trajnim për fillimin e biznesin, ku mësoi si të synojë, ku të synojë dhe si ta administrojë sa më mirë biznesin.

Papunësia tek të rinjtë në Shqipëri përbën një sfidë kryesore, sepse më shumë se 22% e të rinjve në vend, nga mosha 15 deri në 29 vjeç, janë pa punë. Sipas raportit Vështrim mbi Zhvillimin e Burimeve Njerezëore në Shqipëri, përgatitur nga Fondacioni Europian i Trajnimeve (2010) 39% e të rinjve shqiptarë nga mosha 18-24 vjeç  janë me arsim 9 vjeçar, kurse shkalla e braktisjes së shkollës së mesme është 19.6%.

Projekti për fuqizimin e të rinjve dhe zhvillimit të komunitetit në Shqipëri ka filluar në vitin 2010 me mbështetjen e Fondit Japonez për Zhvillim Social (JSDF). Ai po vihet në zbatim nga Bashkia e Tiranës dhe Bashkia e Durrësit dhe ka tre objektiva kryesorë: (1) rritja e kapaciteteve në një larmi zotësish që mbështesin kalimin nga arsimi i mesëm në tregun e punës; (2) rritja e mundësive për të krijuar mjete jetese dhe mundësive të punësimit përmes granteve që mbështesin veprimtaritë tregtare të të rinjve; dhe (3) rritja e përfshirjes së të rinjve në çështjet qytetare përmes granteve të zhvillimit të komunitetit.

Projekti ka qenë i efektshëm sa i takon identifikimit dhe trajtimit të të rinjve në pozita të pambrojtura përmes ofrimit të mundësive për rritjen e kapaciteteve, mbështetjes me grante të sipërmarrësve të rinj dhe zbatimit të projekteve infrastrukturore në shkallë të vogël në të dyja bashkitë.



Api
Api

Welcome