TIRANË, 5 tetor 2012— Me rastin e 20 vjetorit të aktivitetit të Grupit të Bankës Botërore në Shqipëri, Zyra e Bankës në Tiranë organizoi një konferencë për të festuar historinë e gjatë të partneritetit me vendin. Në conference u risoll kontributi i shumëfishtë i Bankës Botërore për progresin ekonomik, njerëzor dhe institucional të vendit. Të pranishëm ishin Kryeministri Sali Berisha, anëtarë të kabinetit, përfitues të projekteve, përfaqësues të sektorit privat, shoqërisë civile, medias, partnereve për zhvillim etj.
Shqipëria u bë anëtare e Grupit të Bankës Botërore në Shqipëri në vitin 1992 dhe Banka Botërore ka qenë një nga burimet kryesore të mbështetjes së zhvillimit, gjatë këtyre 20 vjetëve të fundit. Që prej fillimit, Banka ka financuar 71 projekte me një shumë totale prej 1,2 miliardë dollarësh. Ajo ka ndihmuar Shqipërinë teknikisht, financiarisht dhe përmes këshillimit për reformat në pothuaj cdo aspekt të nevojave të saj të zhvillimit.
Pjesëmarrësit në konferencë theksuan se sukseset e përbashkëta janë të shumta dhe se politikat e ndjekura kanë qenë shumë të rëndësishme për transformimin e suksesshëm të vendit qoftë në zhvillimin e sektorit financiar, klimës së biznesit dhe menaxhimit ekonomik. Pjesëmarrësit në këtë konferencë vunë në dukje bashkëpunimin konstruktiv të Bankës Botërore me qeveritë e njëpasnjëshme, të gjithë aktorët e interesit dhe partnered për zhvillim, si dhe ndikimin e projekteve të financuara për rritjen e qëndrueshme në rrugën drejt integrimit në BE.
Të ftuar të paneleve të ndryshme të konferencës vlerësuan projektet kryesore të Bankës Botërore, të cilët kanë pasur një ndikim të madh zhvillimor edhe në jetët e njerëzve në fshatra dhe qytete, studentëve në shkolla, grupeve të cënueshme, fermerëve, sektorit privat etj. Nga këndveshtrimi i investimeve, janë arritur rezultate të shumta të dukshme. Banka Botërore ka ndihmuar në riparimin, ndërtimin apo mirëmbajtjen e 1,700 km të rrugëve kombëtare dhe rurale; ka rehabilituar dhe përmirësuar 270,000 ha të sistemit të ujitjes dhe kullimit (të cilat përbëjnë 2/3 e tokës së ujitur në Shqipëri); ka rritur produktivitetin dhe të ardhurat duke përmirësuar menaxhimin e burimeve natyrore në rreth 251 komuna në zonat malore me prirje për erozion; ka ndërtuar apo rikonstruktuar më shumë se 300 shkolla në zonat e prioritetit dhe ka pajisur mbi 2000 shkolla fillore dhe të mesme me kompjutera.