Skip to Main Navigation
HISTORIA E PËRZGJEDHUR

Nga recesioni në reforma: Ballkani Perëndimor dhe efektet e një recesioni të dyfishtë

18 dhjetor 2012



PIKAT KRYESORE TE historisë
  • Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë hyrë në një rënie ekonomike “të dyfishtë”, me papunësi masive dhe me rreziqe madhore.
  • Papunësia është mbi 25 për qind në katër prej gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.
  • Qeveritë duhet t’i dyfishojnë përpjekjet për zvogëlimin e deficiteve fiskale dhe të borxhit publik. Ato duhet t’i çojnë përpara reformat që do të sjellin rritje të produktivitetit dhe të aftësive konkurruese.

Edhe pse kanë kaluar më shumë se tre vjet nga fillimi i krizës financiare botërore, ekonomitë në mbarë botën vijojnë të bëjnë përpjekje të vështira drejt rimëkëmbjes. Mes vendeve të goditura nga kjo krizë  në vazhdim janë edhe gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor: Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë dhe Serbia. Më 18 dhjetor 2012 është prezantuar Raporti i rregullt ekonomik për Evropën Juglindore, në të cilin pasqyrohet ndikimi ekonomik që ka kjo krizë në rajon dhe nënvizohet nevoja që këto gjashtë vende ta shfrytëzojnë këtë mundësi për ta përmirësuar klimën e investimeve dhe për ta ulur borxhin publik, duke i eliminuar në të njëjtën kohë detyrimet e prapambetura në sektorin publik, çka do të ndihmojë në përmirësimin e disiplinës financiare në ekonominë e përgjithshme të secilit vend.

Mbase, asnjë rajon tjetër në Evropë nuk po përjeton tronditje ekonomike më të mëdha sesa vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat vijojnë të përballen me rënien e produktit ekonomik dhe me rritjen e papunësisë. Pas dy vitesh rimëkëmbjeje të brishtë, gjatë të cilave rritja reale ekonomike arriti rreth 2 për qind në 2010 dhe në 2011, rajoni gjendet tani përballë një rënieje ekonomike të dyfishtë, e cila po pasohet nga periudha të rënies së rritjes reale. Dimri i ashpër dhe zvogëlimi i kërkesës e kanë detyruar tani rajonin të hyjë në një rënie tjetër ekonomike, çka ka sjellë rënie të produktit dhe rritje të madhe të papunësisë.

Ndërkohë që shumë pak vende në botë e kanë papunësinë mbi 25 për qind, katër prej të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor vuajnë tani nga shkallë papunësie që janë më të larta se kjo shifër. Si Serbia ashtu edhe Bosnje-Hercegovina kanë tani shkallë papunësie më të larta se 25 për qind, ndërsa Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë e ka shkallën e papunësisë rreth 31 për qind. Kosova ka nivelin më të lartë të papunësisë, me 45 për qind të krahut të punës aktualisht të papunë. Ndërkohë, që dërgesat private nga jashtë, punësimi informal dhe rrjetet e kujdesit social ofrojnë një amortizim mbrojtës nga rënia ekonomike dhe shkalla e lartë e papunësisë, sfida qendrore e rajonit mbetet ringjallja e rritjes së qëndrueshme të numrit të vendeve të punës.

Edhe pse në këto vende ka pasur një rritje të kufizuar pas vitit 2008, ato nuk e kanë marrë asnjëherë veten plotësisht nga kriza” thotë autori kryesor i Raportit të rregullt ekonomik për Evropën Juglindore, Zeljko Bogetic, kryeekonomist dhe koordinator për politikat ekonomike për Ballkanin Perëndimor në Bankës Botërore. “Në rajon mbetet një problem që lidhet me mospërputhjen e aftësive— ndërsa   po formohet krahut të punës për sektorin publik, në sektorin privat kërkesa për krah pune në mbetet e papërmbushur dhe e dobët. Lipset një përmirësim i ofrimit të aftësive, si edhe përmirësim i akteve normative për tregun e punën për të ndihmuar me këtë çekuilibër.”

Kushtet e skajshme të motit në rajon gjatë vitit të fundit i kanë shtuar edhe më shumë problemet, duke e penguar prodhimin bujqësor dhe  duke e rritur trysninë mbi çmimet e ushqimeve në të gjashtë vendet. Dimri i fundit arriti rekorde sa u takon temperaturave të ulëta dhe thatësirës dhe shumë fabrika u shtrënguan të qëndrojnë të mbyllura për javë të tëra, ndërsa u ndërpre transporti dhe. Thatësira ka sjellë gjithashtu mungesa hidroenergjetike dhe ofertë të pamjaftueshme të energjisë në rajon, duke nënvizuar kështu hendekun e madh sa i takon infrastrukturës energjetike. Vera nuk solli ndonjë përmirësim të situatës, duke pasur një thatësirë të rëndë me një rritje prej 40 për qind të çmimit të misrit.

