Nga energjia e ripërtëritshme e deri te hidroenergjia e menaxhimi i mbeturinave, uji është komponent qenësor i strategjisë kosovare për energjinë dhe tejet i rëndësishëm për angazhimin e Grupit të Bankës Botërore në sektorin e energjisë në Kosovë. Banka Botërore e mbështet sektorin e ujit në Kosovë nëpërmjet Projektit për Sigurinë e Ujit dhe Mbrojtjen e Kanaleve në Kosovë. Ky projekt, i cili është nënshkruar midis Bankës Botërore dhe Qeverisë së Kosovës më 27 janar të vitit 2017, synon ta rikthejë kanalin kryesor të bartjes së ujit në Kosovë – kanalin Ibër-Lepenc – në kapacitetin origjinal të tij, ta shtojë efikasitetin operativ dhe të krijojë hapësirë për magazinim të ujit për shërbim të pandërprerë gjatë fatkeqësive natyrore apo mirëmbajtjes së kanalit.
Kanali i Ibrit është sistem i bartjes së ujit që shërben për shumë qëllime dhe që furnizon ujë për prodhim të energjisë elektrike, për mihje dhe për përdorim në industri, bujqësi dhe amvisëri. Kosova qendrore, duke përfshirë kryeqytetin e Prishtinës, varet pothuajse tërësisht nga ky kanal për t’i plotësuar nevojat e veta për ujë. I ndërtuar në vitet e shtatëdhjeta, infrastruktura e këtij kanali është shkatërruar me kalimin e kohës. Megjithatë, dëmet fizike dhe ndotja, si rezultat i rrëshqitjeve të dheut dhe baltës, tokës jostabile, rrjedhjeve nga fermat dhe rrugët përreth, bërllokut dhe mbetjeve të tjera, kanë ndikuar në kapacitetin e bartjes së këtij kanali si dhe në cilësinë e ujit të tij.
Ky projekti 22 milionë eurosh do të sigurojë që nga uji më i sigurt dhe më i mirë të përfitojnë afro 500,000 njerëz që banojnë në pellgun e kanalit qendror të Kosovës, sa i përket ujit të pijshëm dhe përdorimit të ujit për industri dhe ujitje. Ky projekt, i cili realizohet nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Shoqëria Aksionare Ibër-Lepenc, do të ketë ndikim të madh në sektorin e energjisë, meqë siguron ujë për ftohje për termocentralet Kosova A (pjesërisht) dhe Kosova B (plotësisht) dhe do ta bëjë këtë edhe për termocentralin e ri të propozuar.
Përveç modernizimit të kanalit Ibër-Lepenc, Banka Botërore është duke e mbështetur edhe sektorin e ujit të Kosovës kur kemi të bëjmë me sfidat e saj të energjisë. Një element i rëndësishëm i kësaj mbështetjeje është racionalizimi i përdorimit të energjisë për ujitje. Përgjatë kanalit Ibër-Lepenc, në të kaluarën janë pajisur afro 20000 hektarë për ujitje, por vetëm 10% është aktualisht në përdorim. Për shkak të kufizimeve bujqësore, krahas veçorive të tjera të projektimit teknik, aktualisht është shumë e vështirë dhe e kushtueshme që të ofrohet shërbim i ujitjes – ndërsa kjo nënkupton edhe një kosto të lartë të energjisë. Së dyti, Banka është duke e vlerësuar mbështetjen për krijimin e një kornize për investim në ujitje, ku ky sektor do të vlerësohet edhe për nga aspekti i përdorimit të energjisë për pompim, edhe i kompromiseve për burimet dhe mundësitë e shpërndarjes së ujit në të gjithë sektorët, përfshirë sektorin e hidrocentraleve.