Mirëpo, përkundër këtyre efekteve, në raport theksohen disa prirje ekonomike pozitive, të cilat janë vënë re në rajon. Shumica e këtyre vendeve po bëjnë përpara sa i takon përmirësimit të mjedisit tregtar, sikurse dëshmohet edhe nga raporti më i fundit “Të bërit biznes”. Për shembull, IRJ e Maqedonisë renditet e njëzetetreta në botë (nga 185 vende) sa i takon cilësisë së mjedisit tregtar. Këto vende kanë fuqizuar edhe sektorët financiarë. Megjithëse rënia ekonomike ka nxjerrë në pah pikat e dobëta që kërkojnë reformë të mëtejshme, sidomos sa i takon përqindjes së lartë të kredive problematike, investitorët e jashtëm prapëseprapë po u kushtojnë vëmendje mundësive të sapolindura në rajon, sidomos në industrinë automobilistike. Kohët e fundit investimet e huaja të drejtpërdrejta (IHD) nga Fiat-i në rajon kanë bërë që kjo shoqëri të hapë një fabrikë të madhe në Serbi. Ka filluar punë e para nga tre linjat e planifikuara të prodhimit, e cila pritet të prodhojë 30 mijë vetura deri në fund të vitit 2012. Ky prodhim pritet të zgjerohet në 150 mijë në vitin 2013. Këto zhvillime ekonomike po shoqërohen me IHD për prodhimin e pjesëve të këmbimit për  automjetet në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë. Për më tepër, investitorë të huaj nga vende me të ardhura të mesme, si Turqia, Rusia, Kina dhe Azerbajxhani po e rrisin praninë e tyre në Ballkanin Perëndimor, një trend ky që mund të nxisë një “valë të dytë” privatizimi në rajon.


" IHD në rajon janë tejet të rëndësishme nga këndvështrimi i rritjes, vendeve të punës, aftësive teknike dhe rritjes së nivelit teknologjik, pra është shumë mirë që vëmë re një rikthim në shkallë të madhe të IHD-ve në rajon. E thënë thjesht, vendet duhet të bëhen më produktive, të orientohen nga eksportet dhe të rrisin aftësinë konkurruese dhe një mënyrë për ta arritur këtë është thithja e shoqërive tejet produktive, të orientuara nga eksportet dhe kompetitive nga jashtë vendit. "

Zeljko Bogetic

Kryeekonomist

Në mënyrë që të mbështetemi tek ky lloj suksesesh dhe t’i zgjerojmë ato në nivel rajonal, raporti argumenton se do të duhet një reformë më intensive e politikave në mënyrë që të zvogëlohet borxhi publik dhe të përshpejtohen reformat strukturore, duke sjellë rritje të produktivitetit, eksporteve dhe aftësisë konkurruese në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Rritja e ulët dhe huamarrja e rritur nga qeveritë në të gjashtë vendet, si edhe pikat e dobëta financiare dhe shoqërore e kanë lënë rajonin tejet të prekshëm ndaj tronditjeve të tanishme ekonomike të kësaj krize. Pa përmirësime të mëtejshme të ndjeshme në qeverisjen e sektorit publik, në klimën e përgjithshme të investimeve dhe në tregjet e punës, shanset për një rimëkëmbje të përshpejtuar ekonomike në rajon janë të ulëta.

Mbështetja e jashtme për reforma të përshpejtuara është gjithashtu me rëndësi të madhe në luftën për të përmirësuar të ardhmen ekonomike të rajonit. Në nëntor 2012, Banka Evropiane e Investimeve, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Banka Botërore njoftuan krijimin e një fondi prej 30 milion euro për financimin e vendeve të Evropës Qendrore dhe Juglindore gjatë dy viteve të fundit, fond, i cili mund të ndihmonte në lehtësimin e tranzicionit drejt një rritjeje më të qëndrueshme në periudhën afatmesme në mbarë rajonin.

Ndërkohë, qeveritë e rajonit nxiten ta përdorin këtë krizë si një mundësi për ta përshpejtuar zbatimin e politikave të reformave që mund t’i rrisin përpjekjet për konsolidim fiskal dhe ta përmirësojnë klimën e përgjithshme të investimeve në Ballkanin Perëndimor. Këto reforma, të shoqëruara me një angazhim strategjik nga bashkësia ndërkombëtare, mund të ndihmojnë në sigurimin e perspektivave më të mira për rritjen ekonomike dhe sigurimin e standardeve të përmirësuara të jetesës.



Api
Api

Welcome